Me miratimin e ligjit për referendumet, qytetarët shqiptarë për herë të parë do të kenë të drejtën e vendimmarrjes së drejtpërdrejtë për çështje, projektligje apo marrëveshje që ndikojnë në organizimin e shoqërisë. Por çfarë konkretisht parashikon drafti i hartuar nga socialistët?

Ashtu siç Kushtetuta parashikon, të paktën 28 deputetë, qeveria ose 50 mijë zgjedhës kanë të drejtën të kërkojnë mbajtjen e një referendumi. Shumica prej 2/3 e deputetëve, ose 94, kërkohet vetëm për referendumet që lidhen me një projekt-amendament të Kushtetutës.

Drafti parashikon 3 lloje referendumesh: Referendum Kushtetues, të përgjithshëm dhe vendor.

Referendumet e përgjithshme, që i drejtohen votuesve në të gjithë vendin, përfshihen ato për shfuqizimin e një ligji, ratifikimin e një ligji të rëndësisë së veçantë si dhe referendum për çështje të caktuara të rëndësisë së veçantë. Dy ta parat janë vendimmarrëse, ndërsa në referendumet konsultative, të cilat mund të trajtojnë çështje me interes kombëtar apo lokal, merret vetëm opinioni i popullit i cili nuk është detyrues për institucionet.

Ndryshimet kushtetuese që do t’i nënshtrohen referendumit popullor, miratohen vetëm nëse marrin pjesë në votim më shumë se gjysma e qytetarëve me të drejtë vote dhe i thonë “po” shumica e atyre që votojnë.

Referendumet këshillimore konsiderohen të vlefshëm në rast se marrin pjesë 30% e zgjedhësve të regjistruar, ndërsa një ligj mund të shfuqizohet nëse në referendum marrin pjesë 40% e zgjedhësve dhe votat e vlefshme duhet të jenë sa 30% e numrit total të zgjedhësve të regjistruar.

KQZ është institucioni që organizon dhe administron referendumin kombëtar apo vendor, ndërsa data për mbajtjen e tij, njësoj si e drejta për ta shtyrë apo anuluar vendoset nga presidenti i vendit.

Në çdo rast është Gjykata Kushtetuese ajo që verifikon kushtetueshmërinë e referendumit Kombëtar të propozuar, duke mos hyrë në analizë të rëndësisë së çështjes. Çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë nuk mund të shtrohen në asnjë referendum.

Ky është vetëm një draft. Varianti zyrtar i socialistëve do të depozitohet në kuvend vetëm pasi të ketë përfunduar procesi i konsultimit publik me të gjithë aktorët. 84 votat e nevojshme për miratimin e këtij ligji socialistët i sigurojnë lehtësisht me 83 mandatet e tyre dhe votat e partisë aleate të Tom Doshit.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë