Baleti “Ëndrra një nate vere” në
skenë me 100 balerinë shqiptarë

Baleti “Ëndrra një nate vere” në<br />skenë me 100 balerinë shqiptarë
TIRANE - Baleti “Ëndrra e një nate vere”, mbështetur në veprën e Shekspirit, me muzikë të Mendelson Barthold, në fund të majit do të ngjitet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Koreografi dhe regjisori i kësaj premiere Arjan Sukniqi ka filluar provat me trupat kombëtare të baletit, ndërkohë që pas një jave pritet të vijnë nga Athina edhe dy primabalerinë më të njohur shqiptarë, të cilët prej 15 vjetësh zhvillojnë karrierën në shtetin fqinj, Greqi.

Sukniqi pohon se shfaqja do të ketë përmasa të mëdha skenike, ku do marrin pjesë rreth 100 balerinë. Trupat e balerinëve do të jenë përkatësisht nga Teatri i Operës dhe Baletit dhe nga Shkolla e Baletit në Tiranë. Dy solistët e famshëm të baletit që performojnë në Teatrin Kombëtar të Athinës kanë kryer studimet në Shkollën e Baletit në Tiranë.

Sapo kanë mbaruar studimet ata kanë mërguar në Greqi dhe kanë shënuar suksese edhe në shkallë ndërkombëtare në karrierën e tyre. Sukniqi thotë se premiera “Ëndrra e një nate vere” bëhet e rëndësishme për faktin se do të ketë “dy të ftuar specialë në shfaqje, dy protagonistë të cilët janë prej 15 vjetësh solistë të parë në Athinë”.

Këta janë balerinët shqiptarë Danilo Zeka dhe Altin Koruti. Koreografi dhe regjisori i kësaj shfaqjeje flet për kontributin dhe sukseset e balerinëve, të cilët pas një jave do të vijnë nga Athina në Tiranë për të marrë rolet kryesore në premierën “Ëndrra e një nate vere”. Ndërkohë, Sukniqi rrëfen për Shqiptarja.com edhe konceptin e veprës së Shekspirit të transfiguruar në balet.

Arian në ç’vite kanë ikur Danilo Zeka dhe Altin Koruti nga Shqipëria. Si i keni njohur ju vetë këta balerinë?
-Kanë ikur pas viteve ‘90. Sapo kanë mbaruar premierën “Romeo e Zhuljeta” në Teatrin Kombëtar të Operas së Athinës, ku në mediat greke është folur edhe për suksesin e tyre. Unë i njoh mirë sepse ata kanë mbarur Shkollën e Baletit në Tiranë. Dhe sigurisht i njoh se kam punuar me ta. Në Athinë janë shumë balerinë nga Shkolla e Baletit të Tiranës.

Janë 10 balerinë shqiptarë që punojnë atje. Danilo Zeka njihet për talentin dhe famën e tij, por edhe Altin Koruti ka shënuar sukses në Athinë si solisti i parë i baletit “Zorba” dhe ka përfaqësuar edhe Greqinë në garën olimpike të zhvilluar më 16 shtator 2012 në amfiteatrin e madh “Herodion”, në këmbë të Akropolit të Athinës.

Kjo ka qenë një gala ndërkombëtare baleti me pjesëmarrjen e shumë yjeve të njohura botërore që viinin nga teatro të shquara të Evropës. Rreth 5000 spektatorë kanë duartrokitur gjatë balerinin shqiptar Danilo Zekën. Balerini Zeka është bërë i njohur tashmë edhe nga performancat e tij në mjaft teatro të njohura botërore.

E keni ndjekur në vijimësi ju karrierën e dy balerinëve shqiptarë të ikur nga shkolla e Tiranës?
-Sigurisht. Ata janë në nivele të larta, shumë seriozë. Janë solistë që mbajnë të gjithë veprimtarinë koreografike të Athinës për më shumë se 15 vjet. Janë talente. Por shkolla jonë e baletit ka të shpërndarë dhjetëra talente të tjera në vende të ndryshme të botës, të cilët janë larguar nga Shqipëria gjatë këtij 10-15 vjetëshi.

Është Eno Peçi primablerinë në operën e Vjenës. Është Altin Kofina primabalerin në Hollandë. Është Sokol Bida në Gjermani, Leorard Veizi në Gjermani, e shumë të tjerë që kanë një karrierë të suksesshme.

Cili është koncepti regjisorial dhe koreografik për këtë vepër të Shekspirit?
-Baleti “Ëndrra e një nate vere”, është një shfaqje ku mbizotëron grotesku. Shekspiri ka dashur të japë mesazhin se ndjeshmëria e njeriut e kalon çdo barrierë për t’u afirmuar. Ngjarjet zhvillohen në Greqinë e lashtë, në mentalitetin e kohës. Këtu ka një mori ngjarjesh të cilat zhvillohen të atilla që të japim më shumë mundësi për vënien në dukje të një fakti njerëzor, që në çdo kohë arrin të trajtohet me mënyra të ndryshme, të një fakti real, siç është ëndrra.

Ku penetron ajo në ndjesitë e njeriut, arrin të realizohet në rrugë e forma të ndryshme. Premiera do të jetë e përmasave të mëdha, ku do të ngjiten në skenë rreth 100 balerinë, përfshi trupën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë në bashkëpunim me Shkollën e Baletit. Shfaqja do të jetë gati në fund të majit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset