Avokatët e kryebashkikakt të Tiranës Erjon Veliajt, i janë drejtuar me kërkesë drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, për largimin e prokurorit Ols Dado nga çështja e Veliajt, për konfilikt interesi, pasi ka marrë leje ndërtimi nga kryebashkiaku. Kërkesa është drejtuar që pas seancës së vlerësimit të masës së sigurisë, por deri tani nuk ka asnjë përgjigje nga kreu i SPAK.

Kjo gjë është bërë e ditur nga grupi i avokatëve mbrojtës të çiftit  Veliaj Xoxe dhe biznesmenit Elman Abule te cilët zhvilluan një takim me  mediat. Avokati Maks Haxhia, i cili mbron bashkëshorten e Veliajt Ajola Xoxe, tha se prokurori Olsi Dado është në konflikt interesi me çështjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe vetë ai duhet të japë dorëheqjen.

Sipas avokatit  Haxhia Në bazë të kodit të procedurës çdo prokuror apo gjyqtar që e ka të konstatuar konfliktin e interesit është i detyruar të japë dorëheqjen. Me një karrierë të gjatë në fushën e drejtësisë, Maks Haxhia tha në takimin e zhvilluar me gazetarët, se në 42 vite eksperiencë nuk ka hasur asnjëherë që një prokuror në kushte të tilla të konfliktit të hapur të interesit të mos ketë dhënë dorëheqjen nga çështja. 

“Do ishte shumë profesionale që prokurori ta bënte diçka të tillë. Nuk kuptoj përse duhet me patjetër të jetë ky prokuror në ketë çështje? Nëse janë të sigurt për provat që kanë, përse kërkon prokurori të rri me çdokush në çështje, kur evidentohet një konflikt interesi? tha avokati.

“Edhe kur avokati, ose i pandehuri, ose gjyqtari, ose prokurori, kanë një marrëdhënie shumë të mirë, pra kanë punuar bashkë në një studio ose kanë pasur një marrëdhënie jo konfliktuale, është prapë i detyruar të heqë dorë nga çështja që heton. Në praktikën time 42-vjeçare në këtë profesion mua më ka ndodhur që të konstatohet një gjë e tillë dhe të mos kenë dhënë dorëheqjen”, tha ai.

Haxhia shpjegoi se shumica e dosjes mban firmën e prokurorit Ols Dado dhe kjo është arsyeja pse Veliaj konteston pikërisht këtë prokuror, edhe për faktin se ka një konflikt interesi për një leje ndërtimi të dhënë.

Edhe avokati i Veliajt, Ermir Beta tha se z. Dado është në konflikt interesi dhe këtë njëanshmëri e shfaqi hapur edhe në seancën e datës 12.

“Në seancën gjyqësore të datës 12, prezent ka qenë aty edhe vetë drejtuesi i prokurorisë. Shkaku i përjashtimit të zotit Dado, në vlerësim të zotit Veliaj, ishte vetëm konflikti i interesit për një leje ndërtimi ku edhe zoti Dado, kishte emrin. Në mungesë të një përgjigjeje apo reagimi nga drejtuesi i prokurorisë, aty prezent në sallë, mbrojtja ka formalizuar kërkesën për përjashtimin e z. Dado apo zëvendësimin e tij nga prokurori i çështjes. Këtu kemi shtuar edhe shkakun tjetër të sjelljes së përfaqësuesit të akuzës, që në vlerësimin tonë kishte doza njëanshmërie, e kam fjalën për z. Dado. Ende jemi në pritje të një përgjigjeje të cilën nuk e kemi”, theksoi Beta.

Sipas avokatit Maks Haxhia: “Në informacionin që i është dhënë publikut lidhur me këtë çështje ka mangësi. Ai u shpreh se e cilësojnë jo ligjor nisjen e procesit nga një anonimat. Ne nuk konstatojmë as një ngjarje apo kallëzim të ndonjë personi të dëmtuar. Ne vlerësojmë që masa arrest në burg është abuzive dhe e tejkaluar sepse është aplikuar ndaj një person, kryetar bashkie, person tre herë i mandatuar. Gjykata e Strasburgut disa herë ka tërhequr vëmendje që masa e burgut dhe e arrestit në shtëpi duhet të aplikohet me kujdes nga gjykata si masë e jashtëzakonshme, jo si e zakonshme. Nuk është serioze të arrestohet kryetari bashkisë lidhur me një analize ekonomiko financiare. Publiku, individë apo media ka hedhur jo të plote tablonë financiare. Këtu sjellim në vëmendje tuaj një shumë të OJF, dhe nuk thonë ku ka shkuar këto para dhe çfarë është bërë më këto financa."

