Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka sqaruar në Kuvend përdorimin e termit “lapangjoz”, duke theksuar se ai nuk ishte drejtuar ndaj anëtarëve apo simpatizantëve të Partisë Demokratike, por ndaj një grupi të veçantë personash të përfshirë në akte dhune gjatë protestës.

Komentet e Ballës erdhën pas kritikave të Gjekmarkajt, për gjuhën e përdorur në Kuvendin e Shqipërisë. Balla u shpreh se e ka dëgjuar me vëmendje nënkryetarin e Kuvendit, Agron Gjekmarkaj dhe se e vlerëson distancimin e tij nga gjuha jo parlamentare, ndërsa sqaroi se termi i përdorur prej tij ka një kuptim të qartë në gjuhën shqipe.

“Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, lapangjoz është njeriu i pavlerë që vepron pa u menduar”, theksoi Balla, duke shtuar se nëse ka pasur keqkuptime, ai e përsërit se fjala nuk kishte për qëllim të etiketonte protestuesit e zakonshëm.

Sipas Ballës, nuk bëhej fjalë për qindra protestues, anëtarë apo militantë të Partisë Demokratike që kishin dalë në protestë, por për një “grup zjarri”, i cili, sipas tij, kishte ardhur me një agjendë të qartë dhe ishte pozicionuar në mënyrë të koordinuar.

Ai theksoi se mediat kishin evidentuar pozicionimin e këtij grupi që përpara nisjes së protestës dhe se personat në fjalë, të cilët ai deklaroi se nuk i njeh, kishin fytyrat të mbuluara. Sipas Ballës, ata fillimisht mbanin tabela, por më pas hapën palltot dhe nxorën një arsenal mjetesh që ai i cilësoi si armë.

Balla shtoi se këto mjete duhet të konsiderohen armë dhe se përdorimi i tyre duhet të sanksionohet dhe rregullohet me ligj, duke e bërë të papranueshëm përdorimin e tyre në mjedise publike ku ndodhen shumë qytetarë.

Replika e plotë e Ballës:

E dëgjova me vëmendje nënkryetarin dhe më vjen mirë që nënkryetari u distancua nga një gjuhë jo parlamentare sa i përket kolegut direkt, nënkryetarit tjetër apo nënkryetares tjetër të kuvendit dhe nuk po komentoj. Sa i përket fjalës lapangjoz.

Në gjuhën shqipe lapangjoz është njeriu i pavlerë, i cili vepron pa u menduar këtë, thotë fjalori i gjuhës shqipe.

Dhe.

Nëse.

Nuk e ke kuptuar, po ta ripërsëris.

Nuk bëhej fjalë për disa qindra protestues, anëtarë, simpatizantë, militantë të Partisë Demokratike që ishin në protestë, po bëhej fjalë për një grup zjarri.

I cili dihej fare mirë me çfarë agjende kishte ardhur, ku ishte pozicionuar mediat.

Mediat ua kanë treguar para fillimit të protestës se ku ishin, bëhet fjalë për disa njerëz që unë nuk i njoh.

Zoti Gjekmarkaj, se e kishin fytyrën të mbuluar.

Madje kishin marrë dhe tabelat, ishin vënë dhe pastaj hapën palltot dhe nxorën arsenalin e atyre armëve.

Të cilët janë armë, një lloj, një lloj arme e cila duhet sanksionuar dhe duhet rregulluar me ligj të jetë e papranueshme në mjedise publike ku ka shumë qytetarë.


Lajmi kryesor:

Debate në Kuvend për protestën e PD! Koçiu: Policia nuk dhunoi, veproi sipas ligjit pasi u sulmua me molotov! PD: Hodhët gaz lotsjellës të skaduar