Taulant Balla përsëriti gjatë fjalës në Kuvend thirrjen e tij kundrejt PD për t’u distancuar nga dhuna. Kreu i grupit parlamentar të PS tha se është e qartë se personat e përfshirë janë “të dyshuar të paguar për të nxitur dhunë”, ndërsa nxiti Kuvendin për mbrojtjen e efektivëve.

“Së pari, në emër të grupit parlamentar të PS dua t’i bëj një thirrje PD të distancohet nga dhuna e përsëritur nga protestat e thirrura. Çdo parti politike ka të drejtë legjitime të protestojë, por mban përgjegjësi për mbarëvajtjen  e protestave. Duket qartë që personat e përfshirë janë persona të nxitur, të dyshuar të paguar për të nxitur dhunë, PD duhet të distancohet nga këto akte dhune, ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë urgjent duhet të shprehet në mbrojtje të punonjësve të policisë për paprekshmërinë e tyre. Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë derdhur gjak dhe vënë në rrezik jetën e tyre”, tha Balla.

Në fund, pasi propozoi edhe hartimin e një deklarate urgjente nga Kuvendi për të kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë në Hagë për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, pati edhe një fjalë për Berishën.

“Ti që i ke shërbyer gjithë jetën tënde Serbisë, liroje atë foltore se le nam!”, tha kreu i grupit parlamentar të PS.
 


Lajmi kryesor:

Kuvend/ ‘Dorëzoni Ballukun’, deputetët e PD bllokojnë foltoren sapo i ndërpritet fjala Berishës! Balla: I shërbenI Serbisë! Debate edhe për protestën e dhunshme