Balla: Argita shfrytëzon postin e
babait për konsulenca investitorëve

Balla: Argita shfrytëzon postin e <br />babait për konsulenca investitorëve
TIRANE - Partia Socialiste ka vazhduar ditën e sotme të dëshmojë fakte, që sipas saj vajza e Kryeministrit Argita Berisha shfrytëzon postin e babait të saj. Në një konferencë për shtyp, deputeti i PS-së, Taulant Balla ka treguar rastin e një investitori të huaj, i cili erdhi në Shqipëri për të propozuar një projekt në fushën e energjisë dhe pasi takoi Kryeministrin shkoi në zyrën e konsulencës së vajzës.

“Dua të sjell para publikut një nga shembujt që na bëjnë ne të dyshojmë fort se vajza e Kryeministrit e shfrytëzon që ç’ke me të pozitën shtetërore të babait. Më shumë se kaq, nga ky shembull del se Argita dhe babai kanë ndarë punët brenda shtëpisë për të rritur të ardhurat e familjes në bashkëpunim: Babi Saliu, përmes influencës dhe vajza Argita përmes konsulencës. Rasti që do t'ju tregojmë është ai i një investitori të huaj, i cili është edhe konsull nderi i Shqipërisë në vendin e tij të origjinës. Ky mik i Shqipërisë erdhi në vendin tonë për të propozuar një projekt me rëndësi strategjike në fushën e energjisë. Takoi dhe Saliun dhe me marifet u gjet rruga e zakonshme që i çon investitorët nga zyra kryeministrore e babait në zyrën e konsulencës së vajzës. Dhe këtu fillon odiseja rrënqethëse e zotërisë që erdhi në Shqipëri me një projekt zhvillimi dhe u tërhoq nga Shqipëria pas një korrespondence me Argita Berishën, kërkesat e së cilës ishin të papërballueshme”, deklaroi Balla.

Më tej deputeti Balla i ka ngritur një pyetje Argita Berishës në lidhje me tërheqjen nga investimi të biznesmenit Zafar Ansarit duke shtuar se familja e kryeministrit është e mirëkoordinuar dhe fakti që tani të dy fëmijët e rritur të Saliut janë kthyer edhe në baltëhedhës ndaj opozitës e konfirmon këtë më së miri.

“A keni gjë për të thënë për konsulencën që i keni dhënë investitorit Zafar Ansar dhe për tërheqjen e tij nga investimi pas komunikimit të gjatë me ju? Ne i presim këto përgjigje dhe balta që ju hidhni përditë ndaj opozitës me shpifje, me të cilat vetëm mund të qeshësh, nuk ndihmon në sqarimin e publikut padyshim, po as nuk na jep ne mundësinë të kalojmë në temën tjetër të transparencës sonë. Sigurisht, ne nuk kemi pse të dyshojmë që praktika e ndjekur prej Argitës dhe babait të saj kryeministër, në rastin e zotit Zafar Ansar, nuk është një praktikë standarde”, theksoi Balla.

ARGITA: EDI RAMA SHPIF PER NE, LINDA FSHEH "DHURATEN" 100 MILIONESHE
Vajza e Kryeministrit Berisha, Argita Malltezi ka reaguar sërish në lidhje me akuzat e Partisë Socialiste për pasurinë e saj, bashkëshortit Jamarbër Malltezi dhe vëllait të saj Shkëlzen Berisha.

Nëpërmjet një deklarate për mediat Argita shprehet se akuzat të bëra publike përmes deputetit socialist Taulant Balla janë mashtrime dhe se të ardhurat e familjarëve të saj janë të deklaruara në ILDKP.

“I dalë boje nga mashtrimet 13 ditore mbi të ardhurat tona dhe burimin e tyre, tellalli i paguar i Ramës doli sot për gënjeshtrën e radhës, të cilën e ka përtypur pa sukses dhe para fushatës elektorale të 4 viteve më parë.
Sqaroj se, çdo e ardhur që kam fituar në kohën kur kam ushtruar aktivitetin e avokatisë duke zbatuar tarifat sipas vlerës së tregut dhe normës së fitimit të studiove ligjore në kryeqytet, është deklaruar në ILDKP dhe organe tatimore dhe tatuar sipas ligjit. Zotëria në fjalë nuk e finalizoi kurrë projektin për shkaqe personale. Asnjë shumë nuk është marrë prej tij apo çdo biznesmeni tjetër pa u deklaruar në organet tatimore dhe ILDKP”, bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të Argita Malltezit.

Sipas Argita Malltezit, Rama fsheh pasurinë e tij duke shpifur mbi të ardhurat e saj dhe familjarëve të tjerë.

“Z.Rama e kupton shumë mirë dallimin midis ligjshmërisë dhe deklarimit të burimit dhe fshehjes së burimeve siç bën e shoqja, por zgjedh shpifjen politike sepse standardi i z.Rama është fshehja e pasurisë së tij dhe shpifja.
Z.Rama, ne kemi dhënë dhe do të japim gjithmonë sqarime për transparencën e të ardhurave tona dhe burimeve të tyre, sepse ndryshe nga ti s’kemi asgjë për të fshehur”, shprehet Argita.

Vajza e Kryeministrit i ka mësuar akuza të bëra publike edhe më parë ndaj bashkëshortes së Ramës.

“Siç provohet nga deklarata e pasurisë, bashkëshortja juaj deklaron në mënyrë zyrtare se ka marrë pa interes 100 milionë nga një dhurues anonim
Refuzimi juaj për të treguar dhuruesin dhe arsyet që i shtyjnë njerëzit të jenë kaq bujarë me ju janë një kambanë e frikshme për standardet që ju zbatoni dhe i ofroni këtij vendi. Sa realiste duken sot akuzat që ju kanë bërë publikisht ndërtuesit e Tiranës se u ke kërkuar miliona euro për një leje ndërtimi. Çdo student drejtësisë do të pyeste mbi një rast të tillë, të denjë për t’u studiuar në orët e seminareve dhe leksioneve: a mos është 100 milionëshi i marrë nga gruaja juaj Linda Basha, një tentativë për të pastruar dhe ligjëruar një pjesë të parave”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Redaksia online
(eç/Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Shqipëri-BE marrëveshje bashkëpunimi për sigurinë e mbrojtjen, Rama: Lidhje e pandashme! Hasani: Luftojmë kërcënimet kibernetike

Shqipëri-BE marrëveshje bashkëpunimi për sigurinë e mbrojtjen, Rama: Lidhje e pandashme! Hasani: Luftojmë kërcënimet kibernetike