Zvarritja e proceseve gjyqësore, situata me paraburgimet dhe kushtet në burgje dhe shkelja e së drejtës së pronës janë shqetësimet më kryesore për të cilat shqiptarët i janë drejtuar Avokatit të Popullit gjatë 2025-s.
Në raportin e dorëzuar në Kuvend, që Avokati i Popullit Endri Shabani, e cilëson si pasqyrë e shtetit shqiptar në sytë e qytetarëve, thuhet se cenimi i të drejtave në Shqipëri vijon të lidhet ngushtë me cilësinë e administrimit publik, funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe ofrimin e shërbimeve bazë për qytetarët.
“Sipas fushës së të drejtës, numri më i lartë i rasteve u përqendrua në cilësinë dhe barazinë e shërbimeve publike (256 raste), procesin e rregullt ligjor (242 raste), të drejtën e pronës (181 raste), të drejtat e fëmijëve (251 raste), të drejtën për arsim (136 raste), mbrojtjen sociale dhe ndihmën ekonomike (121 raste)”, thuhet në raport.
Sa i përket shkeljes së të drejtës së një procesi të rregullt ligjor gjatë vitit 2025, nga Avokati i Popullit u trajtuan 83 ankesa ndaj prokurorisë dhe 143 ankesa dhe raste që lidhen me gjykatat.
Gjendja strukturore e sistemit gjyqësor, që operon me rreth 66% të numrit të gjyqtarëve të parashikuar, kufizon garantimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, thekson raporti.
“Krijohet një zinxhir vonesash që zgjat procedurat përtej afateve të arsyeshme dhe dobëson efektivitetin real të vendimmarrjeve gjyqësore për qytetarët, duke cenuar të drejtën e tyre për një proces të rregullt ligjor dhe për një mjet efektiv juridik”, thuhet në raport.
Sa i përket burgjeve, Avokati i Popullit i raporton deputetëve se hasen problematika në çdo fazë të trajtimit të kufizimit të lirisë, duke nisur nga ndërhyrja policore, te paraburgimi dhe deri te vuajtja e dënimit.
“Përdorimi i gjerë i paraburgimit (56.8% e popullsisë penitenciare) 27.8% më shumë se mesatarja e Bashkimit Evropian, tregon përdorim të kufizuar të masave alternative të sigurimit personal, duke ushtruar presion të drejtpërdrejtë mbi kapacitetet ekzistuese të IEVP-ve dhe duke kontribuar në mbipopullim, përkeqësim të kushteve të jetesës dhe dobësim të funksionit rehabilitues të sistemit penitenciar”, thuhet në raport.
Një tjetër shqetësim është edhe ekzekutimi shumë i ulët i vendimeve të gjykatave, kur kanë të bëjnë me ekzekutimin e titujve ekzekutivë, përfshirë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Avokati i Popullit trajtoi 16 ankesa për mosekzekutim të titujve ekzekutivë dhe 2 ankesa për mosekzekutim të vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në shumë raste, institucionet publike vonojnë ose shmangin zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga vendimet gjyqësore, ndërsa mungesa e mekanizmave efektive për detyrimin e ekzekutimit dhe e sanksioneve për moszbatim e përforcon këtë situatë”, citohet në raportin e dorëzuar në Kuvend.
Avokati i Popullit thotë se problematikat janë sistematike dhe se ndërhyrjet korrigjuese të tij prodhojnë rezultate kryesisht në raste individuale, por nuk përkthehen në mënyrë të qëndrueshme në ndryshim të praktikave administrative, duke bërë që shkeljet të përsëriten.
“Një nga treguesit më domethënës të vitit 2025 mbetet niveli i përgjithshëm i zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit, në masën rreth 21%. Ky tregues nuk pasqyron thjesht një nivel të pamjaftueshëm të ndjekjes së rekomandimeve, por evidenton në praktikë disa problematika strukturore në mekanizmat e llogaridhënies dhe kontrollit administrativ”, shprehet Avokati i Popullit në raport.
Në mesazhin që shoqëron raporton Avokati i Popullit Shabani u bën thirrje ligjvënësve që e rëndësishme është të mos u bëhet makijazh problemeve, por të ndryshuar rrënjësisht imazhi i shtetit.

Kliko këtu për të lexuar raportin e plotë
Komente












Cfare mostre ky endri , dergon nje raport per periudhen kur kan punu te tjere , se per vete e ka kenaq . Me aq sa kam njohuri per kete idiot funksional ky nuk e kupton qe av popullit eshte institucion per mbrojtje qytetaresh dhe jo ndonje drejtori per qoka familjare se per elektorat njerezit e kan kuptu qe ja kan dhene voten kot . Me mire dy parti se keta mostra( fytyra reale e partive te vogla )
Përgjigju