TIRANË - Ka reaguar Avokati i Popullit me rastin e Fushatës së 16 Ditëve të Aktivizimit kundër Dhunës ndaj Grave. Pasi ka bërë thirrje për mbrojtjen e të drejtave të grave, si dhe eleminimin e çdo forme dhune ndaj tyre Avokati i Popullit shprehet se "mbështet dhe përkrah të gjitha nismat e ndërrmarra nga qeveria, Kuvendi dhe institucionet e tjera shtetërore".

Por edhe se "do të monitorojë punën e institucioneve shtetërore, të ngarkuara për zbatimin e dispozitave ligjore për përfitimin e ndihmës ekonomike dhe trajtimin nga programet e nxitjes së punësimit të viktimave të dhunës në marrëdhëniet familjare, do monitorjë edhe Policinë e Shtetit, e ngarkuar për zbatimin e urdhrave të mbrojtjes, të nxjerra në favor të viktimave të dhunës, si dhe institucionet rezidenciale të përkujdesit shoqëror për trajtimin e viktimave të dhunës". 

Avokati i Popullit mendon se është e domosdoshme, që qeveria të ndërmarrë inisiativat e duhura kundër këtij fenomeni në mënyrë që të respektojë dhe plotësojë të drejtat themelore të grave, si pjesë e të drejtave të njeriut dhe se do jetë në krah të përpjekjeve të mëdha të shoqërisë civile për sensibilizimin e shoqërisë shqiptare dhe institucioneve shtetërore për situatën e dhunës ndaj grave.
 
AP: SHTOHEN RASTET E URDHRAVE TË MBROJTJES
Në Raportin e Veçantë, të hartuar nga institucioni i Avokatit të Popullit Kundër Dhunës ndaj Grave, janë konstatuar se: ka pasur një zgjerim të numrit të gjykatave që kanë lëshuar urdhra mbrojtjeje dhe urdhra të mënjëhershëm mbrojtje, për viktimat e dhunës në familje. Por për zbatimin e këtyre vendimeve të gjykatave nevojitet që strukturat e përmbarimit të marrin masa në mënyrë të menjëhershme. 

AP: DËMSHPËRBLIMI I GRAVE TË DHUNUARA, I VAKËT
Procesi i dëmshpërblimit të gruas që ka pësuar torturë ose dhunë, ose forma të tjera të keqtrajtimit, në praktikë është i vakët. Padia civile në procesin penal përdoret shumë rrallë. 
ende nuk janë ngritur në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore (qarqe dhe bashki), sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi, mekanizmat e referimit të rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare. Ne vlerësojmë se mungesa e tyre ndikon drejpërdrejt në referimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje në organet e drejtësisë, apo edhe në autoritetet shtetërorë përgjegjëse, duke shmangur në këtë mënyrë edhe pasoja të cilat mund t’i kushtojnë jetën grave apo vajzave të një familje, ndaj Avokati i Popullit kërkon zbatimin e ligjit për ngritjen dhe funskionimin e këtyre mekanizmave.

AP: BESIM TE FRYMA E RE E BASHKËPUNIMIT ME KUVENDIN
Së fundi, Avokati i Popullit shpreh bindjen se Raporti ynë do të diskutohet në Kuvendin  e ri dhe kjo falë frymës së re të bashkëpunimit me Kuvendin.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)