TIRANE - Tirana ka prezantuar zyrtarisht presidencën e re, e cila ka marrë frenat e ekipit 24 herë kampion në Shqipëri për edicionin e ri futbollistik që starton sot. Në ambientet e stadiumit Dinamo kanë qenë të pranishëm, Ndricim Babasi, i lakuar në medie si presidenti i ri i ekipit bardheblu. Ndërsa në krahun e tij ka qenë edhe donatori Refik Halili dhe shefi i klubit, Krenar Alimehmeti. Në fjalën e tij, Babasi ka deklaruar se nuk pretendon sukses që në këtë edicion për ekipin e Tiranës, pasi përgatitjet kanë filluar me vonesë, por Tirana gjithsesi sipas tij do të jetë një ekip pretendent.

‘Do të bëjmë më të mirën e mundshme për ekipin e Tiranës. Merkato është drejt fundit, por në orët e fundit që kanë mbetur do të tentojmë që të afrojmë disa futbollistë” u shpreh ai. Përsa i përket statusit që do të ketë në ekip si president apo donator, Babasi u shpreh se’ Akoma nuk është përcaktuar, por fillimisht do të jemi të gjithë donatorë dhe në vazhdim do të përcaktohet nëse do të jem unë president ose ndonjë person tjetër” deklaroi ai. Gjithcka do të vendoset nga mbledhja e Këshillit Bashkiak në mbledhjen e radhës ose në vazhdim.

Ndërsa Refik Halili deklaroi se shumë futbollistë do afrohen te Tirana brenda dy ditëve. “Ka një dyndje futbollistësh që duan të afrohen në ekipin e Tiranës këtë edicion. Ne jemi në trantativa me disa prej tyre dhe shumë shpejt do ti zyrtarizojmë si pjesë e ekipit. Ndoshta duke filluar nga dita e sotme do të realizohen edhe prezantimet e para për edicionin e ri nga presidenca e re” deklaroi ai.

E ndërsa emrat janë mbajtur enigmë nga presidenca e re shumica e futbollistëve të rinj që do të bashkohen me ekipin e Tiranës mësohet se janë nga Skënderbeu dhe nga ekipi i Kukësit, pasi dy ekipet kanë bërë shumë përforcime dhe një pjesë e futbollistëve duhet të zgjedhin mes stolit dhe një ekipi tjetër. Burime për gazetën shprehen se mund të tërhiqen futbollistë edhe nga ekipi i Flamurtarit të Vlorës pas shpërbërjes që pësoi pers shkak të krizës ekonomike.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)