Babai i Mehmet Shehut, fanatik
mysliman, kundër Shqipërisë

Babai i Mehmet Shehut, fanatik<br />mysliman, kundër Shqipërisë
TIRANE - Sa herë afron muaji shtator, kur krerët e shteteve mblidhen në pallatin e qelqët të OKB-së në New York, diaspora e Amerikës çon ndërmend edhe përleshjen mes shqiptarëve dhe grekëve. Për historinë e vizitës të ish kryeministrit komunist Mehmet Shehu në Nju Jork janë shkruar libra dhe janë botuar shkrime nëpër gazeta, janë sjellë përkthime nga gazetat amerikane, por pak ose aspak janë shfrytëzuar burimet e shtypit të diasporës të atyre viteve dhe nuk është bërë ndonjë investigim për qëndrimin real të nacionalistëve shqiptarë ndaj qeverisë komuniste, përveç përleshjes mes shqiptarëve dhe grekëve. Nuk është folur as për Asamblenë e Kombeve të Robëruara të Evropës, që i hapi punimet me 20 shtator dhe që ishte shkaku  përleshjes.

Nga një investigim kohëgjatë kam gjetur detaje të patreguara më parë. Ngjarja është përcjellë nga shtypi i diasporës: Gazeta Liria e Bostonit,organ pro regjimit komunist të Tiranës, që i thuri lavde, dorës së djathtë të Enver Hoxhës, “të fortit”  të qeverisë komuniste shqiptare, është ndjekur  nga gazeta “Shqiptari i Lirë” organ i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, Gazeta e Legalitetit “Atdheu”,Gazeta e Ballit Kombëtar “Flamuri” dhe më hollësisht nga gazeta e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, “Dielli”. Në fakt është gazeta Dielli që ka shkruar më shumë për vizitën e kryeministrit shqiptar, para, gjatë dhe pas vizitës, deri në kthimin e palavdishëm të tij, tepër të vetmuar, i pa përcjellë nga suita e vendeve satelite të kampit të çarë socialist. Dukej se para “Dimrit të Vetmisë së madhe” të vitit 1961, Shqipëria Komuniste kishte pasur edhe një Vjeshtë të Vetmuar më 1960. Po ashtu kam siguruar Revistën LIFE që përshkruan ngjarjen me fotografinë e shqiptarit të gjakosur dhe shqiptarëve të tjerë, të egërsuar para policisë. Po ashtu kam gjetur në origjinal deklaratën e Vasil Gërmenjit dhënë BBC dhe Televizionit NBS.
 
REZOLUTA E VATRËS QË “TËRBOI” TIRANËN
 
Në prag të vizitës të Mehmet Shehut,Tirana ishte shqetësuar shumë nga një Rezolutë e Vatrës, që kërkonte publikisht mosndërhyrjen e qeverisë komuniste në punët e brendshme të Federatës. Përveç gazetës Dielli, që e trajton përmbajtjen e kësaj rezolute, edhe gazetat e tjera të nacionalizmit e kanë “duartrokitë” Vatrën që i vuri kufij komunistëve, të cilët i paralajmëronte se Tirana nuk mund të bënte me Vatrën dhe Diellin atë që bënte me Organizatën shërbëtore Shqipëria e Lirë me Kryetar dr. John Nasse apo me gazetën “Liria” që drejtohej nga Dhimitër Trebicka. Gazeta e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, ”Shqiptari i Lirë” e ka komentuar këtë rezolutë në numrin e vet të përmuajshëm të 31 Dhjetorit 1960 me titullin ”Rezoluta e Vatrës”. Shqiptari i Lirë shkruante: “Vatra dhe Dielli janë një halë në sy për regjimin komunist të Tiranës. Arsyeja është se ai regjim, i cili e ka skllavëruar popullin shqiptar, nuk duron dot të shohë organizata të pavarura dhe shqiptarë të lirë në mërgim. Regjimi i Tiranës kërkon vetëm skllevër të vullnetshëm dhe shërbëtorë të paskrupullt. Ai regjim bëri qysh prej një kohe të gjatë një fushatë të tërbuar, si kundër disa udhëheqësve të Vatrës, ashtu edhe kundër Editorit të Diellit. Radio Tirana kishte bërë thirrje të përditshme drejtuar vatranëve për të spastruar Vatrën nga armiqtë.

