Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Taulant Balla, inspektoi punimet që po kryhen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për hapjen, sistemimin dhe asfaltimin e hyrje-daljeve në rrugën dytësore të qytetit të Kavajës.

Gjatë inspektimit, Balla tha se ndërhyrja i jep zgjidhje një problemi të kahershëm për banorët dhe bizneset e zonës, si edhe për aksesin drejt Spitalit të Kavajës.

“Banorët dhe bizneset e kësaj zone kanë pasur vështirësi të mëdha për të hyrë në qytet, për të shkuar në spital apo për të përdorur mbikalimin. Më mirë vonë sesa kurrë, ky problem më në fund po merr zgjidhje”, u shpreh ai.

Sipas Ballës, në planin e Ministrisë së Shëndetësisë është që Spitali i Kavajës të shndërrohet në një qendër rajonale urgjence, ndaj përmirësimi i infrastrukturës rrugore merr një rëndësi edhe më të madhe.

“Në momentin që spitali do të funksionojë si qendër rajonale urgjence, mbërritja atje do të numërohet me sekonda dhe jo me minuta. Në emergjencë, koha shpëton jetë”, deklaroi Balla.

Ai bëri të ditur se do t'i kërkohet Autoritetit Rrugor Shqiptar krijimi i një hyrje-daljeje të drejtpërdrejtë drejt spitalit, për të garantuar akses më të shpejtë.

Balla solli në vëmendje edhe rastin e një biznesi karburanti që kishte mbetur jashtë funksionit për shkak të mungesës së aksesit, ndërsa me hapjen e rrugës pritet të rikthehet në aktivitet.

Balla gjithashtu kërkoi më shumë angazhim për pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave përgjatë akseve rrugore, duke theksuar potencialin e Kavajës për t'u zhvilluar më tej.