Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka fituar gjyqin për shpifje kundrejt italianit Gabriele Tarroni Longinotti, të cilin e paditi në vitin 2023 pas një interviste të dhënë në emisionin “Piranjat” në Syri Tv. Dy vite pas kallëzimit, gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Sonjela Voskopi ka dalë në përfundimin se të gjitha pretendimet e italianit Gabriele Tarroni Longinotti ndaj Veliajt janë të pavërteta.
Gabriele Tarroni Longinotti u shfaq në një intervistë në televizionin e familjes Berisha vetëm pak ditë para zgjedhjeve vendore të 2023-shit, ku pretendonte se Veliaj, kishte marrë pjesë në blerjen e një inceneratori të dështuar, pajisje që kompania “Bruno Presezzi” SPA kishte marrë nga Rumania për skrap, pasi më parë s’e kishte shitur dot as në Zimbabve. “Piranjat” raportuan se Longinotti ishte takuar disa herë me Veliajn, herë në Itali, në zyrat e “Bruno Presezzi” SPA, herë në Tiranë, në “Cioccolati Italiani” dhe restorantin “Tribe”.
Por, ishte vetë italiani Longinotti që përmes një deklarate noteriale të firmosur në shtator 2025, pasi u kallëzua për shpifje, hodhi poshtë çdo akuzë që kishte artikuluar ndaj Veliajt. “Gjithçka ishte shpifje për para”, deklaroi Longinotti, duke pranuar se nuk është takuar kurrë me Veliajn as personalisht dhe as në prani të personave të tjerë.
“Të gjitha deklaratat që kam dhënë për zotin Erion Veliaj, në intervistat e mia për programin “Piranjat”, si dhe ato që kam lënë të kuptohet, janë të pavërteta dhe janë bërë prej meje në këmbim të premtimeve nga ana e këtyre mediave televizive dhe personave të afërt me to për përfitime financiare”, thuhej në deklaratën noteriale të nënshkruar në Modena para noteres Rosa Chiarini.
Mbrojtja e Veliajt informon se pasi Longinotti pranoi shpifjen dhe kërkoi ndjesë, nuk kanë kërkuar dënim të mëtejshëm, duke u mjaftuar me zbardhjen e të vërtetës.
“Qëllimi i klientit tonë është e vërteta, jo dënimi i njerëzve të përdorur për luftë politike. Ky qëllim u arrit me pranimin e fajit nga i akuzuari për shpifje”, thotë mbrojtja e Veliajt.
Ndërkohë, mbrojtja e Veliajt bën me dije se procesi gjyqësor është ndarë për palët, çka do të thotë se ky vendim i përket vetëm shtetasit italian Gabriele Tarroni Longinotti. Ndërsa për personat e tjerë të kallëzuar nga kryebashkiaku, konkretisht gazetarin Bledian Koka dhe producentin e emisionit “Piranjat”, Vojo Bregu, procesi penal për shpifje vijon ende dhe nuk ka përfunduar.
Pas dëshmisë së rremë të Gabriele Tarroni Longinotti të transmetuar në emisionin “Piranjat” nisën edhe protestat 2-vjeçare para Bashkisë së Tiranës, ndërsa vetë Veliaj më herët e ka konsideruar një kurth të ngritur ndaj tij, që pasoi jo vetëm protestat para Bashkisë, por edhe kallëzimi nga anonimi “Nesti Angoni”, vettingu 20-vjeçar ndaj tij, siç ai e cilëson, e deri tek kërcënimi i dëshmitarëve, persekutimi i familjes dhe izolimi në qeli.



Deklarata noteriale e nënshkruar nga Gabriele Tarroni Longinotti në shtator 2025, ku pranon se shpifi për Veliajn
Komente










