Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla akuzoi Sali Berishën se ka punuar kundër Hashim Thaçit dhe ka takuar rusin që hartoi raportin që i hapi rrugë ngritjes së Gjykatës Speciale. Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se Berisha është i vetmi deputet që ka takuar Konstantin Kosachev. Balla tha se Rama ka luftuar më shumë se kushdo për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së.

“I bashkohem falënderimit të kryetarit të Kuvendit për dakordësinë që arritëm në deklaratën e sotme, shenjë pjekurie politike dhe përgjegjësie të madhe. Të gjithë sekretarët me radhë marrin fjalën, dalin tej deklaratës së përbashkët dhe drejtojnë gishtin për fajësi, për përgjegjësi politike të mazhorancës dhe kryeministrit, edhe pse besoj se biem të gjithë dakord që, në ka një ndër ne 140 deputetët e Kuvendit që ka luftuar më shumë për pafajësinë e çlirimtarëve, ai quhet Rama.

Në anën e kundërt të historisë, në ka një person që, të paktën ndaj Hashim Thaçit, ka qenë më agresiv, më i dëmshëm, është Sali Berisha, sepse e dini fare mirë deklaratën e tij publike se Thaçi duhet të shkojë në Hagë, ku duhet të pastrohet.

I vetmi në këtë sallë që e ka takuar iniciuesin, shkruesin e këtij raporti, rusin Konstantin Kosachev, ai quhet Sali Berisha. Nuk ka një të dytë që ta ketë takuar. E ka takuar vetëm 40 ditë nga 25 janari i vitit 2015, kur është votuar rezoluta në KiE, kur kjo parti ka qenë në anën e duhur të historisë, ndërsa ju keni votuar pro rezolutës që ngriti gjykatën në Kosovë. Këto teatrot se ju jeni atdhetarët, se ne qenkemi tradhtarët, lërini për një kohë tjetër”, tha Balla.

Fjala e Ballës erdhi pasi Kuvendi doli me një deklaratë të përbashkët kundër dënimit të Hagës për liderët e UÇK-së, ndërsa opozita më herët kishte akuzuar kryeministrin Edi Rama se i futi thikën pas shpine Kosovës.


Lajmi kryesor:

Dënimi i liderëve të UÇK, Kuvendi i Shqipërisë me deklaratë të përbashkët: Vendim i padrejtë, një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli