PS dhe PD ulën përkohësisht armët. Dënimi i katër liderëve të UÇK-së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit i ka bashkuar ata në zhgënjimin ndaj gjykatës së Hagës.
Ndaj, në të parën seancë, një ditë pas vendimit, deputetët miratuan unanimisht me një deklaratë të përbashkët tw Kuvendit, të hartuar nga Igli Hasani dhe Albana Vokshi, që e vuri theksin te lufta e drejtë e UÇK-së dhe pafajësia e udhëheqësve të saj.
"Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën. Nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së", tha Niko Peleshi.
Kreu i parlamentit thotë se Kuvendi do të angazhohet në denoncimin e gjenocidit serb në çdo institucion ndërkombëtar.
"Kuvendi i Shqipërisë angazhohet që në të gjitha forumet ndërkombëtare të denoncojë krimet e regjimit serb të Slobodan Milosheviçit në Kosovë, përfshirë aktet gjenocidale, krimet e luftës dhe dhunën seksuale gjatë luftës; të kërkojë drejtësi për viktimat dhe të dënojë mungesën e angazhimit të autoriteteve serbe për zbardhjen e këtyre krimeve, vendosjen e përgjegjësisë dhe garantimin e drejtësisë për viktimat", tha Peleshi.
Thirrja shkoi edhe në drejtim të dy qeverive në Tiranë e Prishtinë:
"Të koordinojnë veprimet, me qëllim korrigjimin e kësaj padrejtësie në rrugë institucionale", vijoi Peleshi.
Pavarësisht duartrokitjeve, në sallë pati mungesa të rëndësishme. As kryeministri Edi Rama nuk erdhi dhe as Sali Berisha nuk qëndroi. Ai u largua menjëherë pasi kishte artikuluar akuzat se kryeministri shqiptar është pjesë e fajit të veprimeve që çuan drejt dënimit të 4 liderëve të UÇK-së.
“I futi thikën pas shpine Kosovës, shkoi dhe diktoi votimin e një ligji që nuk votohej kurrë. Shkoi i deleguar i Aleksandër Vuçiç. Shkoi kreu porositë e Vuçiç, e dëgjove o kryetar të thotë një fjalë të vetme. Çfarë tha ai për këtë që ndodhi në Hagë.”, tha Berisha.
"Në anën e kundërt të historisë, në ka një person që, të paktën ndaj Hashim Thaçit, ka qenë më agresiv, më i dëmshëm, është Sali Berisha, sepse e dini fare mirë deklaratën e tij publike se Thaçi duhet të shkojë në Hagë, ku duhet të pastrohet. I vetmi në këtë sallë që e ka takuar iniciuesin, shkruesin e këtij raporti, rusin Konstantin Kosachev, ai quhet Sali Berisha. Nuk ka një të dytë që ta ketë takuar", iu përgjigj Balla.
Më herët, në nisje të seancës plenare, PD tha se nuk mjafton vetëm deklarata e përbashkët. Për të detyra e Kuvendit është të dënojë zyrtarisht përmes një rezolute gjenocidin serb mbi Kosovën, në përmbajtje të së cilës duhet të jetë kërkesa ndaj shtetit të Serbisë të njohë Kosovën.
Deklarata e plotë e Kuvendit kundër dënimit të Hagës
Kuvendi i Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë me një vendim që e konsideron thellësisht të padrejtë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Kuvendi i Shqipërisë rithekson një të vërtetë historike që nuk mund të relativizohet: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ishte lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës dhe përndjekjes dhe për të fituar të drejtën për të jetuar të lirë në vendin e vet. Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit sistematik, dhunës, spastrimit etnik dhe genocidit të kryer nga regjimi i Slobodan Milosheviçit. Pa luftën dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtimit gjakatar serb, historia e çlirimit të Kosovës nuk mund të kuptohet. UÇK-ja ishte forcë vendimtare e rezistencës së popullit të Kosovës dhe e rrugës që çoi drejt çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së saj. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë të pandashëm nga kjo histori, nga lufta për çlirim dhe nga rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së saj.
Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën. Nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së.
Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për standardet e dyfishta në trajtimin e së kaluarës së përgjakshme të rajonit. Nderimet publike dhe shtetërore që u rezervohen personave të dënuar për krime lufte, si edhe glorifikimi i figurave të lidhura me gjenocidin dhe spastrimin etnik, përfshirë Ratko Mladiçin, cenojnë kujtesën e viktimave, pengojnë pajtimin dhe bien ndesh me vlerat europiane.
