Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i kujtoi opozitës vrasjen e katër protestuesve më 21 janar, ndërsa në Kuvend diskutohej akti normativ për tubimet, që parashikon gjoba për aktet e dhunës gjatë protestave. Balla akuzoi PD-në se kishte strehuar në selinë e saj personat që hodhën molotovë ndaj policisë dhe se kishte paguar persona që, sipas tij, vodhën biznese gjatë protestave.
Me ironi, Balla i tha opozitës se nuk mund të flasë për dhunën në protesta kur më 21 janar protestuesit u qëlluan me plumba në mish dhe 4 prej tyre mbetën të vrarë. Ndërsa SPAK i bëri thirrje të hetojë gjithë zinxhirin komandues.
“Tani, e dashur Joridë, po më duket se edhe Tritani është më evropian se ti. Ky është degradimi i diskursit politik që vjen nga llogorja e SHQUP-it, magazina e molotovit. Dy gjëra qytetarët shqiptarë i dinë mirë. Së pari, kjo është protesta e vetme në Evropë ku numri i të lënduarve në radhët e policisë është më i madh se ai i protestuesve. Nuk ka një protestë tjetër në Evropë që të ketë këtë shifër. E vërteta është se edhe mes punonjësve të policisë ka pasur raste të rënda plagosjeje. Kemi një punonjës policie që kaloi orë të tëra në koma, pasi u godit pas koke me një mjet të rëndë prej çeliku. Kemi edhe një drejtues komisariati me syrin e dëmtuar rëndë.
Në debatin publik për këtë çështje, unë dua të them vetëm një gjë: kushdo që guxon të godasë një punonjës policie apo të mos zbatojë urdhrat e policisë, shkel rëndë ligjin dhe kryen një vepër penale, të cilën e kemi përcaktuar të gjithë bashkë këtu, sot dhe shtatë vite më parë.
Goditja e punonjësit të policisë për shkak të detyrës është vepër penale. Prandaj, Partia Demokratike, ose ajo që ka mbetur prej saj, duhet të kuptojë se respekti për Policinë e Shtetit duhet të jetë parimi i parë. Këtu fillon diskutimi.
Sa u përket protestuesve, ligji për tubimet ishte një ligj i vjetër. Megjithatë, edhe në atë ligj ishte sanksionuar ndalimi i përdorimit të maskave në tubime. Të gjithë personat e përfshirë në akte dhune dhe zjarrvënie gjatë kësaj proteste ishin të mbuluar, çka e bënte të vështirë identifikimin e tyre. Personat që marrin përsipër organizimin e tubimeve kanë edhe përgjegjësi për to.
Unë kam qenë një nga tre personat përgjegjës për organizimin e protestës së 21 janarit. Në fund të asaj proteste, prokuroria ka ardhur në Parlament dhe ka kërkuar heqjen e imunitetit për hetimin e ngjarjeve. Madje, kam qenë në këtë sallë kur i kërkova Parlamentit të votonte për heqjen e imunitetit, sepse mbaja përgjegjësi.
Në atë protestë u qëllua ndaj nesh me plumba kallashnikovi. Mbetën të vrarë katër protestues dhe u plagosën 26 të tjerë me plumba që u shkaktuan dëmtime në mish dhe në kocka.
Pasi sulmohet policia, pasi sulmohen të gjitha institucionet e shtetit, nga gjykatat te Banka e Shqipërisë dhe ministritë, pasi hajdutët që kishte sjellë me pagesë PD-ja vjedhin bizneset, vini këtu e flisni për të drejtat e njeriut? Në krye të partisë suaj ende keni një individ mbi të cilin rëndon një akuzë institucionale e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe e Gjykatës së Lartë, ku thuhet se për 21 janarin duhet të hetohet zinxhiri komandues i urdhrit për të qëlluar mbi protestuesit. Flisni ju për dhunë në protesta? E mban mend Saliun apo nuk e mban mend? Tha se nga mesi i protestuesve qëlluan me çadra-pistoletë.
Sa u përket akteve të dhunës, nuk ka diskutim. Jemi rasti i vetëm në Evropë ku personat që hodhën molotovë u mbyllën në selinë e PD-së dhe deputetët dolën te dera e SHQUP-it për të mos lejuar policinë të kryente veprimet që i takonin. Molotovi konsiderohet armë që mund të shkaktojë edhe vdekje. Keni goditur me molotovë punonjësit e policisë, u keni rrezikuar jetën dhe vini na bëni dëngla. Është detyrim i Kuvendit që ta votojë aktin normativ brenda 45 ditësh. Ta mbështesim ministrin e Brendshëm, Policinë e Shtetit dhe rritjen e pagave të punonjësve të policisë e të Gardës, që mbrojnë shtetin dhe demokracinë”, tha Balla.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Kuvend/ PD kundër aktit normativ për protestuesit e dhunshëm: Anti demokratike, tërhiqeni! PS: Selia juaj, fabrikë molotovësh! Nuk thatë një fjalë kundër djegies së policëve







