Të shtunën e 28 marsit kryeministri Edi Rama do të mbledhë në Pallati i Kongreseve grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Takimi do të nisë në orën 11:00 dhe sipas axhendës së hartuar, mbledhja do të nisë me fjalën e kreut të grupit parlamentar Taulant Balla.

Edhe vetë kryeministri Rama do t’i drejtohet anëtarëve të grupit ndërsa axhenda parashikon dhe raportime nga Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, institucion që drejtohet nga Lorena Goxhobelli dhe raportim nga Bashkëkryetari i Reformës Territoriale Arbjan Mazniku.

Për pyetjet dhe diskutimet e sipërshënuara, është caktuar një kohë prej 2 minutash për çdo folës.

Një sesion i këtij takimi i takon dhe prezantimit të Strategjisë së Komunikimit nga ministrja e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin Erjona Ismaili.

Takimi do të finalizohet me fjalën e kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Taulant Balla.

Në dy ditët e fundit, kryeministri Rama ka hvilluar takime me ministra në Vilën 30. Ditën e djeshme ai zhvilloi mbledhje me ministrin e Drejtësisë Besfort Lamallari, 3 zv.ministrat Xhemal Qefalia, Silva Caka e Anisa Ruseti dhe drejtori i komanduar i Policisë së Shtetit Sokol Bizhga. Mbledhja trajtoi prioritetet e çdo sektori.

Ndërkohë sot Rama është takuar me zv/kryeministren Albana Koçiu, ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendos Ervin Demo dhe ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Erjona Ismaili.