Reporterët pa Kufij e cilëson një kërcënim për të drejtën e informimit rregulloren e re të GJKKO që censuron mediat.

Në një reagim për gazetaren e Report Tv, Raziela Myslimaj, organizata ndërkombëtare u bën thirrje autoriteteve gjyqësore që të ndërhyjnë për të ndryshuar rregulloren. Reporterët pa Kufij shpreh shqetësim dhe zhgënjim për shpërfilljen e GJKKO ndaj reagimeve të gazetarëve për rregulloren e re.

Gjithashtu, organizata thotë se rregullorja e re duhet të mos ndalojë në mënyrë përgjithësuese, por të lejojë marrjen e masave sipas rastit.

“Jemi të shqetësuar dhe të zhgënjyer që Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka zgjedhur të shpërfillë shqetësimet e gazetarëve lidhur me rregulloren e saj të re. Çmimi i kësaj është një kërcënim për të drejtën e qytetarëve për t’u informuar siç duhet mbi procedurat gjyqësore.

I bëjmë thirrje autoriteteve gjyqësore shqiptare të bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të ndryshuar rregulloren e GJKKO-së. Rregullorja nuk duhet të vendosë një ndalim të përgjithshëm dhe duhet të lejojë marrjen e masave proporcionale, rast pas rasti”, shprehet Reporterët pa Kufij.

Dokumenti i hartuar nga Erion Bani, i cili hyri në fuqi më 1 shtator, vendos kufizime dhe ndalime që e pamundësojnë mbulimin mediatik të proceseve gjyqësore në GJKKO. Prania e kamerave bëhet thuajse e pamundur, ndërsa gazetarëve, të cilët duhet të kërkojnë leje për ndjekjen e çdo seance, iu hiqet dhe përdorimi i telefonave celularë, si një mjet pune për transmetimin në kohë reale përmes mesazheve me tekst, të informacioneve nga seancat.

Gjithashtu, rregullorja e re ka futur edhe mekanizmin e akreditimit të gazetarëve ku ata plotësojnë formularë e deklarata që nuk garantojnë nëse do të mund t’i ndjekin seancat, por as të raportojnë lirisht në redaksitë përkatëse për shkak të moslejimit të përdorimit të mjeteve të punës.

Veç kësaj, grupi i komunikimit në WhatsApp ku deri në këtë moment gazetarët njoftoheshin për seancat e zhvillime që lidhen me to, është mbyllur. GJKKO tha se gjithçka tanimë do të publikohet në faqen zyrtare ndërsa në WhatsApp do të hapet një grup i ri vetëm me gazetarët e akredituar.

Deri më tani gazetarë dhe shoqata të tyre brenda e jashtë vendit kanë reaguar vazhdimisht të shqetësuara ndaj rregullores së re, por përgjigjja e GJKKO ka qenë se s’ka ndërmend të bëjë pas.

Ndërkohë, në Apelin e Posaçëm, një ditë më parë gazetarëve u janë lejuar celularët gjatë seancave gjyqësore, duke shfaqur një tjetër qëndrim brenda së njëjtës godinë: transparencën.