Baftjar Zeqo: Projektin
e kam gati, por s'kam para

Baftjar Zeqo: Projektin<br />e kam gati, por s'kam para
FIER- Po ku duhet të gjejë bashkia 7 milionë eurot që i duhen për të bërë pastrimin e Gjanicës, për të vendosur aty një filtër, i cili të ndajë ujin e pastër nga hidrokarburet? 
Baftjar Zeqo si kryetar bashkie fërkon kokën. Në mënyrë ironike thotë: "7 milionë euro, nuk është buxheti i bashkisë së Fierit, bashkë me Baftjarin brenda".
Ç'të thotë kryetari. Eshtë në mandatin e tij të tretë, ka kaq vite që bën premtim për të larguar Fierin nga harta e ndotjes dhe nuk e realizon dot. Jo se nuk do ta bëjë një gjë të tillë. Por se qeveria i jep 0 lekë për këtë nismë. Firma private që shfrytëzon puset e naftës, jep 0 lekë për të mos lejuar ndotjen.
"Në një farë mase ne e kemi bërë detyrën tonë. Një studio italiane ka bërë studimin se ku duhet të vendoset impianti. Dhe ne studimin e bërë për këtë e kemi përballuar. Tani thjesht, duhet të jepen lekët për të bërë financimin për projekt.

- Eh mo Baftjar, më shkon mendja. Kohë të këqija ke gjetur për të kërkuar financim. Krizë e madhe. S'besoj se ndokush mund të nxjerrë ndonjë lekë për të pastruar Gjanicën.

Dhe unë që shkoja në këtë takim nga qyteti i Lushnjes, ku kisha dëgjuar për më shumë se një orë hallet e kryetarit të bashkisë së këtij qyteti, i cili kishte të zhbllokuar nga thesari vetëm zërin 601, që me kodet e ministrisë së Financave, i përket pjesës së dhënies së pagave për administratën. Që do të thotë, se nuk ka lekë për bashkitë, vetëm për pagat. Pavarësisht se ato i kanë miratuar buxhetet, rubineti i lekëve, është i mbyllur. Me kursime e me pikatore.
Këtë gjë, ia them kryetarit të Bashkisë së Fierit, i cili po ashtu tund kokën në shenjë pohimi, për të thënë se edhe për Fierin, është e njëjta gjë.
Përballë tavolinë së tij të punës nxjerr një vandak të madh me letra dhe dokumente të tjera në të cilat flitet për lumin Gjanica, punë ekspertësh, matje e ndotjes në fillim të lumit, në mes të tij, dhe në derdhjen në Seman e mandej në det. Shumë nga shifrat nuk i kuptoj, se janë përbërës kimikë, por ekspertët e bashkisë sqarojnë se shkalla e ndotjes është e lartë.
Tani, jo çdokush e ka mendjen te Gjanica, sepse është ftohtë. Njerëzit nuk shkojnë drejt detit. Por kur në bregdetin e gjerë atypari, të fillojë sezoni turistik, pushues ditorë nga të katër anët e vendit, ata që nuk kërkojnë luks, por komoditet pushimi, do të turren drejt ujrave të Adriatikut të kësaj zone. E mandej, do të fillojë të ringrihet shqetësimi i ndotjes.

STUDIMI
Sipas ekspertëve në bashkinë e Fierit, faktorët kryesorë të ndotjes së lumit janë të gjitha shkarkimet nga kompania ARMO dhe sipas një ndarjeje të qartë është: ujra me produkte nafte 417m3/orë; ujëra acide 26 m3/orë; ujëra sodike 45 m3/orë si dhe ujra të prodhimit 367 m3/orë.
Por nuk janë vetëm këto që kanë të bëjnë me naftën dhe hidrokarburet. Janë edhe shkarkimet e ngurta, që po sipas këtij studimi llogariten llumra të rezervuareve 125 tonë në vit; llumbra të sheshit të objektit 46 qëe llogariten 175 tonë në vit si dhe katalizator të pasivizuar 50 m3 në vit.
Ndërkohë që një pjesë e mbetjeve të tjera vijnë edhe nga kompania Albetrol, të cilën qeveria e ka futur në projektet e saj të privatizimit.
Sipas ekspertëve zgjidhja është vënia sa më shpejtë të jetë e mundur në punë, e një blloku të pastrimit të ujrave. "Të ndalohet shkarkimi i ujërave shoqëruese të naftës në lumin Gjanica nga dekamtimi i Visokës" thonë ekspertët e bashkisë Fier. Një tjetër masë sipas tyre është edhe eleminimi i rrjedhjeve nga grykat e puseve dhe grupet e grumbullimit të naftës që ndodhen përgjatë dhe në afërsi të lumit Gjanica. Një tjetër propozim sipas ekspertëve është edhe sistemimi i linjave të tubacioneve të transportit të naftës që kalon përgjatë apo tërthor lumit, për të eleminuar derdhjet e naftës në të.
(an. ba/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD: Balluku shfaqje nëpër fasoneri, euro në pikiatë

PD: Balluku shfaqje nëpër fasoneri, euro në pikiatë