Ministri i Brendshëm nga Fieri: Marrëveshja me Italinë është dëshmi e solidaritetit që ofron Shqipëria

Ministri i Brendshëm nga Fieri: Marrëveshja me Italinë është dëshmi e solidaritetit që ofron Shqipëria

Ministri i Brendshëm Taulant Balla

Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi se marrëveshja me Italinë është dëshmi e solidaritetit që ofron Shqipëria, megjithëse e qartë është se nuk e zgjidh problemin e migrantëve në Europë. Në përgjigje të interesit të medias, nga Fieri, Balla tha se nëse pyet sot çdo qytetar shqiptar lidhur me raportin e veçantë të Shqipërisë e Italisë, të gjithë na japin të drejtë që Shqipëria dhe Italia janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën.

"Po aq i vërtetë është fakti që ne i jemi shumë mirënjohës Italisë për gjithë mbështetjen e kujdesjen, të mos harrojmë kurrë marsin 1991, korrikun e vitit 1991 kur qytetarët shqiptarë morën anijet e u nisën për një jetë më të mirë në Itali. Mikpritjen italiane, trajtimin, integrimin dhe sot shqiptarët janë një model i mirë i integrimit në Itali. Bëhet fjalë thjesht e vetëm që në rast se sot Italia përballet me një sfidë shumë të madhe të flukseve migratore, që vijnë nga veriu i Afrikës dhe kur sot në Itali janë me qindra qendra pritjeje, ndoshta mbi 3000. Një prej këtyre 3000, të vendoset në Shqipëri. Sot që flasim, në qendrat e pritjes janë mbi 80.000 dhe 3000 prej tyre të trajtohet procesi i aplikimit për azil", u shpreh ministri.

Ai sqaroi më tek se asnjë prej migrantëve nuk do të qëndrojë në Shqipëri.

"Është e shkruar në marrëveshje, nuk do të rrijë asnjëri në Shqipëri. Ata do të vijnë me anije, do të akomodohen në atë Qendër Pritjeje, e cila është me të gjitha kushtet, që do të ndërtohet nga qeveria italiane. Përgjegjësia e ndërtimit, e kujdesjes, është e qeverisë italiane. Të vetmen përgjegjësi që e ndajnë me ne, por me pagesë, është që Policia e Shtetit e Shqipërisë, do të ruajë që asnjë të mos dalë në mënyrë të parregullt nga ajo qendër", nënvizoi Balla.

Më tej, ministri komentoi deklaratat në media të aktorëve të ndryshëm.

"Natyrshëm që është një proces, se kam dëgjuar disa nga këta 'profesorët' e mëdhenj që dalin e thonë pastaj se kjo bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Unë mendoj që duhet trajtuar me kujdes. Është një marrëveshje ndërmjet dy qeverive. Natyrshëm që do të kalojë edhe në procedurë të ratifikimit në Kuvend. Kam dëgjuar ca 'profesorë' të mëdhenj që thonë, po ku është “plotfuqishmëria”?!

Prandaj ju lutem, Shqipëria ka qenë gjithmonë pranë Italisë, sikurse ka qenë dhjetëra herë Italia pranë Shqipërisë, kur ne kemi pasur ditë të vështira, qoftë në 1991, me misionet e mbështetjes dhe ndihmës italiane, qoftë në vitin 1997. Natyrshëm që sot Italia përballet me një sfidë dhe Shqipëria po jep një shembull solidariteti. Ne nuk e zgjidhim dot hallin! Ju thashë, shifrat janë të tilla, pra nga 3000 qendra, 1 do të jetë në Shqipëri. Nuk është se po zgjidhim një hall, por po japim shembullin e solidaritetit, i cili nuk ka munguar. Mos harroni, para 3 vitesh, në prill 2020, në kohën e Covid-it, Shqipëria, edhe pse kishte vështirësitë e veta, një numër prej 50 infermierësh dhe mjekësh u dërguan në Itali për të mbështetur popullin italian dhe qeverinë italiane në kuadër të nevojave që ata kishin për mjekë e infermierë. Po ashtu, në këtë sfidë që ka Italia, ne po japim një përqindje të vogël mbështetje, për të treguar solidaritetin tonë në përballjen me këtë dhe mos harroni që Europa sot ka një sfidë shumë të madhe në përballjen me migracionin.

Natyshëm si një vend që duam të anëtarësohemi në BE,  dhe anëtarësimi nuk ka vetëm përfitime, pra duam të marrim fonde nga BE, por ka edhe përgjegjësi, solidaritet. Përgjegjësinë e solidaritetin kjo qeveri e ka pasur edhe vijon ta ketë si pjesë të qasjes së vet", theksoi ministri i Brendshëm.

Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e migrantëve të shpëtuar në det nga anijet italiane. Sipas marrëveshjes për emigrantët porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë, edhe pse do ketë lëvizje të vazhdueshme të tyre, ardhje dhe largime të reja.

Emigrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për azil nga autoritetet italiane në strukturën që do ndërtohet po nga italianët, ashtu sikurse do ndërtohet nga italianët edhe struktura për akomodimin e personelit shqiptar ndihmës. Shpenzimet do të përballohen nga Italia dhe sipas përllogaritjeve shteti fqinj do t’i paguajë vendit tonë fondin e parë në shumën 16.5 milionë eurove brenda një 3-mujori. Kohëzgjatja e marrëveshjes do jetë 5 vjet, por mund të shtyhet automatikisht edhe me 5 vite të tjera nëse ndonjëra nga palët nuk komunikon të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë protokoll. Marrëveshja pritet të kalojë dhe në kuvend.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbëri: 10/11/2023 17:39

    Solidaritet krimi kolka…

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës