Baleti i Kosovës sot jep shfaqjen
“Dasma” në Tiranë

Baleti i Kosovës sot jep shfaqjen<br />“Dasma” në Tiranë
Trupa e Baletit të Kosovës me shfaqjen “Dasma” shënon rikthimin pas 34 vjetësh të marrëdhënieve të ndërprera me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Baleti “Dasma” do të ngjitet në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës sot, më 16 mars, ora 19.00. Dje, drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, Ilir Kerni, dhe përfaqësues të trupës së Baletit të Kosovës, kanë dhënë një konferencë për shtyp me rastin e bashkëpunimit për realizimin e shfaqjeve të përbashkëta që kanë nisur më 14 mars dhe do të përfundojnë më 17 mars 2014. 

Në praninë e medias, drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, ka rrëfyer përpjekjet për vite me radhë që ka bërë për të ardhur në Tiranë, por asnjë nga institucionet nuk e ka ndihmuar. Në Shqipëri, për herë të fundit Baleti Kombëtar i Kosovës ka qenë në vitin 1980, me shfaqjen koreografike të titulluar “Halili dhe Hajria” me koreografi të Panajot Kanaçit. Por pasi kanë kaluar dekada, duket se i vetmi që ka treguar vullnetin e mirë që të sjellë realisht trupën e Baletit të Kosovës në Tiranë është drejtori i TKOB-it, Ilir Kerni, i cili ndryshe nga drejtuesit e mëparshëm, i ka kapërcyer barrierat e politikave qeveritare; sepse megjithëse kontratat për bashkëpunimin kulturor mes dy ministrive të Shqipërisë dhe Kosovës janë firmosur, fondet ende nuk janë lëvruar.

Ardhja e trupës së Baletit të Kosovës në Tiranë duket se do të vonohej ende pa këmbënguljen e drejtorit aktual të TKOB-it. Që fondet e palëvruara janë një problem i madh, e vë në dukje edhe vet Ilir Kerni, i cili dje na dha të kuptonim qartë se ardhja e trupës së baletit të Kosovës në Tiranë ishte një shprehje e vullnetit të përbashkët të dy trupave, por ende jo e politikës, duke u shprehur konkretisht se: “Sa të rrimë të presim pare nga qeveria, s’kemi për të bërë asnjë gjë”. Përgjigjen për pyetjen që iu bë nga gazetarët “Nëse është lëvruar ndonjë buxhet i përbashkët sipas kontratës?”, Kerni e ka përkufizuar me këto fjalë.

“Nuk ka ende një buxhet për shfaqjet e përbashkëta, por ne e realizuam bashkëpunimin. Po. Buxhet ende nuk ka, por është vullneti i mirë, dëshira e mirë dhe ne ia dolëm”.  Kështu u shpreh Kerni, ndërsa drejtori i Baletit të Kosovës, Brahimaj, shprehet se bëhet fjalë për një trupë të re, dhe si rrjedhojë “i mungon përvoja e shkollës së baletit të Tiranës”. Megjithatë, sipas Brahimaj, Baleti i Kosovës ka arritur në nivel të lartë falë bashkëpunimit me koreografë të njohur nga shkolla e Tiranës, siç është Ilir Kerni, por dhe nga vendet e tjera si Italia.

Tashmë, drejtori i Baletit të Kosovës Ahmet Brahimaj, e sheh ardhjen për shfaqje në Tiranë si një epokë të re të bashkëpunimit mes dy vendeve, ndërsa ka theksuar se “Politika e të dyja shteteve duhet të ndërhyjë që të vendoset dhe rrënjoset ky bashkëpunim”. Brahimaj në këtë rast e ka fjalën për fondet, të cilat sipas drejtuesve përkatës të dy institucioneve kanë krijuar mjaft vështirësi për të arritur deri në dhënien e shfaqjes. Bashkëpunimit mes dy trupave i shtohet edhe premiera “Balloja e Diplomës” e punuar nga Ilir Kerni me trupën e Baletit të Kosovës, që do të ngjitet në skenë ditën e hënë, ora 19.00 në TKOB, Tiranë.

Shkrimi u publikua sot (16.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë

E zezë apo indiane? Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris, reagon Shtëpia e Bardhë