Avokatët e çështjes Veliaj kanë hedhur dritë edhe mbi një pikë tjetër të rëndësishme, siç është pretendimi i prokurorit Ols Dado se kryebashkiaku Veliaj ka intimiduar me sms agjentin e BKH. Avokati i Veliajt, Ermir Beta shpjegoi në takimin me gazetarët, se përmbajtja e sms nuk ka asgjë intimiduese.

“Nuk mund të flitet për intimidim për gjyqtarë të cilët janë super të trajnuar dhe të paguar. Nuk mund të flitet për një intimidim të një hetuesi, i cili të nesërmen, ose disa ditë më pas, hyn lirshëm në zyrën e kryetarit të Bashkisë për të marrë çfarëdo lloj dokumentesh që i vlerësonte të nevojshme. Nuk bëhet fjalë për intimidues. Cili është konteksti? Konteksti është që z. Veliaj, edhe në momentin kur është ushtruar kontroll ndaj znj. Xoxa në Dhjetor 2024, ka qenë në udhëtim pune jashtë shtetit. Ai është gjetur në situatën që ndaj familjes së tij, bashkëshortes, është ushtruar kontroll. Është një gjë që nuk ndodh përditë dhe shkakton një tronditje. Znj. Xoxa është thirrur dhe është pyetur për afro 9-10 orë si person që ka dijeni, po në dhjetor 2024. Natyrisht, është një proces që nuk është se kalon shumë lehtë për persona që nuk janë mësuar të trokasin në atë godinë që të hyjnë dhe të jenë subjekt pyetjesh. Ka rastisur që një nga hetuesit që e ka marrë në pyetje disa ditë më parë, ka parë të nevojshme që të pyesë znj. Xoxa për fakte që ai e gjykonte të domosdoshme dhe të nevojshme. Dhe ka bërë një komunikim nëpërmjet telefonit, me ëhatsup ose sms, ku i është kërkuar ditë të shtunë të thirrej në SPAK për të dhënë disa deklarime shtesë. Rezulton që edhe në atë ditë z. Veliaj ka qenë në udhëtim jashtë shtetit dhe ata jetojnë vetëm, të tre, bashkë me djalin e tyre të mitur. Imagjino tani, të jesh vetëm me fëmijë, je thirrur më parë dhe ke dhënë dëshmi 9 apo 10 orë për çfarë është dashur për të gjithë jetën tënde dhe ditë të shtunë që ti mendohet se do të pushosh të marrësh prapë një telefonatë nga një oficer i BKH-së, që thotë hajde edhe njëherë, përjetoje edhe njëherë atë situatë. E para, bashkëshorti nuk është. E dyta, fëmija me kë do të rrijë? Natyrshëm që këtë situatë t’ia përcjellësh bashkëshortit që nuk është aty pranë teje, është në udhëtim jashtë shtetit, është shumë larg, i cili krijon një perceptim të tijin për këtë situatë. Dhe në tekstin që unë e kam, por që nuk mund ta vendosim në dispozicion, nuk ka asgjë intimiduese”, tha avokati Beta.

Avokatët e Veliajt: ILD dhe KLP janë në inaktivitet të plotë; nëse nuk kthejnë përgjigje për kryetarin e Bashkisë, po me njerëzit e thjeshtë ç’ndodh?

Avokatët e çështjes Veliaj kanë shprehur hapur indinjatën e tyre lidhur me moskthimin e një përgjigjeje nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të cilat duhet të shprehen për një ankesë drejtuar atyre nga kryebashkiaku Erion Veliaj disa ditë më parë, për përjashtimin nga çështja të prokurorit Ols Dado, i cili është në konflikt të hapur interesi sipas tij.

“Jam i indinjuar nga ILD dhe KLP, sepse janë në inaktivitet të plotë. E para e punës, kërkesave jo vetëm duhet t’u kthesh përgjigje në kohë reale, por je një institucio që paguhesh, ke edhe instrumentat e tua, ke kapacitetin njerëzor, dhe duhet të ushtrosh kontroll. Jo më kur vihesh në dijeni nga një person, i cili është kryetari i Bashkisë. Kur mendohet që ti nuk je vënë në lëvizje nga kryetari i Bashkisë, i cili ndodhet i arrestuar, çfarë do ndodhë me ne të tjerët? Ndaj, nëse drejtësia ka një faturë negative, është edhe përgjegjësia e këtyre institucioneve”, tha avokati Maks Haxhia, në një takim me gazetarët.

"Ne nuk kemi asnjë informacion nga KLP dhe ILD  se çfarë po kryen në lidhje me ankesat e z. Veliaj", tha edhe avokati i Veliajt, Ermir Beta.

Më 11 mars, do të mbahet në Gjykatën e Posaçme të Apelit, seanca për ankimimin e kryebashkiakut Erion Veliaj për masën e sigurisë arrest me burg.