Rudy Giuliani, avokati personal i Presidentit në detyrë Donald Trump, ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Trump përmes një postimi në faqen e tij në Twitter.

"RudyGiuliani, deri tani kryebashkiaku më i madh në historinë e New York, i cili ka punuar pa u lodhur duke ekspozuar zgjedhjet më të korruptuara (deri tani!) në historinë e SHBA-ve, ka rezultuar pozitiv me virusin e Kinës. Shpresoj të shëroheni sa më shpejtë Rudy, ne do të vijojmë rrugën tonë më tej!" - shkruan Trump në Twitter.

Ish-kryebashkiaku i New York ka qenë në krye të përpjekjeve të ashpra të Trump për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e 3 nëntorit ndaj Presidentit të zgjedhur Demokrat Joe Biden përmes një sërë gjyqesh.

Kjo punë e ka çuar Giuliani në shtete të ndryshme të SHBA-së si Michigan dhe Arizona, ku ai u ka bërë thirrje ligjvënësve shtetërorë të ndalojnë çertifikimin e fitores së Biden.