Po cila ishte rezoluta e Vatrës që e kishte tërbuar Tiranën? Rezoluta ishte  miratuar në Kuvendin e 3 shtatorit? Ja shkurtazi pikat e saj:
1- Vatra dënonte ndërhyrjen e regjimit komunist të Shqipërisë në punët e brendshme të Vatrës, anëtarët e së cilës ishin qytetarë amerikanë.
2- Dënonte propagandën që zhvillonte regjimi komunist i Shqipërisë kundër Amerikës, të cilën Tirana e quante imperialiste dhe armike të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, duke mohuar përkrahjen  dhe ndihmat që Amerika i kishte dhënë Shqipërisë.
3- Vatra shprehte mirënjohjen ndaj Qeverisë dhe popullit amerikan që u kishin  dhënë mundësi shqiptarëve, që të zhvillonin për më shumë se 50 vjet veprimtari të gjerë në këtë vend, në të mirën e Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
4- Vatra përkrahte politikën e Amerikës në dobi të lirisë së popujve duke kundërshtuar të gjithë regjimet diktatoriale.
5-Hidhte poshtë me përbuzje sulmet e Radio- Tiranës kundër zyrtarëve të saj.
6-Kuvendi shprehte solidaritetin e plotë me zyrtarët e Vatrës dhe Editorin.
 
RADIO-TIRANA: ”LARG DUART NGA “VATRA”, TRADHTARËT E MËMËDHEUT!”
 
Gazeta Dielli njoftonte në numrin e saj të 21 shtatorit 1960 se Mehmet Shehu kishte mbërritur në Nju Jork. Po ashtu gazeta njoftonte edhe për sulmet e vazhdueshme që kishte ndërmarrë shtypi dhe Radio- Tirana kundër “Vatrës”, duke kërkuar largimin e zyrtarëve dhe të editorit të Diellit pasi i konsideronte ata armiq të Mëmëdheut. I gjithë muaji i Gushtit 1960 kishte qenë muaj sulmi i propagandës së Tiranës kundër Vatrës. Po ashtu shtatori. Në krye ishte vënë Radio Tirana që u qante hallin vatranëve që udhëhiqeshin nga armiqtë. Në emisionet e saj që kishin mbërritur edhe tek shqiptarët e Amerikës dhe ishin zbardhë nga gazeta Dielli dhe Shqiptari i Lirë, cilësoheshin armiq: Peter Chikos, Anthony Athanas, Miko Kokalari, dhe të tjerë. Zyrtarët e Vatrës kritikoheshin ashpër, sepse sipas propagandës së Tiranës kishin pranuar në radhët e shoqatës” kriminelë të luftës”.

Në sulmet e Tiranës veçohej editori Qerim Panariti që bënte propagandë imperialiste në faqet e Diellit! Për vite me radhë shkruhej në artikujt e shtypit të Tiranës dhe transmetonte Radio-Tirana, editori i Diellit po e përdorte gazetën për qëllime antishqiptare. Panariti u kthente përgjigje se kurrë nuk ishte shkruar kundër interesave Kombëtare në Dielli, përkundrazi “Vatra” dhe “Dielli” mbronin interesat Kombëtare. Ne, shkruan Panariti, kemi kritikuar ashpër në shumë raste regjimin komunist të Tiranës  dhe do të vazhdojmë ta kritikojmë edhe në të ardhmen sepse  punon kundër interesave tona kombëtare. Gazeta “Dielli”, shkruante Panariti në kundërpërgjigje, ka më shumë se 51 vjet që ka luftuar tiraninë turke, barbarizmat greke dhe serbe, okupatorin italianë dhe gjermanë dhe po lufton okupatorin rus. Në qoftë se është tradhti të mbrosh një popull që s’është në pozitë të mbrojë dot veten, atëherë e pranojmë me gusto akuzën që na bëhet.

Më pas, “Dielli” pyeste se ku e kishte gjetur të drejtën Tirana që të ndërhynte dhe të tentonte të rregullonte sipas midesë së saj aktivitetet e organizatave që veprojnë në Amerikë? A e kupton Radio Tirana se kjo është ndërhyrje në punë e Amerikës, ku vepron Vatra?

Radio Tirana i akuzonte vatranët se ishin njerëz me 100 flamurë, ndërsa Vatra përgjigjej:”Shqiptarët e Amerikës dhe  veçanërisht vatranët adhurojnë dy flamurë, Flamurin e SHBA me 50 yje dhe Flamurin e Skënderbeut, pa asnjë yll…Në qoftë se Tirana ka shpresë të fitojë zemrat e bijëve dhe bijave të racës shqiptare në Amerikë me anë të komunizmës, Radio-Tirana i bie erës me kopan”.
 
VATRA-MEHMET SHEHUT: U SHKOLLUAT ME DJERSËN E AMERIKANËVE
 
Me rastin e vizitës të Mehmet Shehut në New York, “Vatra” botonte një Letër të Hapur drejtuar kryeministrit, që i printe delegacionit shqiptar. Letra u botua para se të merrte fjalën në OKB Mehmet Shehu. Në të ruhej etika dhe nuk kishte fyerje e sharje. Letra e këshillonte numrin dy të Qeverisë Komuniste se duke qenë se ishte i pari kryeministër shqiptar që kishte fatin të vizitonte Amerikën, Shtetin që shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi pas Luftës së Parë Botërore, do të ishte mirë që çdo fjalë që do të flisni në Forumin e hapur të Kombeve të Bashkuara, ta peshoni mirë , jo me balancën e stalinizmit, por të balancës së fisnikërisë tradicionale të popullit shqiptar, i cili nuk e harron kurrë të mirën.

Vatra i kujtonte Mehmet Shehut se ”Ju ishit djalë motak kur u proklamua Indipendenca e Shqipërisë më 1913, pra nuk kishte pasë rast të dëshmonit kohën tragjike dhe anarkike, që vatranët e hershëm e patën jetuar. Ju s’ishit në pozitë, si një foshnjë 2-vjeçar, që të dëshmonit aktivitetet e Atit tuaj, Sheh Ismaili, i cili si një klerik fanatik musliman, mori armët kundër Shqipërisë më 1914, duke kërkuar që Shqipëria të bëhej pjesë e Perandorisë së rrënuar të Turqisë. S’është çudi i nderuar Kryeministër se ky kujtim i errët i babait tuaj, mund t’ju jetë rrënjosur aq shumë në ndërgjegjen tuaj, sa të urreni çdo fetar që nuk pajtohet me stalinizmin tuaj.”

Vatra i kujtonte Mehmet Shehut se në vitin 1932, ai kishte mbaruar shkollën ”The American Vocational and Technichal School” të Tiranës, një shkollë e mbajtur me djersën e amerikanëve për të arsimuar atë dhe shumë të tjerë, si ai.

Vatra pyet Kryeministrin: - A besoni që Amerika e hapi shkollën teknike të Tiranës, prej së cilës përfituat ju dhe shokët tuaj, me qëllime imperialiste? Nëse besoni kështu, na vjen keq t’ju themi që stalinizmi ju ka farmakosur mendjen dhe ndjenjat tuja njerëzore.

Një kujtesë tjetër e Vatrës:- Fakti është z. Kryeministër që më 1919 nga shumica e krerëve shqiptarë të asaj kohe,duke ndjerë rrezikun e tërësisë tokësore të Shqipërisë, iu lutën Amerikës të merrte Shqipërinë si një protektorat për një kohë të caktuar. Amerika e refuzoi.

