TIRANË - Ndërsa Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg ndaj avokatit Bashkim Hoxha, ky i fundit ka kërkuar ndjesë publike ndaj kryeministrit para trupit gjykues, duke deponuar se sms-të i ka dërguar në gjendje të dehur. Vetë Bashkim Hoxha ka pranuar se ka komunikuar me kryeministrin, por para hetuesve ka deklaruar se nuk ka patur qëllim kërcënimin por t'i bënte komplimente. 

Ka qenë gjykatësi Kastriot Gramshi i cili vendosi këtë masë sigurie në një seancë me dyer të mbyllura pa praninë e mediave.

Hoxha u prangos në flagrancë ndërsa policia sekuestroi në cilësinë e provave material celularin e avokatit nga i cili në drejtim të numrit të kryeministrit janë dërguar 12 sms me përmbajtje kërcënuese dhe fyese.
 
A1Report ka mundur të mësojë së ndaj Hoxhës procedimi penal ka nisur kryesisht ndërsa ai është nën akuzë për dy vepra. Kërcënimit dhe keqpërdorimit me dashje të thirrjeve telefonike.

Bashkim Hoxha i cili prej kohësh është shkëputur nga profesioni i avokatit sipas të dhënave të policisë rezulton të jetë me precentë penale, pasi ndaj tij gjykata ka dhënë dhe një dënim për dhunën e ushtruar ndaj ish bashkëshortes së tij.

Aktualisht në polici ndaj Hoxhës janë regjistruar dhe disa kallëzime për mashtrim, pasi ky I fundit teksa prezantohej si avokat merrte para nga persona të ndryshëm me premtimin se do i përfaqësonte në gjykatë e më pas fshihej.

 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)