Baerenz: Keni një ide të mirë
biznesi, konkuroni dhe përfitoni

Baerenz: Keni një ide të mirë<br />biznesi, konkuroni dhe përfitoni
Intervista/Të gjithë të rinjtë që kanë një ide për një sipërmarrje, një program i ri në formë gare do t’u ofrojë trajnim dhe këshillim dhe në fund 15 pjesëmarrësit më të mirë do të gjejnë mbështetje konkrete për të nisur një biznes të ri apo për të fuqizuar një biznes që e drejtojnë prej 3 vitesh. 
Programi quhet IDEA dhe do të mbahet në katër qytete shqiptare: Tiranë, Korçë, Shkodër dhe Gjirokastër. IDEA do të zhvillohet si një bashkëpunim shqiptaro-gjerman dhe nën koordinimin e AIDA (Agjensia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve).

Drejtor Menaxhues i këtij programi, eksperti gjerman Eberhard Peter Baerenz thotë se ky projekt do të ofrojë një mundësi unike në Shqipëri për 120 start-up innovative, të cilët do të mund të fuqizojnë kompetencat sipërmarrëse dhe aftësitë e biznesit, nga zhvillimi i karakteristikave të nevojshme deri në gjenerimin e ideve dhe finalizimin e një plani biznesi bindës.
“Është një kombinim i trajnimit dhe këshillimit, i konceptuar si një konkurs përgjatë 4 hapave  dhe në fillim të Dhjetorit, 15 finalistët do të prezantojnë planet e tyre para një Jurie të pavarur (AIDA, Yunus  Social Business, Pro Credit Bank, Biznes Albania, GIZ). Aplikantët duhet të vijnë me një ide të mire dhe të angazhohen të punojnë fort në maturimin e idesë në një biznes që rritet”, shpjegon Baerenz për suplementin tonë Drejt Punës.

Por si do të funksionojë kjo garë dhe çfarë mbështetjeje konkrete marrin të rinjtë Shqiptarë nga ky program?
Drejtor Menaxhues i këtij programi, eksperti gjerman  Eberhard Peter jep shpjegimet e mëposhtme.
 
Z. Baerenz, a mund të na shpjegoni ç'farë është IDEA, dhe si mund tu shërbejë të rinjve  shqiptarë ky projekt për punësim?
Sipërmarrësit e kanë të ardhmen në duart e tyre, dhe dëshirojnë ti bëjnë realitet ëndrrat e tyre. Projekti IDEA ndihmon, pjesmarrësit e përzgjedhur ta bëjnë atë në mënyrën e duhur. Në kuadër të bashkëpunimit Shqiptar Gjerman dhe nën koordinimin e AIDA (Agjensia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve), projekt IDEA do  të ofrojë një mundësi unike për 120 start-up inovative të fuqizojnë kompetencat sipërmarrëse dhe aftësitë e biznesit, nga zhvillimi i karakteristikave të nevojshme deri në gjenerimin e ideve, e finalizimin e një plani biznesi bindës. Duke kombinuar trajnimin dhe këshillimin/coaching projekti është konceptuar si një konkurs përgjatë 4 fazave prej Shtatorit deri ne Dhjetor 2016. 
 
Si do të funksionojë kjo garë?
15 finalistët do të prezantojnë planet e tyre para një Jurie të pavarur me perfaqesues nga sektori publik e privat në fillim të Dhjetorit. Aplikantët duhet të vijnë me një ide të mirë dhe të angazhohen të punojnë fort në maturimin e idesë në një biznes që rritet. Ata janë të ftuar të aplikojnë në ëëë.idea.cefe.net.
Duhet pasur parasysh se shumë informacione që dëgjojmë mbi sipërmarrjen janë të gabuara. Sipërmarrja nuk është magjike, nuk është misterioze dhe nuk ka asnjë lidhje me genet. Ajo është një disiplinë, dhe si çdo disiplinë, mund të mësohet.
 
