Protestat në Tiranë kundër qeverisë kanë hyrë sot në ditën e 28-të, me një grup qytetarësh që kaluan natën para Kryeministrisë pas protestës së 27-të që u zhvillua mbrëmjen e djeshme në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit".

Report Tv zbuloi dje për publikun emrat e grupit koordinues të protestave që po mbushin tanimë javën e katërt të zhvillimit të tyre në Tiranë. Një letër drejtuar ambasadave në Tiranë mban emrat e 13 prej tyre. Letra, e cila përmban kërkesat tanimë të bëra publike që prej katër ditësh, përfaqëson edhe aksionin e parë zyrtar të protestës, e cila duket se po kërkon edhe njohjen e diplomacive perëndimore.

Lista me kërkesat e Dritan Goxhajt drejtuar qeverisë dhe kryeministrit nuk u harrua edhe në protestën e djeshme.

Pas fjalimeve, protestuesit nisën marshimin nëpër Tiranë, ku janë ndalur edhe te selia e PD-së duke thirrur në kor 'opozitë e shitur'.

Të gjithë kërkesat e artikuluara fillimisht nga Dritan Goxhaj janë:

"1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike dhe tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe miratimin me referendum popullor, duke përfshirë:

* ndryshimin e Kodit Zgjedhor;

* ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;

* kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës së një individi.

Nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare:

* Anulimin e ndryshimeve të bëra për zonat e mbrojtura.

* Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore.

* Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Pakti i Maleve”.

* Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.

* Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, që do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës. Këto janë kërkesat tona, legjitime dhe të panegociueshme. Mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore deri në realizimin e tyre.”

lajm në përditësim...