Kuvendi qëndron kundër çdo përpjekjeje të Serbisë dhe Rusisë për ta instrumentalizuar politikisht këtë proces, për të relativizuar krimet e regjimit të Miloševićit dhe për të delegjitimuar luftën çlirimtare, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.
Kuvendi i Shqipërisë qëndron në solidaritet të plotë me Kosovën, popullin dhe institucionet e saj, si dhe pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe familjeve të tyre.
E palëkundur mbetet bindja jonë në pafajësinë e tyre dhe po aq e palëkundur mbetet e vërteta historike: UÇK-ja luftoi për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.
Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit. Kuvendi pret që të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit të ndiqen deri në fund, duke garantuar respektimin e plotë të standardeve të procesit të rregullt ligjor.
Kuvendi i Shqipërisë angazhohet që:
Në të gjitha forumet ndërkombëtare të denoncojë krimet e regjimit serb të Slobodan Milosheviçit në Kosovë, përfshirë aktet gjenocidale, krimet e luftës dhe dhunën seksuale gjatë luftës; të kërkojë drejtësi për viktimat dhe të dënojë mungesën e angazhimit të autoriteteve serbe për zbardhjen e këtyre krimeve, vendosjen e përgjegjësisë dhe garantimin e drejtësisë për viktimat.
Të koordinojë veprimet me Kuvendin e Kosovës, dhe i bën thirrje të dyja Qeverive tona që gjithashtu të koordinojnë veprimet, me qëllim korrigjimin e kësaj padrejtësie në rrugë institucionale.
Lajmi në përditësim....

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla akuzoi Sali Berishën se ka punuar kundër Hashim Thaçit dhe ka takuar rusin që hartoi raportin që i hapi rrugë ngritjes së Gjykatës Speciale. Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se Berisha është i vetmi deputet që ka takuar Konstantin Kosachev. Balla tha se Rama ka luftuar më shumë se kushdo për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së.
“I bashkohem falënderimit të kryetarit të Kuvendit për dakordësinë që arritëm në deklaratën e sotme, shenjë pjekurie politike dhe përgjegjësie të madhe. Të gjithë sekretarët me radhë marrin fjalën, dalin tej deklaratës së përbashkët dhe drejtojnë gishtin për fajësi, për përgjegjësi politike të mazhorancës dhe kryeministrit, edhe pse besoj se biem të gjithë dakord që, në ka një ndër ne 140 deputetët e Kuvendit që ka luftuar më shumë për pafajësinë e çlirimtarëve, ai quhet Rama.
Në anën e kundërt të historisë, në ka një person që, të paktën ndaj Hashim Thaçit, ka qenë më agresiv, më i dëmshëm, është Sali Berisha, sepse e dini fare mirë deklaratën e tij publike se Thaçi duhet të shkojë në Hagë, ku duhet të pastrohet.
I vetmi në këtë sallë që e ka takuar iniciuesin, shkruesin e këtij raporti, rusin Konstantin Kosachev, ai quhet Sali Berisha. Nuk ka një të dytë që ta ketë takuar. E ka takuar vetëm 40 ditë nga 25 janari i vitit 2015, kur është votuar rezoluta në KiE, kur kjo parti ka qenë në anën e duhur të historisë, ndërsa ju keni votuar pro rezolutës që ngriti gjykatën në Kosovë. Këto teatrot se ju jeni atdhetarët, se ne qenkemi tradhtarët, lërini për një kohë tjetër”, tha Balla.
Fjala e Ballës erdhi pasi Kuvendi doli me një deklaratë të përbashkët kundër dënimit të Hagës për liderët e UÇK-së, ndërsa opozita më herët kishte akuzuar kryeministrin Edi Rama se i futi thikën pas shpine Kosovës.
Deputetja socialiste Elisa Spiropali e ka cilësuar si një precedent të rrezikshëm vendimin e djeshëm të Dhomave të Specializuara për Kosovën në Hagë, të cilat dënuan me 81 vite burg në total 4 ish-krerët e UÇK-së.
Gjatë fjalës së saj në Parlament, Spiropali tha se gjykimet në Hagë kanë përmbysur raportin e dënimeve për viktimën që është Kosova dhe agresorin që është Serbia.
Më tej Spiropali tha se qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës duhet të ketë 2 ‘deje’ financiare që të ushqejnë betejën për mbrojtjen e luftëtarëve të UÇK-së në Hagë.
