Balet, Preljocaj e Ilir Kerni
shfaqje në Modena të Italisë

Balet, Preljocaj e Ilir Kerni<br />shfaqje në Modena të Italisë
TIRANE- Baleti “Coppelia” me koreografi të Ilir Kernit dhe “La Stravaganza” e koreografit të njohur me famë botërore Angelin Preljocaj do të hapin sezonin artistik 2015 në Teatrin “Luciano Pavarotti”, në Modena, Itali. Shfaqja do të jepet në datën 16 Janar 2015, Ora 21.00.

Drejtori i Përgjithshëm i operës, Ilir Kerni, shprehet se “ka qenë shumë i rëndësishëm bashkëpunimi që kemi pasur me artistë si Preljocaj apo Cardoso vitin që kaloi, jo vetëm për të sjellë shfaqje të bukura për publikun shqiptar por edhe për të siguruar një pasaportë për ti eksportuar këto shfaqje jashtë vendit ashtu siç edhe po ndodh me këto dy pjesë koreografike që çojnë trupën tonë të baletit në Modena.

”Sipas Kernit “ky është vetëm fillimi, pasi repertori i krijuar gjatë vitit 2014 me balete klasike dhe moderne, që përfshin tituj si Ballo e Diplomës, Coppelia, La Stravaganza, Impact, Table, Risveglio Dell’Umanita do të jenë pjesë e projekteve të tjera gjatë 2015, që do të shikojnë trupën tonë të baletit në turne të tjera jashtë vendit”. Turi i fundit në të cilën trupa shqiptare e baletit ka performuar jashtë ka qenë në vitin 2006, po në Itali , në Leçe me baletin “Caro Mozart”.  
 
Kerni dhe baleti “Coppelia”
 
Baletin “Kopelia” koreografi Ilir Kerni e ka sjell me një version të ri të komedisë romantike “Coppelia”. Historia e kësaj komedie lidhet me konfliktin midis idealizmit dhe realizmit, artit dhe jetës: Franz është joshur të zgjedhë mes gruas perfekte, kukullës Coppelia dhe gruas natyrale Svanilda. Muzika është e kompozitorit Leo Delibes (1836-1891).

“Coppelia” prezanton shkëputjen nga bota e trishtuar dhe e errët, tipike e baleteve romantike (Giselle, La Sylphide), sepse është plot me humor, energji dhe shkëlqim dhe përmban vallëzime me karakter të gëzuar dhe të dashur. Ky balet shoqërohet me valle hungareze dhe mazurkën një valle polake, shumë popullore të 800-s, të cilat u përfshinë për herë të parë në këtë balet. Historia është marrë nga tregimi “Der Sandmann” i E.T.A. Hoffmann (1776-1822), shkrimtar romantik dhe kompozitor gjerman. Kerni ne skenë krijon një lojë humori ironik mbi trajtën e keqpërdorur të dashurisë.
 
“Preljocaj” dhe “La Stravaganza”

“La Stravaganza” e koreografit me famë botërore Angjelin Preljocaj është një balet spektakolar që e merr frymëzimin nga kërcimi hip-hop. Ky balet u krijua në vitin 2012 dhe u shfaq në festivalin “Suresnes Danse Festival Cite”. Interpretohet nga katër kërcimtarë të baletit “Preljocaj”. “La Stravaganza-n e kam shkruar në vitin 1997, një pjesë që më realizon në karrierën time artistike. Kjo pjesë kërkon virtuozitet të baletit klasik, kërkon përpjekje fizike të jashtëzakonshme. Një koreografi që të drejton drejt tokës, këtë kontrast kam dashur ta përcjell”, ka pohuar koreografi francez me origjinë shqiptare Angjelin Preljocaj. Ky balet i Preljocajt ka qenë një nga më të vlerësuarit për teknikën e lartë të performimit dhe origjinalitetin krijues, por ndonjëherë edhe një nga baletet më të debatuara nga kritikët e artit, ku risia e Preljocaj qëllon të jetë shumë provokuese nw skenën botërore të baletit modern.  
 
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Imane Khelif nuk lëkundet nga zhurma e mediave, mposht Anna Hamorin në çerekfinalen e boksit

Paris 2024/ Imane Khelif nuk lëkundet nga zhurma e mediave, mposht Anna Hamorin në çerekfinalen e boksit