Po ashtu ju z. kryeministër, e dini fort mirë se më 1946, kur u formulua Traktati i Paqes me Italinë, delegacioni i Amerikës, nguli këmbë që Sazani t’i mbetej Shqipërisë.

Vatra i përcillte kryeministrit në këtë letër revoltën e vatranëve” Kur dëgjojmë Radio-Tiranën dhe shtypin tuaj,që akuzojnë si”vegla të Imperializmit Amerikan” dy misionarët e ndershëm dhe të devotshëm ndaj popullit shqiptar, Z. P. Kenedy dhe Dr. Ericson, ne qytetarët amerikanë të racës shqiptare ndjehemi të fyer. Shkolla e z. Kenedy në Korçë ishte foleja e Rilindjes Kombëtare dhe i vetmi vend ku mësohej gjuha e bukur shqipe. Kjo shkollë urrehej prej turqve dhe grekëve sepse aty mësohej gjuha shqipe dhe kultivohej dhe ushqehej ndjenja patriotike Shqiptare. Në fund të letrës së hapur, Vatra  shtronte edhe këto pyetje para kryeministrit:
1-E dimë se populli shqiptar e ka pagesën ditore 1 dollar, po ju zoti kryeministër sa e keni rrogën?

2- A mund të na thoni se cili është ndryshimi mes komunizmit tuaj dhe fashizmit? E dimë se fashizmi kundër të cilit ju luftuat, është sistem politik  diktatorial, që nuk peshon fare të drejtat njerëzore, si kundër gëzon populli në Amerikë. Gjithë atë sistem stalinist që keni instaluar ju në Shqipëri, d.m.th. themeluat sistemin fashist me një emër tjetër; që ju e quani ”demokraci popullore”. Sistemi juaj z. Kryeministër, s’është as demokratik, as popullor!
 
SARKAZMA E “DIELLIT” ME MEHMET SHEHUN DHE TITON

Shtypi është marrë gjatë me mënyrën e udhëtimit të Mehmet Shehut drejt Amerikës. Ai udhëtoi me anijen angleze “Mbretëresha Elizabet”. Dielli informonte lexuesit e vet se Mehmet Shehu dhe presidenti i Jugosllavisë, marshall Tito, udhëtuan së bashku  në të njëjtën anije- “Queen Elizabeth”. Me ta udhëtonte edhe i biri i ish kryeministrit legjendar britanik Uiston Çërçill, Randolf Çërçill. Enver Hoxha do ta shfrytëzonte këtë rast për t’i bërë aktakuzën bashkëpunëtorit të ngushtë të tij, Mehmet Shehut. Madje sipas Enver Hoxhës në tablonë sinoptike të “tradhtisë” të poliagjentit Mehmet Shehu, në anije ishte edhe ish drejtori i Shkollës teknike në Tiranë, Harry Fultz, ku Mehmeti qe nxënës. Kjo akuzë iu vu në gojë për ta bërë të besueshme Ziçishtit.

Dielli natyrisht që nuk merret me detajet e udhëtimit, veçse bënë humor-sarkazëm me faktin se marshalli Tito dhe kryeministri shqiptar nuk flisnin me njëri-tjetrin. Dielli shkruan:” Mehmet Shehu dhe Marshalli Tito udhëtonin së bashku. Një mëngjes të dy udhëheqësit kishin dalë në kate të ndryshme të vaporit, njëri lartë, tjetri poshtë,  dhe duke u ndodhur ballë përballë shkëmbyen komplimente.

Titua: Shoku Shehu, a e mbani mend kur juve ju dekorova për trimërinë që treguat duke shtypur shqiptarët në Kosovë?
Shehu i kthehet me nervozitet:-Largohu prej meje, Revizionist i pështirë!
 
