Në vazhdën e vizitës së tij në Kosovë, Avokati i Popullit, Endrit Shabani takoi të martën Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Nexhmi Rexhepi.
Në qendër të diskutimeve mes dy palëve, ishte rëndësia e kontrollit kushtetues dhe zbatimi i standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.
Në fjalën e tij, Shabani vuri theksin tek rëndësia e bashkëveprimit mes institucioneve të të drejtave të njeriut dhe atyre të drejtësisë kushtetuese, si garancia e fundit për mbrojtjen e shtetit të së drejtës.
Veç të tjerash, ai vlerësoi rolin e rëndësishëm të Gjykatës Kushtetuese në ruajtjen e balancave kushtetuese në Kosovë.
"Vendimmarrjet e gjykatës për mbrojtjen e ekuilibrit mes pushteteve kanë treguar një standard të lartë pavarësie, duke shërbyer si një model pozitiv për të gjithë rajonin" tha Shabani.
Ky takim, sipas tij, rikonfirmon angazhimin institucionit që ai udhëheq, për të thelluar bashkëpunimin me synim mbrojtjen e të drejtave të njeriut edhe në çështjet ndërkufitare të cilat përfshijnë institucionet e të dyja shteteve
Komente









