TIRANË- Në një kohë kur katër ish- luftëtarë të UÇK sot po përballen në Gjykatë, kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla thotë se kryedemokrati Lulzim Basha ka një provë shumë të rëndësishme.

Ai flet për një kasetë filmike që iu dorëzua nga Milaim Bellanica, një nga dëshmitarët e masakrës së Krushës, në kohën kur Basha punonte sipas tij punonjës/përkthues i UNMIK.

Në shkrimin e tij, numri 2 i socialistëve i bën thirrje Bashës që sot ta bëjë publike, të mos e fsheh pasi thotë se në atë kasetë ka ekzekutime, fjalime të ndryshme të serbëve në Krushë të Madhe dhe mund t'i shërbejë Kosovës për vendosjen e drejtësisë.

"Një ndër masakrat më të mëdha serbe ndaj popullit të Kosovës është ajo e Krushës. E vetmja kasetë filmike e plotë e kësaj masakre, sipas poseduesit të saj Milaim Bellanica ia kishte dorëzuar LULEZIM BASHËS, në atë kohë punonjës/përkthues i UNMIK. Kjo kasetë e plotë nuk u publikua kurrë dhe mbetet mister pse Lulezim Basha nuk e vuri në dizpozicion të hetimeve për krimet serbe në Kosovë. Milaim Bellanica është dëshmitar i masakrës së Krushës së Madhe i cili mundi të filmonte ekzekutime, fjalime të ndryshme të serbëve në Krushë të Madhe.

I bëj thirrje Lulezim Bashës të përgjigjet sot ku e ka fshehur këtë kasetë filmike dhe t’ia kthejë këtë provë të rëndësishme Kosovës dhe drejtësisë!

Marsi i vitit 1999 për krushjanët, ishte një ngjarje që do të mbahet përjetë në kujtesën e atyre që arritën të dalin të gjallë nga ajo masakër. Në natën e 24 marsit të vitit 1999, kur avionët e NATO-së filluan bombardimet mbi Serbinë, forcat pushtuese serbe në pamundësi për t’u përballur me forcat e NATO-së dhe UÇK-së, me mizori masakruan popullin e pambrojtur të Kosovës.

Ish-ministri i Jashtëm gjerman Joschka Fischer, bashkë me ish-Ministrin e Mbrojtjes Rudolph Scharping, me 23 qershor të vitit 1999 vizituan fshatin Krushë e Madhe. Joschka Fischer u shpreh: ”Kjo vizitë në Krushë të Madhe sërish më qartësoi se për çka kishim luftuar dhe se kishim vepruar drejt me vendimin, që Milosheviçin këtë herë ta konfrontonim ushtarakisht dhe me vendosmëri”.

Po ashtu edhe ish-ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Robin Cook, gjatë vizitës në Krushë më 24 qershor të vitit 1999 u shpreh: “Nuk do të mbyllim sytë para kësaj… kjo është e tmerrshme. Jam tepër i prekur dhe i emocionuar nga kjo… jemi duke i ndjekur ata që kanë instruktuar këto krime dhe fushatën sistematike të krimeve”.

Ende sot ende mbetet mister fati i të pagjeturve. Krushës i mungojnë dhe 65 persona, në mesin e tyre edhe intelektuali i përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare, profesori Ukshin Hoti. Zbardhja e fatit të këtij veprimtari të madh të çështjes kombëtare, dhe shumë të pagjeturve të tjerë është sprovë e ndërgjegjes sonë politike e kombëtare", shkruan Balla.

Lajm në përditësim 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:58
Balla publikon videon e të mbijetuarit të masakrës së Krushës, Bellanica: Filmimet ia kam dorëzuar Lulzim Bashës (VIDEO)

Sikurse është shprehur edhe më herët, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ka publikuar videon e Milaim Bellanicës, të mbijetuarit nga masakra e Krushës së Madhe.

Sipas tij, ai mundi të filmonte masakrat dhe ekzekutimet e serbëve në Krushë të madhe. Bellanica shprehet se iu drejtua medias ndërkomëbtare BBC për ta transmetuar.

Ai thotë se një kopje ia ka dhënë BBC ndërsa filmimet origjinale ia ka dhënë Lulzim Bashës, përkthyes i Gjyqit të Hagës në atë kohë.

"Ata më thonin se Serbi të ka dhënë para të mëdha që more guximin për të transmetuar në televizion këtë kasetë. Unë iu ktheva BBC për ta transmetuar. E kanë parë një herë regjistrimin. Kur e kanë parë fillimisht regjistrimin, ata të BBC filluan të qanin. Kemi bërë një marrëveshje që të më largonin mua jashtë Shqipërisë. Por nuk u bë asgjë. BBC e ka parë të gjithë inçizimin dhe kanë marrë kopjen. Origjinalin ja kam dhënë Lulzim Bashës. Më kanë marrë dhe më kanë çuar në një si sallon dhe më kanë regjistruar të gjithë deklaratën, ata kanë marrë kopjen ndërsa origjinalin ja kam dhënë Lulzim Bashës, përkthyesi i Gjyqit të Hagës" - thotë Bellanica.

Ora 11:05
Balla nga Elbasani: Kuvendi i Shqipërisë do i hedh poshtë të gjitha akuzat e Dick Marty! Basha ekspert i përbaltjes së luftës së Kosovës

Nga qyteti i Elbasanit, Taulant Balla tha se Kuvend do të hedhë poshtë të gjitha akuzat e që hidhen për Kosovën në raportin e Dick Marty, dhe këtë do e bëjnë nëpërmjet Komisionit të Posaçëm. Ai e cilësoi Bashën ekspert të përbaltjes së luftës së Kosovës.

“Basha ka qenë ekspert i përbaltjes së luftës së Kosovës. Nuk ka nevojë për lajme hidhëruese, por për solidaritet në respektimin e masave anti-COVID. Po hartojmë një dokument që do mund të ngrejë një komision të posaçëm që ka të bëje me një akt aspak shtetar të qeverise së vitit 2012 që në raportim e Dick Marty thuhej se në Shqipëri kishte një Shtëpi të Verdhë që dihet kush ka qenë. Pas raportit të Dick Marty ka pasur një investigim që nuk ka ndodhur asgjë në Shqipëri rreth asaj që është thënë. Kuvendi i Shqipërisë do qartësoje dhe do hedhë poshtë të gjitha akuzat e raportit te Dick Marty. Lulzim Basha të qartësojë rolin e tij në këtë histori. Në Kosovë ka patur genocid serb. Kundër luftëtareve të Kosovës janë ngritur palo akuza”, ka thënë Balla.