TIRANE-Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon nga Gjykata sekuestrimin e resortit turistik “Santa Quaranta” si dhe disa prona të familjes Balili.

Kjo kërkesë vjen një vit pas verifikimit të pasurisë së familjes së Klement Balilit, ish-kreut të Transporteve në Sarandë, i dyshuar nga shteti grek si trafikant droge.

Report Tv ka mësuar se sekuestroja preventive për mostjetërsimin e këtyre pronave është kërkuar në Gjykatë dhe bëhet fjalë për prona sic janë trojet, dyqanet, shtëpi private, disa apartamente në qytetin e Sarandës. Prona me e madhe nderkaq eshte resorti "Santa Quaranta".

 

Klement Balili është person në kërkim për llogari të drejtësisë greke dhe asaj shqiptare dhe i dyshuar si personi që drejtonte një grup kriminal të trafikut të drogës në Ballkan drejt Europës. Ndryshe ai njihej dhe si Eskobari i droges ne Ballkan.

Vetë ai e mohoi këtë akuzë në të vetmen dalje publike ne Report Tv dhe këtë e beri pak ditë pas urdhër-arrestit grek dhe nga ajo ditë është zhdukur duke iu fshehur policisë.

Por policia greke mendon ndryshe.
"Për transportin e lëndës narkotike (kanabis të papërpunuar) nga Shqipëria në Greqi  dhe Europën Lindore, Balili kishte rolin e sponsorit dhe të organizatorit dhe drejtonte transportin në sasi shumë të mëdha  me rrugë tokësore me kamiona të mëdha dhe nga deti me skafe. Krahu i tij i djathtë që merrej me transportin dhe magazinimin nga Greqia e tutje ishte Alifandi Georgio,”-  thuhet në një dokument të policisë greke.Momentalisht Balili vijon të qëndrojë në kërkim policor.

Strukturat policore kanë kryer disa kontrolle në zonën e Delvinës dhe Sarandës, por skanë arritur të gjejnë asnjë gjurmë të Klemend Balilit.

Er.K/Shqiptarja.com