Pasquale D’Ambrosio, personi që u arrestuan më 7 shtator në Torino dhe u sekuestrua avioni me drogë, rezulton se ka hyrë në Shqipëri 4 herë gjatë vitit 2015. Lidhur me hetimet dhe zbulimin e aktivitetit që D”Ambrosios ka në Shqipëri, në Tiranë mësohet se ka mbërritur edhe një përfaqësues i prokurorisë së Torinos dhe policisë italiane.

Po ashtu, mësohet se një grup oficerësh të drejtorisë së Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit dhe një Prokuror i Krimeve të Rënda, tashmë janë duke identifikuar të gjitha lëvizjet që ky person ka kryer në Shqipëri, si edhe takimet që ai mund të ketë bërë.
 
Ndërkohë, mësohet se Pasquale D`Ambrosio ka hyrë e dalë në Shqipëri nga Rinasi në datat: 2 Gusht 2015 dhe ka dalë më 4 Gusht 2015; 28 Prill 2015 dhe ka dalë më 29 Prill 2015; 26 Mars 2015 dhe ka dalë më 27 Mars 2015; si dhe ka hyrë më 17 Shkurt 2015 dhe ka dalë më 20 Shkurt 2015.
 
Ndërkohë, burime nga grupi hetimor bënë me dije se D`Ambrosia në dy ardhjet e fundit në Tiranë ka takuar tre persona nga Vlora. Një prej personave që italiani ka takuar, rezulton që të jetë edhe personi që siguronte marijuanën në Shqipëri.
 
Sipas hetimeve paraprake, ky person rezulton se ka lidhje shoqërore me dy shqiptarët e arrestuar së bashku me D`Ambrosio, Maksim Llanaj dhe Fitor Alliaj.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)