Kështu është shprehur koloneli i Forcave të Armatosura Ardian Bali i ftuar në studion e televizionit A1 Report ku bëri një panoramë të gjithë situatës në zonat e përmbytura në jug të vendit si pasojë e reshjeve.
Në fjalën e tij kolonel Bali, i pranishëm në mesin e forcave të shpëtimit dhe evakuimit të banorëve në këto zona, theksoi se lidhur me këtë fatkeqësi natyrore është bërë maksimumi nga ana e instancave përkatëse për të qenë sa më pranë familjeve të përmbytura.
Koloneli i FA-së u shpreh optimist se duke vijuar në këtë drejtim, me koordinim të të gjitha instancave do të mund të rimëkëmben zonat dhe familjet e prekura brenda një kohe të shkurtër.
“Situata po vjen duke u përmirësuar falë edhe angazhimit të të gjithë strukturave. Kemi pasur bashkëpunim me prefektin e Vlorës dhe kryekomunarin e Novoselës. Ne jemi fokusuar në operacionet e kërkim-shpëtimit, veçanërisht për ata banorë që nuk iu përgjigjen thirrjes për evakuimin e zonave. Më pas u përqendruam në grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave. Me një mirë bashkëpunim edhe të instancave të tjera kjo fazë do të kalojë shumë shpejt. Në çdo operacion, ne jemi të parët të cilët operojmë. Mendoj se është bërë maksimumi si nga pushteti vendor ashtu edhe qeveria. Është bërë ndërhyrja në kohë por nga trupat tona në momentin që jemi angazhuar është bërë maksimumi për shpëtimin dhe evakuimin e banorëve. ” u shpreh Bali
Sa i përket vështirësive në punë gjatë këtyre ditëve, Ardian Bali tha se ato kanë qenë të pranishme për shkak edhe të prurjeve të mëdha lumit Vjosa që nuk janë parë që në vitin 1971.
Ndërsa lidhur me ndihmat që po jepen, Bali u shpreh se është normale që të ketë pakenaqësi për aq kohë sa të gjithë duan që ndihmat të vijnë të parët tek gjithsecili prej tyre, ndërsa shton se listat janë hartuar nga instancat vendore.
Më poshtë intervista e plotë e kolonelit të FA Ardian Bali dhënë për A1 Report:
Ku ishte fokusuar puna juaj?
Për shkak edhe të situatës së rënduar, FA janë fokusuar edhe në dhënien e ndihmave, dhe fokusi kryesor ka qenë Novosela në Vlorë.
Ku konsiston ndihma?
Do të doja ta filloja nga struktura që unë drejtoj. Është e vetmja strukturë për dhënien e ndihmës civile në raste të fatkeqësive natyrore. Ne kemi pasur angazhim që në momentet e para, edhe në operacione të kërkim-shpëtimit. Mund të them se për shkak edhe të natyrës së punës, pas kalimit të fazës kritike ka nisur dhënia e ndihmës për banorët dhe për bagëtitë.
Ndalemi pak te ndihmat e dhëna. Si paraqitet në këndvështrimin tuaj situata dhe sa familje kanë nevojë për ndihmën tuaj?
Situata po vjen duke u përmirësuar falë edhe angazhimit të të gjithë strukturave. Kemi pasur bashkëpunim me prefektin e Vlorës dhe kryekomunarin e Novoselës. Ne jemi fokusuar në operacionet e kërkim-shpëtimit, veçanërisht për ata banorë që nuk iu përgjigjen thirrjes për evakuimin e zonave. Më pas u përqendruam në grumbullimin dhe shpërndarjen e ndihmave. Komplet komuna e Novoselës ka qenë në rast nevoje për ushqim, veshmbathje etj.
Sa forca jeni në terren?
Operacionet e kërkim-shpëtimit nuk mund të kryhen nga njerëz të specializuar, ndërsa faza tjetër kërkon njerëz të motivuar për shpërndarje ndihmash dhe për t’u qëndruar pranë banorëve.
Ku është problematika më e madhe? Ka filluar edhe kujdesi për bagëtitë?
Është një operacion kompleks jo vetëm me ndihmën e FA, por edhe faktorë të tjerë civilë, që kanë secili pjesën e vetë të punës. Ne nuk jemi fokusuar vetëm në dhënien e ushqimeve dhe ndihmave për popullsinë, por ka pasur edhe donacione dhe ndihma edhe për bagëtitë.
Si bëhet ndërhyrja?
Fillimisht në operacionet e kërkim-shpëtimit por edhe për shkak të thellësisë së ujit kemi operuar edhe me varka.
Si ishte e koordinuar puna në fillimet e saj?
Kërkesave të pushtetit vendor për largimin nga zonat e përmbytura jo të gjithë i janë përgjigjur. Rast pas rasti në kemi vepruar edhe në koordinim me strukturat vendore. Dilnim dhe bënim edhe inspektimet tona në terren.
Cili ka qenë momenti më i vështirë në punën tuaj?
Operacioni mbi lumin Vjosë për të bërë të mundur rikthimin e energjisë në komunën e Novoselës. Linja kishte rënë dhe duhej ndërhyrja jonë për rikthimin e energjisë, dhe pastrimin e linjës nga barishtet që nuk lejonin të vinte energjia.
Ka patur edhe bagëti të ngordhura. Në gjykimin tuaj?
Mendoj se është bërë maksimumi si nga pushteti vendor ashtu edhe qeveria. Është bërë ndërhyrja në kohë por nga trupat tona në momentin që jemi angazhuar është bërë maksimumi për shpëtimin dhe evakuimin e banorëve.
Me çfarë keni ndërhyrë?
Ne kemi pajisje speciale, janë varka me motor. Është ndërhyrë vetëm me motorr të fuqive të larta.
A keni hasur vështirësi si pasojë e mosbindjes së banorëve për të lënë banesat e tyre?
Komunikimi me njerëzit është art në vete, dhe ne jemi përpjekur t’i mirëkuptojmë dhe nëse gjen gjuhen duhur gjen edhe mënyrën e mirëkuptimit. Probleme ka.
Çfarë nënkupton?
Secili kërkon të jetë i parë në përfitimin e këtyre ndihmave. Është pushteti vendor që ka hartuar këta lista dhe trupat ushtarake kanë qenë nën trysninë e këtyre kërkesave.
Sa do të zgjasë kjo situatë?
Me një mirë bashkëpunim edhe të instancave të tjera kjo fazë do të kalojë shumë shpejt. Në çdo operacion, ne jemi të parët të cilët operojmë.
Është kjo situata më delikate apo ka pasur edhe situata të tjera?
Prej vitit 1971 Vjosa nuk ka pasur kurrë rreziqe të tilla. Është një situatë delikate që kërkon edhe ndërgjegjësimin e banorëve të zonës që të zbatojnë ato detyrime dhe udhëzime nga pushteti vendor.
Ju gjykoni se kjo neglizhencë e ka bërë më komplekse këtë situatë?
Normalisht që gjithnjë në një situatë jo normale puna gjithmonë vështirësohet. Nuk ishte e lehtë të operoje me varka në ato rryma të Vjosës. Kamionët tonë kanë bërë të mundur edhe kalimin me rreth 1.5 metër ujë.
Ku po punoni në zonat e caktuara?
Vazhdon i njëjti grup, është dhënë maksimumi nga këta trupa dhe nuk janë kërkuar ndihma shtesë për këto zona.
Ku duhet të jetë e fokusuar puna veç Novoselës?
Po vazhdohet edhe në zonën e Fierit me të njëjtin intensitet. Po shpërndan ndihma për banorët e zonës, për bagëtitë.
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)