Bakllava me petë të gatshme, kadaif dhe arra
Përbërësit:
- 1 pako petë për bakllava
- 300 gr kadaif
- 300-400 gr arra të bluara
- 250–300 gr gjalpë i shkrirë
- 1 lugë çaji kanellë (opsionale)
Për sherbetin:
- 1 kg sheqer
- 800 ml ujë
- 1 fetë limon
- 1 lugë çaji vanilje
Përgatitja:
Përgatitim fillimisht sherbetin, pasi duhet të jetë i ftohtë. Ziejmë ujin me sheqerin për 10-12 minuta. Shtojmë limonin dhe vaniljen në fund dhe e lëmë të ftohet plotësisht. Ndërkohë shkrijmë gjalpin. Ndajmë petët në dy pjesë. Në një tepsi të lyer me gjalpë vendosim petët 1 e nga 1 duke i lyer me gjalpë. Në shtresën e mesit shtrojmë kadaifin pak të hapur me dorë që të mos jetë i ngjeshur dhe sipër shtojmë arrat dhe kanellën. Vendosim pjesën tjetër të petëve sipër, duke i lyer një e nga një me gjalpë. Në fund hedhim gjithë gjalpin që ka mbetur sipër. E presim bakllavanë në forma rombi ose katrore dhe e vendosim të piqet në furrë në 170–180°C për rreth 1 orë derisa të marrë ngjyrë të artë të thellë. Sapo të dalë nga furra, hedhim sherbetin e ftohtë mbi bakllavanë e nxehtë. E lëmë të pushojë të paktën 6–8 orë minimalisht.
Këshillat e Albanës: Mos e ngjesh kadaifin, duhet ajrosur për krokantësi. Gjalpi duhet i bollshëm që petët të bëhen të thërrmueshme. Kontrasti: bakllava e nxehtë + sherbet i ftohtë është çelësi dhe sa më gjatë të pushojë, aq më e mirë bëhet.
Komente












