IFFHS, Instituti i Historisë dhe Statistikave në futboll ka publikuar renditjen e ekipeve më të mira në botë. Pavarësisht se Reali i Madridit fitoi Champions League nuk arrin që të zbresë Bajernin e Mynihut nga froni për një diferencë shumë të vogël pikësh.

Falë suksesit në kampionat dhe Kupën e Gjermanisë, Bajerni i i drejtuar nga Guardiola mban vendin e parë. Ashtu si në rastin e trofeve edhe në renditje lufta është mes spanjollëve, ku Sevilja e vendit të shtatë rrezikon që të parakalojë Barcelonën nëse do të fitonte Super Kupën e Europës përballë Realit. Ndërsa Arsenali ka nxjerrë nga renditja e dhjetë ekipeve më të mira Çelsin.
 
 
‘Çmendet’ Reali, 90 mln Euro për Suarez

Reali i Madridit futet fuqishëm në merkato duke ofruar 90 milion Euro për Suarezin. Sulmuesi i Liverpulit është në listën e dëshirave të Presidentit Perez, që synon t’ia bëjë dhuratë trajnerit Anceloti pas fitimit të ‘La Decima-s’.

Oferta mjaft e majme pritet që të tundojë Liverpulin, por jo vetëm, pasi edhe futbollisti në mënyrë indirekte gjithmonë e ka pranuar se kalimi në Madrid është kulmi për cdo futbollist. Tashmë pritet përgjigja e anglezëve, por theksojmë që oferta mund të rritet duke pasur parasysh potencialin financiar të Realit që edicionin e kaluar shpenzoi 101 mln Euro për Bale.
 
Fabregas largohet nga Barcelona
Fabregas nuk do të jetë futbollisti i Barcelonës për edicionin tjetër. Lajmin e ka konfirmuar mbrojtësi Pike jo në mënyrë të vullnetshme gjatë një konference për mediat. Mbrojtësi teksa po bëhej gati që të jepte konferencën për shtyp po komunikonte me trajnerin e kombëtares duke mbajtur dorën përpara gojës në mënyrë që të mos i lexonin buzët, por nuk e dinte që mikrofonët ishin ndezur dhe gjithçka dëgjohej. “Fabregas më ka thënë që është mbyllur, do të ikë për 33 milionë euro”tha ai.

Ndërsa tekniku i iberikëve i përgjigjet në lidhje me presionin dhe problemet që po kalon Presidenti Bartomeu në krye të ekipit.  “Nuk po i ecën asgjë të shkretit. Keq e më keq punët, ka për t’u çmendur”. Por, pavarësisht se zbuloi faktin që do të largohej, Pike nuk deklaroi destinacionin e mesfushorit. Ndërsa në media flitet për një interesim të Pep-it për të marrë te Bayerni, por pista e parë mbetet Anglia me United dhe blutë e Londrës në pole-position.
 
d.b/shqiptarja.com