PSE SHEHU SAJOI KONFLIKTIN MES SHQIPTARËVE DHE GREKËVE NË SHBA
 
Në numrin e 28 shtatorit “Dielli” sillte një koment në gjuhën anglezë për shpërthimin e konfliktit mes shqiptarëve dhe grekëve. Fillimisht bëhet një histori e marrëdhënieve të fqinjësisë problematike të Shqipërisë me Greqinë. Më pas nuk përshkruhet ngjarja e përplasjes mes grekëve dhe shqiptarëve, por merret me komentin e asaj që kishte ndodhur. Duket se ky shkrim i “Diellit” është shkruar që nga zyrat e Vatrës në Boston sepse nuk i përgjigjej realitetit. Këtë na e sqaron një letër e intelektualit nacionalist Petraq Ktona drejtuar editorit të Diellit, Qerim Panariti. Petraq Ktona ishte ndër nacionalistët aktivë në Nju Jork dhe kishte qenë pjesë e protestës të shqiptarëve. Ai e fillon letrën me një urim drejtuar editorit për shkrimet kurajoze të Diellit kundër Tiranës komuniste: ”Para se t’ju përmend qëllimin e letrës , dëshironi t’iu përgëzoj për numrin e fundit të Diellit. Është pëlqyer nga të gjithë, me përjashtim të kuqalashëve. Për fat të keq, artikulli inglisht që bënte fjalë për manifestimin tonë dhe reaksionin kundër vorio-epirotëve, linte të kuptoje se grupi i shqiptarëve që sulmoi vorio-epirotët kanë qenë komunistë ose pro Mehmet Shehut. Nuk e di nga e morët atë lajm pasi gazetat e këtushme shkruan gjerë e gjatë.

Ngjarja ndodhi kështu, tregon Ktona: Asambleja e Kombeve të Robëruara të Europës organizonte ceremoninë e ngritjeve të Flamurëve të nëntë kombeve të robëruara të Europës, përfshi dhe Shqipërinë e uzurpuar nga komunistët. Protesta u organizua në vendin e përhershëm përpara ndërtesës së Kombeve të Bashkuara. Vorio-epirotët dolën me pllakate në një qoshe tjetër nja 200 jard larg nesh. Një nga shokët tanë i pa dhe na lajmëroi. Iu vërsulëm grekëve, ashtu siç ishim të mllefosur. O burra mbi ta! Përfundimin e morët vesh. Ato ditë që ishte Mehmet Shehu bëmë tri herë demonstrata. Në të tria demonstratat nuk mori pjesë asnjë nga shqiptarët pro komunistëve. Asnjë manifestim pro komunist nuk u bë, së paku nëpër rrugë”.

Letra e Ktonës hedhe dritë mbi të vërtetën; ata që protestuan ishin shqiptarët nacionalistë të ardhur pas Luftës së Dytë Botërore, madje ai e cilëson në mënyrë të veçantë edhe faktin se “asnjë nga shqiptarët e vjetër nuk morën pjesë në protestë, madje asnjë.”
    
(Vijon në numrin e ardhshëm)

Në numrin tjetër do të lexoni: Çfarë ndodhi pas kthimit të Mehmet Shehut nga OKB-ja. Kush ishte vatrani nga Nivica e Tepelenës, i mbuluar në gjak, i fotografuar nga revista “LIFE”, The New York Times,  dhe “National Geografik”. Cila ishte deklarata e Venizellosit, që i parapriu përleshjes mes shqiptarëve dhe grekëve. Kthimi i vetmuar i Mehmet Shehut. Satelitët e Moskës nuk guxojnë ta përcjellin sipas protokollit.

Mehmet Shehu gjatë mbajtjes së Fjalimit në OKB më 26 shtator 1960

(Në foto: Mehmet Shehu gjatë mbajtjes së Fjalimit në OKB më 26 shtator 1960)

Protestues para Kombeve të Bashkuara

(Në foto: Protestues para Kombeve të Bashkuara)

Protestues para zyrave të OKB-së
(Në foto: Protestues para zyrave të OKB-së)

Peter Ktona një nga pjesmarrësit aktiv në tri demonstratat kundër Mehmet Shehut
(Në foto: Peter Ktona një nga pjesmarrësit aktiv në tri demonstratat kundër Mehmet Shehut)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar