Shoqata e Gazetarëve Evropianë në Shqipëri thotë se rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme është censuruese dhe bie ndesh me standardet europiane që garantojnë lirinë e medias dhe transparencën e proceseve gjyqësore.
Kërkesa ndaj GJKKO është rishikimi i dispozitave dhe konsultimi me palët e interesuara, teksa shoqata thotë se këto shqetësime do t’u përcillen partnerëve europianë.
Sipas AEJ Albania, ndalimi për përdorimin e pajisjeve teknologjike pengon raportimin në kohë reale dhe gazetarët s’mund të trajtohen si rrezik pse përdorin mjetet e punës.
Gjithashtu shpreh shqetësim për sistemin e akreditimit që u kërkon gazetarëve një sërë të dhënash personale dhe firmosjen e deklaratave për të respektuar kufizimet.
Sipas shoqatës, njoftimet zyrtare s’mund të jenë zëvendësuese për raportimin e pavarur në një institucion si GJKKO ku proceset që zhvillohen duhet të jenë më transparente.
“Shoqata e Gazetarëve Evropianë, Dega Shqipëri (AEJ Albania), shpreh shqetësimin për rregulloren e re të GJKKO-së e dhe mënyrën se si ajo kufizon punën e gazetarëve.
Ndalimi i telefonave, laptopëve dhe pajisjeve të tjera elektronike gjatë seancave pengon raportimin në kohë reale, mbajtjen e shënimeve dhe komunikimin me redaksitë. Gazetarët nuk mund të trajtohen si rrezik për procesin gjyqësor vetëm sepse përdorin mjetet e tyre të punës.
Shqetësues është edhe sistemi i ri i akreditimit. Gazetarëve u kërkohen të dhëna personale, vërtetime pune, kartë shtypi dhe dokumente të tjera, ndërsa duhet të firmosin deklarata për respektimin e një sërë kufizimesh. Në rast të shkeljes së tyre, parashikohen masa që shkojnë deri në heqjen e akreditimit dhe ndalimin e aksesit në Gjykatë. Po ashtu, regjistrimi 24 orë përpara dhe rotacioni në sallë rrezikojnë ta kthejnë akreditimin nga një procedurë organizative në një filtër për aksesin e medias në procese me interes të lartë publik.
AEJ Albania thotë se: masat duhet të mos cenojnë lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar. Kufizime të tilla bien ndesh me garancitë kushtetuese për lirinë e shprehjes dhe të informimit, si dhe me standardet evropiane për lirinë e medias dhe transparencën e proceseve gjyqësore. Njoftimet zyrtare të Gjykatës nuk mund të zëvendësojnë raportimin e pavarur të gazetarëve nga seancat. Aq më tepër në GJKKO, ku zhvillohen procese që lidhen me korrupsionin, zyrtarët e lartë dhe krimin e organizuar, transparenca duhet të jetë më e madhe dhe jo më e kufizuar.
AEJ Albania i kërkon GJKKO-së të rishikojë dispozitat që prekin punën e medias dhe të nisë një konsultim real me gazetarët dhe organizatat e tyre. Ne do t’ua përcjellim këto shqetësime partnerëve tanë evropianë dhe institucioneve që monitorojnë lirinë e medias, me bindjen se siguria e Gjykatës dhe liria e raportimit mund dhe duhet të garantohen njëkohësisht”, thotë shoqata.
Lajmi kryesor:
GJKKO censurë mediave, gazetarët refuzojnë akreditimin! Apeli refuzon rregulloren e re, u lejon celularët në gjyqe! OSBE për Report TV: Konsultë me palët e interesuara










