Roland Kryemadhi nuk refuzoi vetëm policinë dhe shërbimet sociale por edhe vetë Komunitetin Mysliman ku ai thotë se bën pjesë. Imami Ahmed Kalaja konfirmon për Report Tv se i kanë ofruar prindit të tre vajzave që t'i arsimojë falas në shkollat fetare, por edhe këtë kërkesë nuk e ka pranuar. Për Imamin Kalaja, Roland Kryemadhi është një person me probleme mendore.

“Besimtarët atje duke e ditur si rast janë ofruar biznesmenët e Kamzës për tja paguar shkollën në një nga shkollat private dhe nuk ka pranuar. Unë mendoj se një sjellje e tillë është një sjellje me probleme psikike”, thotë ai.

Sipas Imamit Kalaja, Roland Kryemadhi është rasti i individëve që përdorin fenë si justifikim duke manipuluar njerëzit.  Feja thotë imami, nxit arsimin, dhe nuk e ndalon atë.

“Feja qysh në fillesat e saj thotë lexo dhe nuk e kufizon leximin vetëm në librat fetarë. Zoti thotë medito dhe meditimi ka nevojë për shkencë”, tha Imami.

Duke e konsideruar baltë që hidhet mbi muslimanët, Kalaja shprehet se të tillë njerëz është e vështirë të identifikohen apo parandalohen.

“Personi në fjalë as në xhaminë e Kamzës nuk shkonte rregullisht. Rasteë të tilla nuk ke as sesi të arrish te ata, pasi format e komunikimit janë të izoluara.  Janë njerëz me kompleksitete të mbartura që futen në fe dhe e përdorin të shkëputur atë”,  thotë Kalaja.

Rasti i Radikalit Islamik, i cili ndaloi vajzat të shkonin në shkollë me pretendimin se i edukon feja, ngjalli debate të shumta në shoqëri në lidhje me interpretimin që elementë të caktuar i bëjnë doktrinës fetare.