Bajram Peçi: Si mbajti gjallë Berisha ligjin e pa shkruar se nuk ka drejtësi jashtë pushtetit politik!

Bajram Peçi: Si mbajti gjallë Berisha ligjin e pa shkruar se nuk ka drejtësi jashtë pushtetit politik!

Ilir Meta dhe Sali Berisha

Prej dy ditësh turfullojnë mediat televizive të familjes e miqve të familjes, me punonjës opinionistë të tyre ose të ftuar, duke bërë Edi Ramën përgjegjës për arrestimin e Ilir Metës. Më parë, nga ballkoni e tha këtë Sali Berisha. Jo-jo prokuroria, çfarë SPAKU more, kjo është vepër e pushtetit...!

 Shumica e emancipuar e dinë që ndodhen para një gënjeshtre, por në media dhe politikë gjallojnë me shumicë soji që kultivoi pushteti berishjan: s’mund të ketë organe drejtësie jashtë vullnetit të pushtetit!

 Deri në mbasditen e 21 tetorit 2024, dyshimet te Prokurorija e Posaçme Anti Korrupsion, SPAK, ishin ende të gjalla në popull, që ato nuk do të mund ta vinin me këmbë në tokë organin që bën hetimin dhe ndjekjen penale. Në ndihmë të këtij dyshimi ndodhej parreshtur, pandërprerë, Sali Berisha me Ilir Metën, të dy të frikësuar tej mase, si dhe strukturat private të tyre, që ata i quajnë parti.

 Në Shqipërinë fisnore kurrë nuk ka patur shtet të vërtetë të së drejtës! Kur pushteti qendror mungonte, vepronte kanuni; kur ky pushtet vendosej (nga koha e Turqisë e këtej) Aliu ishte dhe Kadi. Në 1945, ndonëse sistemi thellësisht feudal u zëvendësua nga sistemi komunist, vazhdoi që drejtësia të kish kuptimin e pushtetit.

 Shembja e aparatit burokratik të sistemit komunist solli në sheshe britmat e njeriut shqiptar, që kërkonte lirinë e buçiste, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Në ato ditë mbase nuk e dinin, por gjthçka mësohet shpejt, se në idetë liberale perëndimore, të kodifikuara, vlera bazë është ndarja e pushteteve. Kjo, në teori, se më pas erdhën gjinërat e gjonërat, vendimet e të cilëve “Në emër të popullit”, vinin në përputhje me vulletin e të parit të fisit.

 Nuk ka liri pa drejtësi dhe nuk mund të ketë drejtësi nëse ajo nuk është e pavarur! Presidenti Berisha ua bëri të pamundur këtë shqiptarëve. Si gjithë shqiptarët pa kulturë demokratike, ai nuk do mund ta kuptonte se si mundet që prokurorija nuk do ishte në këmbët e tij!?

 Nuk dua ta di nëse Sali Berisha ka qenë apo jo mjek i mirë, siç duan të thonë, por, apriori, po e quaj të mirëqenë për deri sa çau në karierën e tij në shërbimin mjekësor për anëtarët e Byrosë Politike, fillimsht ndaj Simon Stefanit e më tej, në grupin e mjekëve që kujdeseshin për shëndetin e Enver Hoxhës! Por që si shtetar ai ishte një zero me xhufkë, ua dha provat shqiptarëve që në krye të herës! Nuk kam këtu parasysh rrëzimin e shtetit në vitin 1997, por veprimet e tij aventurore me sistemin e drejtësisë, para gjëmës që i bëri vendit. Askush si tha (se ai nuk mbante njeri pranë): o shoku Sali, janë të ndara pushtetet!

 Prokurorët që mendonin e vepronin ndryshe nga sa ai mendonte e kishte dëshirë, Berisha i trajtonte si armiq personalë. Kthimi kokës mbrapa na sjell një varg kryeprokurorësh e Gjyqtarësh që ai jo vetëm i shkarkoi se ashtu i donte prapanica, por i persekutoi dhe përndoqi, duke u rrezikuar jetën.

 Shkarkimi i kryprokurorëve fillon me Petrit Serjanin, i cili u emërua në Maj 1991 dhe u shkarkua pas 14 muajsh nga Saliu në korrik 1992, në kundërshtim me ligjin, që përcaktonte se kjo mund të ndodhte vetem pas përfundimit të mandatit.

 U zëvendësua nga juristi i njohur, Maksim Haxhia, i emëruar kryeprokuror në muajin korrik të vitit 1992 dhe u shkarkua nga Saliu në nëntor 1992, pas katër muajsh, në kundërshtim me ligjin, që përcaktonte se kjo mund të ndodhte vetëm pas përfundimit të mandatit.

