Është njeriu që ka përjetuar të gjitha sistemet dhe me siguri një nga më jetëgjatët në vend. Bëhet fjalë për profesor Ismet Elezin, i cilësuar si babai i kriminologjisë shqiptare, i cili këto ditë ka shënuar 106-vjetorin e lindjes. Një nga figurat më të shquara të jurisprudencës shqiptare dhe veteran i Luftës së Dytë Botërore, këtë të mërkurë, ai u nderua me një titull të lartë mirënjohjeje.

I njohur si një prej themeluesve të mendimit penal shqiptar dhe kontribuues në hartimin e legjislacionit, Elezi mbetet një simbol i dijes, drejtësisë dhe përkushtimit ndaj shtetit. Në një ceremoni të organizuar me pjesëmarrjen e personaliteteve të njohura të jetës publike, akademike dhe politike, miq, kolegë dhe familjarë u mblodhën për të vlerësuar jetën dhe veprën e profesorit. Për shkak të gjendjes shëndetësore, ai nuk ishte i pranishëm, por ceremonia u kthye në një homazh të veçantë për kontributin e tij shumëdekadësh në arsim, shkencë dhe shtetformim.

Momenti kulmor i aktivitetit ishte akordimi i titullit “Nderi i Organizatës së Veteranëve”, një vlerësim për rolin e tij si luftëtar antifashist dhe si figurë madhore e shkencës juridike shqiptare. Dekorata iu dorëzua familjarëve, duke simbolizuar mirënjohjen institucionale për një jetë të tërë në shërbim të vendit.

“Të nderuar të pranishëm… kam nderin e veçantë të jem sot përpara jush për të përfaqësuar gjyshin tim dhe për të pranuar në emër të tij këtë vlerësim të lartë. Pamundësia e tij për të qenë fizikisht këtu nuk e zbeh këtë moment… ai është sot me ne në mendje dhe në shpirt. Ky vlerësim nuk është vetëm për të, por për një brez të tërë që kontribuoi për ndërtimin e shtetit shqiptar. Ju faleminderit.”, tha mbesa e tij, Ela Elezi.

Me mbi tetë dekada aktivitet dhe mijëra faqe studimore, profesor Ismet Elezi konsiderohet një nga arkitektët e shkollës shqiptare të së drejtës. Në 106-vjetorin e tij, ai vijon të mbetet një figurë frymëzuese me një jetë të jetuar mes dijes, integritetit dhe shërbimit ndaj shoqërisë.