KORCE - Prokuroria e Korçës, mbylli hetimet dhe dërgoi në gjyq Shefki Bylykbashin, i akuzuar për vrasjen me çekiç të djalit të tij, ndërsa bashkëshortja u dërgua në gjyq për deklarata të rreme para policisë gjyqësore. Vrasja ndodhi më 17 shkurt të vitit 2023, rreth orës 16:00 të pasdites. Edhe pse 50-vjeçari ishte dërguar në spital, me plagë të rënda në kokë, nuk mundi të mbijetojë.
Viktima, Hamdi Bylykbashi, ishte i divorcuar nga bashkëshortja, jetonte jashtë shtetit, ndërsa kishte disa muaj që ishte kthyer nga Franca dhe jetonte me 2 prindërit. Ai konsumonte alkool çdo ditë, ndërsa ditën e ngjarjes rezulton se ishte konfliktuar me babanë duke tentuar ta shtyjë në pus, ndërsa ky i fundit i është kthyer duke e goditur me çekiç.
'Në rastin konkret, autori me dashje dhe me vullnet të plotë si dhe me qëllimin për ta vrarë, ka goditur djalin e tij në kokë, disa herë. Ai ka marrë dhe ka përdorur çekiç gurësh dhe dru zjarri si armë të krimit dhe pasi i ka dhënë goditjet fatale të birit, është përpjekur ta mbulojë krimin si vetëdëmtim të viktimës, duke përforcuar idenë që veprimet e tij në drejtim të vrasjes të të birit kanë qënë të vullnetshme dhe të qëllimta për të sjellë pasojën e dëshiruar, humbjen e jetës të të birit" informoi sot prokuroria e Korçës,
Babai i viktimës, Shefki Bylykbashi u arrestua në atë kohë nga policia, si i dyshuari kryesor për ngjarjen e rëndë.
Fillimisht familjarët e tij kanë deklaruar se 50-vjeçari, duke qenë në gjendje të dehur, ishte rrëzuar aksidentalisht në banesën e tij dhe për pasojë kishte marrë dëmtime në kokë, deklarata që i kushtuan nënës së viktimës, pasi edhe ajo u mor në hetim. Ajo u tha hetuesve se ka qenë me bashkëshortin në banesë kur ka dëgjuar zhurmën e derës së oborrit. Ç’ka nuk rezultoi e vërtetë.
Prokuroria thotë se autori me dashje ka goditur djalin e tij në kokë, disa herë dhe më pas është përpjekur ta mbulojë krimin si vetëdëmtim të viktimës.
I moshuari 78 vjeçar akuzohet për "Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i K.Penal. Ndërsa gruaja e tij akuzohet për kryerjen e veprës penale “Deklaratat e rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga neni 305/b i Kodit Penal, informoi sot prokuroria e Korcës.