Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, thotë se GJKKO-ja nuk i ka kthyer ende përgjigje kërkesës së avokatëve për rishikimin e rregullores së re, e cila ndalon përdorimin e celularëve gjatë seancave gjyqësore. Haxhia e cilësoi këtë edhe si mungesë respekti institucional, ndërsa bëri të ditur se i ka kërkuar kreut të KLGJ-së një takim urgjent për këtë çështje.
“Me t’u përballur me këtë rregullore, kryetari i Dhomës, së bashku me kryetarin e Dhomës së Tiranës, kemi bërë reagimin e parë në media, duke kundërshtuar rregulloren e re si një akt që bie ndesh jo vetëm me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe me Strasburgun, por bie ndesh edhe me Kodin e Procedurës Penale.
I kemi dërguar letër GJKKO-së, ku i kemi kërkuar rishikimin e rregullores dhe deri më sot, që është data 8, nuk kemi asnjë reagim nga ky institucion. Të paktën të thotë që e morëm kërkesën. Gjë që tregon mungesë respekti institucional dhe na konfirmon në vazhdimësi trajtimin që u bëjnë avokatëve gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
I kam kërkuar kreut të KLGJ-së një takim urgjent për këtë masë dhe më është komunikuar që ky Këshill nuk mblidhet para datës 15. Ne insistojmë që duhet ta bëjmë këtë takim”, tha Haxhia.
Lajmi kryesor:
Rregullorja e GJKKO-së nuk lejon celularët në sallën e gjyqit, mblidhet Dhoma e Avokatisë! Pritet të vendosë për bojkotin e gjyqeve (VIDEO)







