Dokumentet janë një varg thirrjesh e traktesh të shpërndara në popull kryesisht në vitin 1943 dhe lidhen me ngjarje të asaj periudhe, duke evokuar edhe ngjarje të tjera të më parshme ku theksohen ndjenjat dhe aktiviteti antifashist i kësaj organizate.
Më poshtë i sjellim të plota 5 dokumentet së bashku me faksimilet e tyre, zbardhur sipas origjinalit që ruhet në AQSH. Ad.Pe.
Dokumenti 1
“Shqipnija e shqiptarve vdekje trathtarve”
-Përgjegje shpifarakvet të poshtër-
Pëshpëritet andej këndej, nha njerëz të falimentuem në politikë, se Balli Kombëtar qënka vegël e klikavet të shum-ngjyrëshme; çpifësit pretendojnë se këto klika gjejnë gjoja strehim bash në atë nasjonalizëm të pastërt, të ndërgjegjëshëm dhe të fuqishëm që rinija shqiptare përpiqet, (në bashkëpunim dhe në harmoni me nasjonalizmin tradisjonal të Rracës kreshnike që ka për moto: “Luftë kundra çdo zaptuesi, pa dallavere dhe kompromise dipllomatike”) me e forcue për me i dhanë shqelmin okupatorit italjan fashist.
Këta njerëz të mbrëndëshëm dhe të jashtëm, që ishin në lidhje me emisarët propagandista t’imperjalizmit italjan e të shteteve të tjerë në Shqipëri dhe jasht.
Këta pseudo-nasjonalista s’kanë pasë as do të kenë kurrë të bajnë me “Ballin Kombëtar”.
“Balli Kombëtar përfshin vetëm ata nasjonalista idealista të rinj e të vjetër, të cilët politikën kurrë nuk e kanë pasur profesjon dhe kurrë ndonjëherë nuk kanë spekulue në ndërgjegjen e pastërt të Popullit Shqiptar.
Gjithashtu afermojmë kategorikisht se Nasjonalizmi Shqiptar i përfaqësuem sot nga “Balli Kombëtar” në të gjitha krahinat e Shqipënis Ethnike, nuk ësht dhe nuk do të jetë kurrë në shërbimin e fuqivet të huaja sepse bash kjo politikë e ndrytë ka qënë varri i herë pas hershëm i Liris së Shqipnis. Shërbimi ndaj të hujve ka shkaktue shumë herë ndërhymjen e këtyre fuqive të ndihmueme prej mercenarësh shqiptarë.
Koha e politikës së aventurierëvet ka mbarue. Populli Shqiptar ësht sot i vet-dishëm dhe tej-kqyrës në zgjedhjen e politikës së tij.
“Balli Kombëtar"
Dokumenti 2
Shqiptarë!
Balli Kombëtar është populli shqiptar që bashkëpunon me çdo shqiptar të ndershëm dhe me çdo parti shqiptare që ka për qëllim çlirimin e Shqipërisë.
Balli Kombëtar porosit çdo anëtar të bëhet ushtar i ndershëm i Atdheut të tij tue punue me çdo sakrificë për Lirimin e Atdheut nga zgjedha e huaj, dhe me vendosë masandaj një qeveri Demokrate popullore e cila pa dyshim do të jetë fruti i mundimeve të popullit dhe e nxjerrë prej gjirit të tij.
Shqiptarët e ndershëm dhe patriotët e provuar në çdo betejë të kaluar e të sotshme nuk kanë kurrë për qëllim që popullit shqipëtar t’i mveshin një cipë dhe t’a vënë në gjumë, të bëhet pronë e bejlerëvet, e dallkaukëve, e njerzve që për interesa personale nuk u vlen gjë emëri shqipëtar; por përkundrazi ata kanë për qëllim t’i japin lirin, t’i sigurojnë nderin, traditat, punën e begatinë.
Për këto qëllime të shënjta Balli Kombëtar këshillon çdo anëtar të shkojë mirë e të bashkëpunojë me çdo shqiptar, që ka për objekt çlirimin e Atdheut e mirëvajtjen e Kombit; të mos marrë në gojë për të keq asnjë parti që mund të ekzistojë në Shqipëri, me ngjyrë kombëtare, pse kritika pa vënd sjell kurdoherë përçarje dhe rrezik vëllavrasjeje ndërmjet popullit shqipëtar.
Populli ynë i ndershëm e atdhetar kurrë s’i ka dashur të tilla dhe as që i dëshiron, prandaj sot ndershmënija e çdo patrioti tregohet me punë, puna është virtyti, nderi e lavdija; me këtë e vetëm me këtë i provohet njeriut sakrifica për interesin kombëtar.
Çdo kritikë për neve do të jetë e pa vënd dhe nuk do të ngutemi të hakmeremi me fjalë, pse populli shqiptar e Shqipërija ndodhen në greminë, në mjerim e në tirani.