Kur do të nis të implementohet ky projekt dhe si do të jetë zhvillimi i tij?
Projekti do të nisë me trajnimin e një grupi trajnerësh mbi metodologjinë CEFE per nxitjen, fillimin dhe përmirësimin e një biznesi. Trajnimi i trajnerëve do të realizohet gjatë gjysmës së dytë të korrikut në Tiranë, ku 22 pjesëmarrës do të njihen me instrumentat dhe mjetet e metodës CEFE. CEFE është një metodologji shumë pjesëmarrëse e trajnimit e orientuar drejt rezultatit, e aplikuar në më shumë se 70 vende të botës. Ajo përfshin përvojë teorike dhe praktike nëpërmjet planifikimit, praktikës dhe fillimit të biznesit.CEFE ka operuar në Ballkan që prej 20 vitesh.
Është kënaqësi të marrësh pjesë në trajnimet e CEFE! Ne jemi të bindur që Sipërmarrja mund të mësohet. Pjesëmarrësit do të sjellin motivimin, këmbënguljen dhe fleksibilitetin dhe ne do i mbështesim të përmirësojnë idenë e biznesit për t’u bërë sipërmarrës.

E gjithë IDEA është konceptuar si një garë. Në total ne do të kalojmë në katër faza. Në çdo fazë, skuadra e projektit do të identifikojë pjesëmarresit më të sukseshëm. Vetëm 15 finalistë do të prezantojnë planet e tyre të biznesit në fillim të Dhjetorit para një Jurie të përbërë nga organizata partnere AIDA, Biznes Albania, GIZ, ProCredit Bank dhe Yunus Social Business.
Pjesëmarrësit e përzgjidhur, do të mësojnë brenda 10 ditëve të trajnimit dhe më shumë se 2 muajve keshillim, se si të zhvillojnë një biznes. Programi do t’ju mundësojë si të zhvillojnë aftësitë si sipërmarrës në inovacion, marketing, organizim dhe menaxhim, planifikim financiar dhe të biznesit.

Trajnimi tre ditor në shkallë të gjerë për sipërmarrjen do të zhvillohet në shtator 2016 në katër rajone dhe do të mbulojë tema si: Kompetenca të sipërmarrjes - vendosje e objektivave, kërkim informacioni, vetë-besimi, gjetje mundësish, ndërmarrje e riskut dhe moderim, marrje vendimesh, pranim i përgjegjesive, të mësuarit nga dështimet, këmbengulje, përkushtim në punë, rregulla të kreativitetit dhe mjetet, gjenerim dhe identifikim të ideve. Afërisht 30 pjesëmarres do të zgjidhen në çdo rajon.

Më tej, 40 pjesëmarrësit më të mirë do te vazhdojnë 5 ditë trajnimi në “Planifikim biznesi: i cili do të zhvillohet në dy qytete ku do të trajtohen tema si: Kuptimi  i tregut, ndarjet e tregut dhe studimi i tij, marketingu miks, planifikimi i buxhetit; aftësi të menaxhimit dhe lidershipit, puna në grup, zgjidhje e problemeve; Organizimi i biznesit, efektivitetit, menaxhimi i cilësisë; Përgatitja dhe prezantimi i planit të biznesit. Pjesëmarrësit do të kenë mjaftueshëm kohë për të realizuar kërkim të zgjeruar të tregut duke marrë këshillimin/orientimin e nevojshem hap pas hapi.
Pas kësaj pesëmarrësit do të ndjekin 2 ditë trajnim për Menaxhimin financiar që do përfshijë tema si: kostot, investimet dhe plani financiar, si dhe deklaratat financiare (humbja dhe fitimi, rrjedha e parasë, tabela e bilancit). Pjesemarrësve do t’ju ofrohet këshillim para se të bëhen prezantimet finale.
Dhe në finale 15 pjesëmarrësit më të mirë do të prezantojnë idetë e tyre të biznesit para jurisë. Paraprakisht pjesëmarrësit do të kenë shanse të fitojnë aftësi praktike të prezantimit për të bindur të tjerët për idenë dhe planin e tyre të biznesit.
 
Mbi ç’kritere bëhet përzgjedhja e pjesmarrësve  dhe në cilat qytete do të shtrihet ky projekt?
Projekti synon te mbeshtese sipermarres femra e meshkuj qe jane në fazat e para të aktivitetit të sipërmarrjes si start-up apo me biznes aktiv. Po asjtu edhe sipërmarrës që kanë një biznes duke operuar, për të paktën 3 vjet dhe dëshirojnë ta zhvillojnë dhe zgjerojnë atë.  Programi do të zhvillohet në rajonet Tiranë, Korcë, Shkodër dhe Gjirokastër.
 
