Bajrami në Prishtinë, Jahjaga e
Thaçi: Kosova e ka të ardhme të qartë

Bajrami në Prishtinë, Jahjaga e <br />Thaçi: Kosova e ka të ardhme të qartë
PRISHTINE- Në Prishtinë shumë qytetarë mëngjesin e sotëm janë mbledhur në Xhaminë e Madhe – Sulltan Mehmet Fatih, në Prishtinë, për të falur Namazin e Bajramit.  Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava duke iu drejtuar besimtarëve u ka kërkuar kultivimin e tolerancës, dashurisë ndër-njerëzore dhe të humanitetit. Ai ka bërë thirrje për solidaritet e bamirësi.

“Në mesin tonë kemi shumë jetimë, familje të varfra, skamnorë që nuk kanë ushqim ditor të mjaftueshëm, andaj së paku në këtë ditë feste të tregojmë se ne vetë jemi solidarë dhe t’i ndihmojmë nevojtarët”, është shprehur Tërnava.

Myftiu i Kosovës uroi edhe për procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur dhe për njëqindvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. “Përmes kësaj feste, ju uroj për njëqindvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të pavarësisë së Kosovës. Zoti na ndihmoftë në realizimin e të gjitha dëshirave tona”.

Urimet u përcollën edhe nga udhëheqësit e vendit, presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës dhe ka uruara udhëheqjen e këtij institucioni dhe qytetarët me rastin e Fitër Bajramit.
Ajo theksoi se vendi mund të përparojë edhe më shumë duke kujtuar të kaluarën.

“Kosova sot ka një të ardhme të qartë. Kosova ka një të ardhme që ka plotësuar të gjitha ato kushte drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Po gjithsesi edhe në një miqësi të përjetshme të themi që e kemi zgjedhur vetë me SHBA-në. Rrugën, të cilën e kemi kaluar deri më sot nuk ka qenë një rrugë e lehtë ka qenë një rrugë jashtëzakonisht e vështirë dhe duhet të shërbejë si një udhërrëfyes për të gjithë ne. E kaluara duhet të jetë një inkurajim dhe një shtytje që të punojmë më shumë dhe ndershëm dhe të punojmë për prosperitetin e popullit dhe vendit tonë”, theksoi Jahajaga.

Kurse, në mesazhin e kryeministri Thaçi thuhet: “Uniteti qytetar, harmonia, toleranca ndërfetare dhe ndëretnike është pasuri e Republikës së Kosovës. Kjo festë është një rast për të gjithë ne, si qytetarë të këtij vendi, të ndajmë mes vete gëzimet dhe urimet më të mira, dhe të punojmë për një të ardhme edhe më të mirë për vendin tonë”.
(sg/europaelire/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Pogradec/ Sherr me thika midis dy të miturve! 15 vjeçari përfundon në spital

Pogradec/ Sherr me thika midis dy të miturve! 15 vjeçari përfundon në spital