Kemi me cilin, o vëllezër, të dëftehemi trima e patriotë; s’na vlen kurrgjë dhe do të jetë poshtërsija më e madhe për çdo shqiptar të kthejë armën kundra vëllajt të tij.
Ejani, pra, e bashkojuni për një qëllim të vetëm pranë flamurit kuq e zi, pranë atij simboli madhështor që na i kanë lënë peng dëshmorët e kombit t’onë dhe epokat e lara me gjak shqiptari. Rroftë Shqipërija e lirë,
Dokumenti 3
"Shqiprija e shqiptarëve, vdekje trathëtarëve!"
Popull shqiptar! Okupatori as nuk pritet as nuk përcillet!
Trimërija dhe guximi i popullit Shqiptár bëri që anmiku herë pas here të ndryshojë format dhe axhentat e tij. Në tokën e robnuar të Shqipnís po na zbret nji Jacomon tjetë dhe ky është Pariani, i cili me proklamatën e tij vjen të na thotë se Shqipnín e kam pasur gjithnji në mendjen t’eme; si antitezë e kësaj proklamate të fëlliqur na thotë se do shuaj çdo lëvizje të popullit Shqiptár.
Populli i jonë e njeh fare mirë ujkun e vjetër që pregatiti varrin Shqipnís. Ja pra se ujku qimen ndrron po vesin me robnue Shqipnín nuk e ka harruar. Le të jetë i sigurtë se lëvizjen e popullit Shqiptár nuk mund ta shej kërkush. Shpirti revolucionar i popullit t’onë asht i pathyeshëm: ai tankseve i përgjigjet me tulla e tjegulla.
Sejcili Shqiptár e Shqiptare i ndershëm nuk duhet të presë njerzit qi vijnë me na robnue.
“Balli Kombëtar”
Dokumenti 4
Popull shqiptar
Shtatë Prill, një të Premte të Zezë, 1939, Shqipërija e humbi independencën, populli shqiptar e humbi lirinë.
Italija fashiste e shkeli tokën e stërgjyshëve t’anë, gjaku i shqiptarit e leu edhe një herë tokën shqiptare. Buzët e Adriatikut u skuqnë me gjakun e djemve më trima e më bujarë të Shqypes.
Në Shën-Gjin, në Lesh, ku prehen eshtrat e Skënderbeut, rodhi gjaku i bijve t’anë. Në Durrës, djemtë e Krujës Kreshnike e hodhë armikun tri herë në det. Një grusht shqiptarë, me armët më të thjeshta, lëftoj kundra gjithë një fllote, gjithë një ushtërije të pajisur me teknikën më moderne. Vlora e Ismail Qemalit e rroku flamurin përsëri, në Sarandë, në Gjirokastër këmishë zinjtë u pritnë me pushkë kokës.
Kudo zjeu i kushtrimit, zjeu zëri i luftës për liri. Në Shkodër, në Korçë, në Tiranë, me mijra djem u shkrojtnë vullnetarë e manifestuan dyke brohoritur për një qëndresë gjer në pikën e fundit. Këta luftëtarë kombëtarë e dinin fare mirë se lufta nuk fitohej pa e derdhë gjakun e tyre për të vaditur fushën e lirisë ku mbijnë filizat e idealit kombëtar dhe për t’i treguar gjithë botës që neve sgjedhën nuk munt t’a durojmë.
Shqipërija jonë e vogël ra edhe një herë në thonjtë e gjakpirësve të huaj, po shqiptari rënkon e duron pa humbur shpresat në një indipendencë të shpejtë e të plotë. Populli shqiptar që gëzoj 27 vjet indipendencë, djalërija shqiptare që u rit e lirë me gjuhën e të parëve t’anë do t’a kërkojë me çdo mjet e me çdo sakrificë këtë liri e këtë indipendencë.
As Italija fashiste, as veglat e saj të verbëra nuk do të mundin t’a ndalojnë e t’a shuajnë flakën e madhe që ndes në zemrat shqiptare kjo ditë.
Populli shqiptar do të jetë një trup e një shpirt i bashkuar pa ndryshim klase, feje dhe besimi politik reth qëllimit të Shënjtë të Çlirimit të Atdheut t’onë.
Në luftën çlirimtare populli shqiptar nuk është vetëm, gjithë popujt e shtypur të Evropës janë me të. Aleanca e tre popujve më të mëdhenj të botës, Amerikë, Angli dhe Bashkimi Sovjetik, është një shtyllë e çelniktë dhe një garanci për përfundimin e luftës në fitim të kauzës së Çlirimit të popujve të robëruar.
SHqiptarë!!
Për një Shqipëri të lirë dhe indipendente, për një Shqipëri demokratike dhe popullore, organizohi e të bashkohi nënë valët e flamurit të Skënderbeut, nënë valët e flamurit të Ballit Çlirimtar.
Rroftë populli shqiptar! rroftë Shqipërija e lirë dhe indipendente!
Balli Kombëtar
Dokumenti 5
"Shqiprija e shqiptarëve, vdekje trathëtarëve!"
I) Të burgosurit në fushën e hapët të Durrsit
II) Lufta e Selenicës:
“Nji tjetër faqe nderi e historis kombëtare”
I) Qysh prej ditve të para të Prillit ushtrija italiane ka arrestue në Korçë 180 vetë; ndër të arrestuemit ndodhen gra, vajza, profesorë, gjykatsa e të çdo kategorije tjetër. T’arrestuemit janë përqëndrue në fushëm e përqëndrimit të Durrsit. T’afërmit e të burgosunve jo vetëm se nuk lejohen qi të takohen me to, por as qi nuk i lajnë qi të çojnë ushqim e mbylesë. N’asnji vend të botës nuk asht pa qi të merren njerëz të pafajshëm e të burgosen arbitrarisht e n’anën tjetër të u mohohen nevojat e jetesës.
POPULL SHQIPTAR! Në se kta Shqiptarë të lanun në fushën e përqëndrimit të Durrsit kanë me vazhdu nji muej, jemi të sigurtë se kanë me u-ba tuberkulozë. Pra asht detyra e çdo shqiptari të përpiqet për me shpëtue këta vllezën qi janë krejtësisht të pafajshëm në qoftë se do të kenë ndonji faj, faji i vetëm i tyne asht të qenunit Shqiptar.
Fashizmi qi deri sot trumbetonte se don nji Shqipni me Shqiptar që gëzojnë të drejta të njejta me Italinë po na i çfaq me punë qëllimin e vet djallëzuer, d.m.th. me çfarosë Shqiptarët me çdo mjet me çdo mënyrë. Sepse për fashizmin makjavelik qëllimi arrihet në çdo mjet, qoftë edhe antinjerëzuer.
Tani pyesim çban qeverija e vetquejtun Shqiptare për këta Shqiptarë të pafajshëm qi kanë ra në lakun e padrejtësisë fashiste?! Kur do t’a zbatoi atë program të famshëm me të cilin premtohet paqë, bukë e drejtësi për të gjithë Shqiptarët? Akti i sotshëm i fashizmit barbarë po e nxjerr në shesh përpara popullit edhe nji herë natyrën e vërtetë të qeverisë Shqiptare, e cila s’qenka tjetër veçse kukull në duer të italianve. Çdo Shqiptar duhet të mos gënjenjë vetvehten tue besue se e ka të mbrojtun jetën, nderën e pasuninë prej nji autoriteti suprem qi quhet shtet; Qeveritarët Shqiptarë duhet të mos e pranojnë nji përgjegjësi kaqë të randë përpara popullit e historis tue mbajt në duert e tyne tabellën false të shtetit Shqiptar.
II) Nacionalizmi Shqiptar ka sot për qëllim kryesorë qi t’organizoi popullin për me përballue me armë rreziqet që e kërcënojnë në lirinë e vet prej çdo anmiku të sotm’e të nesërm që sënon në shkeljen e të drejtave të popullit Shqiptar, dhe për me i a mbrritë këti qëllimi të shenjtë ka organizue çetat e veta, të cilat janë bërthama e ushtrisë sënesërme Shqiptare. Nacionalizmi Shqiptar ka rrokur armët për të luftuar pa mëshirë armikun sundonjës dhe çnjerëzorë që dita ditës nuk mungon të na provokojë xhestet e tija direkte ase indirekte ja se ç’ngjanë në Selenicë:
Në nji Prillë një kompani e përbame prej 170 karabinjerve dhe 10 ushtarësh të komanduëm prej një nën-koloneli-komandant i karabinerisë së Vlorës-tue shkue nga Vlora për në Selenicë, në katundin Lubonjë takon dhe vrau katër katundar që mbajshin dru dhe që nuk banjshin pjesë në as nji çetë; ma poshtë takonte dhe vriste nji mullis dhe nji bujk qi punonte tokën e vet; nji prej katundarëvet mundi të shpëtonte dhe lajmëroi shpejt çetën Nacionaliste të Prof. Isuf Luzaj që rastësisht ndodhesh afër vendit të ngjarjes. Luzaj i prekun nga një xhest i tillë provokatorë dhe barbarë në dam të katundarëvet të pafajshëm, me gjithë se ishte me një pakicë prej 36 vetash, vendosi të zinte vend me shokët të tijë në katundin Armen kundra fuqisë Italiane që vinte tue mbjellë tmerrin rrugës me anë krimesh. Nga ora nji e mbas ditës filloi lufta e furishme, e cila në tre orë përfundoi në shkatarrimin e armikut. Fuqija Italiane u shpartallue prej çetës së Luzajt tue lanë shum të vrarë, të plagosur, të mbytur në lum dhe dhjetë robër, të cilët u çarmatosën dhe u lanë të lirë. Nga ana e jonë plagoset vetëm Hasan Lepenica.
Fuqija italiane në ikje ra në nji përpjekje të dytë me nji çetë partizane që e shkatërruen krejtësisht fuqinë Italiane.
“BALLI KOMBËTAR”
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com