Kanë nisur hetimet ndaj 15 personave, organizatorë apo pjesëmarrës në protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se hetimet ndaj këtyre personave kanë nisur për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.
Policia sqaron se konkretisht protestuesit bllokuan qarkullimin në Rrugën e Elbasanit, zonën e 9-Katësheve, ish-Bllokun dhe segmente të Unazës. Po ashtu Policia thekson se u tejkalua orari dhe perimetri i lëvizjes së njoftuar paraprakisht para nisjes së protestës.
Ndërkohë në cilësinë e provës materiale, Policia njofton se u sekuestruan një automjet dhe 2 aparate celularë.
Reagimi i Policisë:
Tiranë-Procedohen penalisht 15 shtetas për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me tubimin e zhvilluar në Tiranë, strukturat e Policisë së Tiranës proceduan penalisht 15 shtetas, konkretisht:
A. G., G. P., A. T., D. G., L. K., E. S., A. K., E. L., V. D., G. K., A. P., Dh. C., A. B., L. G. dhe F. K., të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Nga veprimet hetimore rezultoi se tubimi, i njoftuar për t’u zhvilluar në intervalin kohor nga ora 19:00 deri në orën 22:00, në Sheshin “Skënderbej” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, vijoi në disa akse rrugore të kryeqytetit, konkretisht në Rrugën e Elbasanit, zonën e 9-Katësheve, ish-Bllok dhe segmente të Unazës, ku u bllokua qarkullimi i automjeteve, në tejkalim të orarit dhe perimetrit të lëvizjes të njoftuar zyrtarisht.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe 2 aparate celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Komente