 Erdhi në gusht 1997, në detyrën si kryeprokuror, Arben Rakipi dhe u shkarkua mars 2002, në kundërshtim me ligjin, që përcaktonte se kjo mund të ndodhte vetëm pas përfundimit të mandatit.

 Ina Ramën, që ishte zgjedhje e tij, e emëruar si kryprokurore nëntor 2007, do të donte shumë ta shkarkonte, ndaj ngritën një komision parlamentar në të cilën, kjo zonjë e fyer dhe e përgojuar nga Berisha për qendrimin që mbajti në ngjarjet tragjike të 21 janarit, mbrojti dinjitetin e saj dhe nëpërkëmbi me përgjigjet pseudodinjitetin e anëtarve të komisionit. Respekt të thellë për këtë zonjë që u theu turinjtë vrasësve të njerëzve dhe organeve të drejtësisë!

 Prirjet e Sali Berishës për sundim totalitar të pushtetit mbi drejtësinë morën tiparet e diktatorit në rastin e Zef Brozit, ish kryetari i Gjykatës së Kasacionit, të cilin regjimi i Sali Berishës e detyroi të arratisej në SHBA, natyrisht me ndihmën e ambasadës se ndryshe nuk do dihej fati i këtij juristi të nderuar, që Berisha e urreu se ai nuk ju nënshtrua. E shkarkoi në kundërshtim me ligjin, që përcaktonte se kjo mund të ndodhte vetëm pas përfundimit të mandatit.

 Të gjithë këta nuk zbatuan porositë e Berishës-pushtet për ta mbajtur gjuhën midis dhëmbëve. Pushteti absolut i tij nuk lejoi dhe pengoi formimin e konsolidimin e një drejtësie të pavarur nga pushteti i tij politik.

 Është e kuptueshme se partia në pushtet do i shpërblejë militantet e saj me poste publike, por që t’u jepje ushtarëve të Partisë Demokratike gjithë strukturat e drejtësisë, hetim, prokurori e gjykatë, kjo, përpos se në shqipëri ndodhi!? U bë me nxitjen e Berishës, nuk ndodhi në asnjë vend të Europës lindore kaq hapur, duke ndotur edhe cilësimin demokraci. Shqiptarët nuk kishin ku ankoheshin.

 Në kushtet më të këqija ku janë ndodhur ndonjëherë ish presidenti Sali Berisha me ish presidentin Ilir Meta, ish kryeministri SB me ish kryeministrin IM, janë sot në aleancë, shfaqen miqësorë, i dalin krah njëri-tjetrit, mbrohen njëlloj me tërbim, duke u shtirur si viktima të Edi Ramës.

 Në të vërtet, këta të dy e urrejnë shoshoqin. Halli i madh i ka bërë bashkë, por populli nuk harron kur Sali Berisha, deklaronte në Parlament se Ilir Meta, në funksionin e Ministrit të Jashtëm, nuk ka patur kompetenca të negociojë me CEZ-n; se kryeministri Meta ka vjedhur miliona duke blerë energjinë elektrike me prokurim të drejtpërdrejtë; se ishte Sali Berisha që për floririn e grabitur në Krrabë, të akuzonte kryeministrin e atëhershëm Ilir Meta si shkaktarin e kësaj vjedhje. Është proverbiale thënia e tij se, “ ...Ai tjetri në fund nuk quhet Ilir Meta, por Ilir Floriri”; ishte  Berisha që për humbjen drastike që pësoi në zgjedhjet e 14 majit, bëri fajtor Ilir Metën, ishte Berisha që e bëri shkaktar të disfatës në koalicionin “Bashkë Fitojmë”...!

 Nga ana e tij Ilir Meta e ka akuzuar Berishën për vrasjen e Kosta Trebickës: “...Ti dhe qeverisja jote e quajtët mafioz qytetarin Kosta Trebicka, vetëm se denoncoi aferën e pistë që të ka dhëmbur aq shumë; më tej, është Meta ai që kërkoi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për tragjedinë e Gërdecit; më tej akoma, është Meta ai që akuzon Berishën, se “...e dha dorëheqjen pas përgjimit të Dritan Priftit, për hir të Shkelzenit”.

 Këta janë sharlatanët tanë, pa shtyllë kurrizore, me duart pis e ndërgjegjen edhe më pis! Njërin, SPAK e ka prej kohësh nën hetim, tjetri u arrestua dje, dosje të tjera presin.

 Ju inkurajojmë Prokurori e Posaçme, ju jeni shpresa sot, që nesër Shqipëria jonë e shtrenjtë të jetë pjesë e pandarë e Europës, me drejtësinë e pavarur dhe në nivelin europian!

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion