Avokati i Popullit kërkon mbylljen e 5 burgjeve në vend, duke i konsideruar kushtet në to si cenuese të dinjitetit njerëzor. Në raportin vjetor për vitin 2025 evidentohet se në disa institucione penitenciare, trajtimi i të burgosurve afrohet me standardin e trajtimit degradues, për shkak të ambienteve të amortizuara, mungesës së ajrimit, lagështirës, mbipopullimit dhe mungesës së shërbimeve shëndetësore. Gjetjet bazohen në inspektime në 18 burgje gjatë vitit 2025 dhe në 115 raste ankesash të trajtuara nga institucioni.

Sipas raportit, institucionet që duhet të mbyllen janë Burgu i Burrelit, Kosovë Lushnjë, Kukës, “Mine Peza” dhe godina A e Burgut “Jordan Misja” 313. Avokati i Popullit thekson se “në këto institucione janë konstatuar ambiente të amortizuara, mungesë hapësirash, lagështirë, ajrim dhe ndriçim i pamjaftueshëm, kushte higjieno-sanitare të papërshtatshme dhe vështirësi në ofrimin e shërbimeve shëndetësore e rehabilituese. Këto kushte rrezikojnë të cenojnë dinjitetin dhe integritetin fizik e psikologjik të personave të privuar nga liria, si dhe të bien ndesh me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për trajtimin human të tyre.”

“Kur shteti i mban të dënuarit në kushte degraduese, nuk po i ndëshkon, por po i poshtëron. Mbyllja e këtyre pesë institucioneve është detyrim kushtetues,”-tha Avokati i Popullit, Endrit Shabani.

Raporti ngre shqetësim edhe për përdorimin e lartë të masës “arrest në burg”, që ka çuar në mbipopullim të disa institucioneve penitenciare. Aktualisht, në sistemin penitenciar shqiptar ndodhen 5 mijë e 29 persona të privuar nga liria, ku 2 mijë e 858 prej tyre janë të paraburgosur. Kjo do të thotë se rreth 57% e popullsisë në burgje mbahet në paraburgim.

Avokati i Popullit thekson se Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të paraburgosurve në Europë, ndërsa të paraburgosurit kalojnë mesatarisht 253 ditë, ose më shumë se 8 muaj, në qeli pa një vendim përfundimtar.

“Progres Raporti për Shqipërinë nga Komisioni Evropian 2025 thekson se mbingarkesa mbetet sfidë në sistemin penitenciar dhe në qendrat e ndalimit, ndërsa kujdesi shëndetësor i dobët në IEVP dhe mungesa e stafit vijojnë të jenë shqetësime serioze”, evidenton raporti.

Situata më problematike e mbipopullimit evidentohet në burgun e Lezhës, ku numri i të burgosurve tejkalon kapacitetin me 181 persona, ose 65% mbi kapacitetin e planifikuar. Probleme mbipopullimi raportohen edhe në burgun “Jordan Misja”, Vlorë dhe Fushë-Krujë.

Burgjet e mbipopulluara
Burgu i Lezhës: +65% (181 persona mbi kapacitet)
Burgu “Jordan Misja”: +11% (55 persona)
Burgu Vlorë: +10% (16 persona)
Burgu Fushë-Krujë: +2,4% (9 persona)

Raporti evidenton se në shumicën e institucioneve, të dënuarit dhe të paraburgosurit i mbajnë rrobat dhe sendet personale në qese plastike, sepse nuk ka dollapë. Mjeku është prezent vetëm katër orë në ditë. Spitalet rajonale shpesh refuzojnë trajtimin e të burgosurve për “arsye sigurie”. Për personat me probleme të shëndetit mendor nuk ekziston asnjë institucion i specializuar mjekësor, megjithëse ata aktualisht mbahen në IEVP-në e Shën Kollit.

Kushtet që cenojnë dinjitetin sipas gjetjeve të Avokatit të Popullit
•Ambiente të amortizuara, pa ajrim, ndriçim apo ngrohje të mjaftueshme
•Të burgosur që mbajnë sendet personale në qese plastike sepse nuk ka dollapë
•Mungesë e produkteve bazë të higjienës dhe detergjentëve për pastrimin e qelive
•Sisteme ngrohjeje e ftohjeje jofunksionale, sidomos në mot ekstrem
•Mungesë larmishmërie dhe sasie të pamjaftueshme në ushqim
•Mundësi të kufizuara për aktivitete social-kulturore dhe rehabilitim

Avokati i Popullit i kërkon Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë:

1. Rishqyrtim të politikës së paraburgimit. 56,8% të padënuar është një shifër e papranueshme në një shtet që pretendon respektimin e prezumimit të pafajësisë.

2. Plan të menjëhershëm për kujdesin shëndetësor në burgje, përfshirë ngritjen e një institucioni të specializuar mjekësor për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor.

3. Mbyllje të pesë IEVP-ve të identifikuara deri në rikonstruktimin e plotë të tyre, dhe një rivlerësim kombëtar të kapaciteteve të sistemit penitenciar.