Në çfarë fushash mund të jenë idetë e ofruara nga të rinjtë dhe cilat do të jenë kriteret në përzgjedhjen e ideve më të mira?
Projekti IDEA ofron një platformë mjaft të përshtatshme për të provuar dhe zhvilluar idenë e sipërmarrësve të rinj. Në projekt nuk janë parashikuar kufizime paraprake për fushat e biznesit. Gjithesesi, do të stimulohen idetë innovative që vijnë kryesisht nga sektorët më fitimprures në Shqiperi si biznese që shtojnë vlerën e produktit, biznese prodhuese, agro-përpunimi, riciklimi, energjia e rinovueshme, etj
 
Si do të vijojë projekti pas perzgjedhjes së ideve më të mira?
IDEA do të shoqërojë konkursin mes të rinjve deri tek 15 finalistët, të cilët do kenë në dorë një plan biznesi bindës dhe aftësitë për ta bërë realistet idenë e tyre. 
 
Çfarë mbështetje konkrete marrin të rinjtë nga ky program?
Nuk janë paratë që e bëjnë një sipërmarrës të suksesshëm, por janë kompetencat personale dhe në biznes. Mendoni për Carl Benz (Mercedes) dhe Bill Gates (Microsoft), që filluan si njerëz aspak të njohur dhe pa para. Një shoqëri dinamike dhe ekonomia kanë nevojë për njerëzit e biznesit - ata janë motorët e punësimit, të të ardhurave dhe konkurrencës inovative. 
Pjesmarrja në projektin IDEA do të ofrojë edhe përfitime të tjera,  si psh: Pjesmarrësit do të bëhen më të sigurt për zgjedhjet në jetë, do te kenë në dore një plan biznesi të  vlefshëm dhe gati për t’u zbatuar.
Në hapin e parë, do të jenë në kontakt me 40 sipërmarrës të tjerë të motivuar. Le ta përdorin këtë mundësi për t’u njohur  me njerëz interesantë duke zgjeruar kështu kontaktet e biznesit.
Po ashtu AIDA (Agjensia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve) do t’ju japë mundësinë finalistëve të aplikojnë në skemat e granteve për start-up, artizanatin, konkurrencën.
ProCredit do t’ju ofrojë finalistëve një shans për të negociuar për akses në kredi.
Ndërsa Yunus Social Business Balkans do t’ju ofrojë finalistëve një shans për të aplikuar për financim dhe mbështetje pas financimit.
 
Pse mendon se ky projekt i vlen tregut shqiptar të punës?
Bizneset inovative dhe sipërmarrësit janë faktorë kyç për konkurrencën e ekonomisë globale sot. Ato janë gjeneratorët më të fortë të punësimit dhe të të ardhurave. Gjithësesi, fillimi apo zgjerimi i një sipërmarrjeje të suksesshme kërkon kompetenca sipërmarrëse dhe aftësi biznesi. NMVM (Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme) shpesh herë janë të sfiduara nga kërkesat financiare apo të ekspertizës të cilat i kufizojnë ato në fillimin e një biznesi, rritjen dhe inovacionin e tyre.

Në Shqipëri, personat që janë aktivë në tregun e punës, që punojnë apo që janë në kërkim të punës janë rreth 65.9% e popullatës. Prandaj, rritja e konkurrueshmërisë të MNVM-ve përmes promovimit të inovacionit dhe sipërmarrjes është një mënyrë efektive për të adresuar papunësinë, e cila arrin shifrat deri tek 16.6%.
Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme shpesh here hasin burime financiare dhe ekspertizë të kufizuar për të përshtatur dhe integruar mekanizmat inovatore. Një fillim apo një zgjerim  i suksesshëm kërkon kompetenca sipëermarrëese dhe afteësi biznesi. Të kesh vetëm një ide të mirë nuk është mjaft. Është i nevojshëm hartimi i një plani biznesi të menduar mirë në mënyrë që të ecësh drejt suksesit. Në anën tjetër, të rinjtë sipërmarrës kanë nevojë për njohuri dhe ekspertizë që ti kthejnë idetë e tyre të biznesit në biznese reale që rriten.
 

Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Pushimet mbaruan, nesër nis sesioni i ri parlamentar/ Pikat e nxehta: Xhaçka, interpelancat dhe mbetjet toksike! Nuk mbeten pas diskutimet për reformën zgjedhore

Pushimet mbaruan, nesër nis sesioni i ri parlamentar/ Pikat e nxehta: Xhaçka, interpelancat dhe mbetjet toksike! Nuk mbeten pas diskutimet për reformën zgjedhore