Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka zhvilluar një takim në Tiranë me ambasadorin e Gjermanisë, Karl Bergner, ku në qendër të bisedës ishin negociatat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Gjatë takimit, u diskutuan hapat e ardhshëm në procesin integrues, ndërsa u theksua edhe mbështetja e fortë e Gjermanisë për rrugën europiane të Shqipërisë.

Balla u ndal edhe te roli i grupit parlamentar të Miqësisë Shqipëri–Gjermani, duke e cilësuar si një urë të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për tërheqjen e investimeve gjermane në vend.

"Gjithmonë një kënaqësi të takohem me Ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë Karl Bergner dhe të flasim për procesin e negociatave dhe mbështetjen e fortë gjermane në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Grupi Parlamentar i Miqësisë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në Kuvend do të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e investimeve gjermane në Shqipëri" shkroi Balla në Facebook

Gjermania mbetet një nga partnerët kryesorë të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe një mbështetëse e vazhdueshme e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.