“Duket qartazi që ai vendim mizor, i padrejtë dhe një precedent i rrezikshëm për atë që vjen, nuk ka si mos të lidhet edhe me rastin e Ukrainës, për të mos thënë që është ndoshta dëmi më i madh që duhet riparuar në Apel, përsa i takon kujtesës tonë kolektive dhe të drejtës tonë historike. Është e pashmangshme që të flasim sot për luftën për liri të Ukrainës apo vendeve të tjera që luftojnë për sovranitetin e tyre dhe të mos e kthejmë kokën te ajo që ndodh në Kosovë, duke parë edhe kontekstin historik. Ne mund të flasim për proporcionalitetin dhe raportin e viktimës me agresorin, që në këtë rast dhe gjykimet e vazhdueshme për Hagën janë kthyer përmbys. Duke nisur nga fakti që vetë Dhomat e Specializuara në Hagë janë krijuar mbi lajme të rreme e raporte të sponsorizuara.
Shtëpia e Verdhë rezultoi të ishte një farsë. 13 mijë të vrarë në Kosovë. 1500 njerëz të masakruar pa varr, të pagjetur ende. Të padënuar ata që kryen këto masakra. UÇK u ngrit për të mbrojtur gratë e dhunuara dhe fëmijët. Sot kemi ministre në Qeverinë e Serbisë që flet me krenari se po të kishte qenë ajo, do ishin vrarë edhe më shumë. Të bashkohemi të gjithë në një përpjekje të fortë kombëtare, institucionale e financiare, pasi kam qenë vetë në Hagë dhe i kam takuar, sforcimi financiar i familjeve të katër luftëtarëve është i llahtarshëm. Duhet të ketë edhe këtu në Qeverinë e Shqipërisë, edhe në Kosovë, dy deje financiare që ushqejnë betejën për mbrojtjen e luftëtarëve në Hagë. Çfarë duhet të ndodhë, duhet që Jakup Krasniqi, që ishte zëdhënësi i UÇK-së të vdesë në burg?”, tha mes të tjerash Spiropali.

Sali Berisha akuzoi në Kuvend kryeministrin Edi Rama se i futi thikën pas shpine Kosovës, duke folur pas vendimit të liderëve të UÇK-së nga Haga. Berisha tha se Rama shkoi si i deleguar i Vuçiç në Kosovë për të diktuar votimin për ngritjen e Gjykatës Speciale.
“I futi thikën pas shpine Kosovës, shkoi dhe diktoi votimin e një ligji që nuk votohej kurrë. Shkoi i deleguar i Aleksandër Vuçiç. Shkoi kreu porositë e Vuçiç, e dëgjove o kryetar të thotë një fjalë të vetme. Çfarë tha ai për këtë që ndodhi në Hagë. Ku e keni ministrin”, tha Berisha.
Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, është përplasur me mazhorancën në Kuvend për qëndrimin ndaj dënimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Zhupa akuzoi kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e krijimit të Gjykatës Speciale dhe kërkoi që Kuvendi të bashkohet për miratimin e një rezolute qw dwnon gjenocidin serb.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi tha se do të votohet një deklaratë për Kosovën, por opozita këmbëngul se ajo nuk ka të njëjtën peshë me një rezolutë.
“Rama ka shkuar me avion special në Kosovë për të kërkuar që të votoni për Gjykatën Speciale. Ka qenë qëndrimi i Ramës në krah të Vuçiçit për të ndërtuar Ballkanin e Hapur. Veprimet tuaja kanë treguar dhe kanë vërtetuar shprehjen e Faik Konicës: ‘Armiku më i keq i shqiptarit është vetë shqiptari’. Jeni armiqtë e Shqipërisë nëse nuk ngriheni sot, pas atij vendimi të dënimit, dhe të bashkoheni për një rezolutë. Nuk ka të njëjtën vlerë me një deklaratë të miratuar të Kuvendit. Ju jeni mësuar që t’u bëni dëme shqiptarëve brenda dhe jashtë kufirit, siç silleni sot me gjithë shqiptarët, si pushtues”, tha Zhupa.
Deputeti i PD-së, Tritan Shehu u ndal te vendimi i djeshëm nga gjykata e Hagës që dënoi ish-krerët e UÇK-së.
“Kush e bëri gjenocidin? Hordhitë e Millosheviçit. Dje pamë një çmim të paguar për heshtjen tonë. Dje kemi depozituar atë rezolutë në Kuvendin shqiptar, duke kërkuar miratimin e saj. Kërkoj që ta fusim sot në rend dite dhe ta miratojmë këtë rezolutë. Rezoluta është tjetër gjë, se ka të bëjë me gjenocidin serb, ndërsa deklarata e përbashkët e komisionit të jashtë është tjetër gjë”, tha Shehu.









Komente
Komento