I ftuar në emisionin Top Story në Top Channel, avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca u shpreh se mbledhja e Kolegjeve të Bashkuara për të adresuar numrin e lartë të të paraburgosurve në vend është një veprim i vonuar dhe duhej të ishte bërë më herët. Ai tha se raporti i të burgosurve dhe paraburgosurve në Shqipëri është përmbysur totalisht dhe kjo vjen sepse organi i akuzës dhe gjykatat kanë një qasje agresive për të burgosur sa më shumë persona.
“Mbledhja e sotme është një veprim jashtëzakonisht shumë i vonuar sepse është përmbysur totalisht raporti i të burgosurve dhe të paraburgosurve. Në çdo vend europian të paraburgosurit kapin shifrën e 20% në rastin më të keq, kurse ne kemi shkuar në shifrën mbi 55%. Kjo tregon se ka një tentativë agresive nga organi i akuzës, por edhe nga gjykatat, për të paraburgosur sa më shumë persona, të cilët thjesht fakti që i paraburgos i cenon edhe një herë një parim tjetër që është prezumimi i pafajësisë”, tha Ndreca.
Ai nënvizoi se në vendet e BE-së përgjithësisht afatet e paraburgimit shkojnë deri në 3-4 muaj. “Pra, në çdo standard europian, në vendet e BE përgjithësisht është përcaktuar se një afat paraburgimi zgjat 3-4 muaj. Në rastin e Shqipërisë ka ndodhur kjo që, përgjithësisht kush paraburgoset ti i ke sugjeruar publikut, edhe gjykatës, por edhe palëve, që ai është një fajtor”, tha Ndreca.
Komente










