Ballkani i Hapur/ Rama: Kemi qasje të ndryshme, por sërish qëndrojmë si shqiponjë me dy koka, por trup të unifikuar! Askush s'na kap në befasi

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria dhe Kosova do të bashkëpunojnë dhe forcojnë marrëdhëniet edhe pse Albin Kurti ka qasje tjetër me nismën Ballkani i Hapur. Ai tha se edhe shqiponja ka dy koka që shikon në 360 gradë por kanë një trup të përbashkët dhe nuk lejon kurrë të kapet në befasi nga të tjerët.

"Tani, mendimi i Shqipërisë, mendimi i kësaj qeverie, mendimi im lidhur me Kosovën dhe Serbinë nuk është as sekret, as i panjohur. Është i njëjti mendim që unë e kam shprehur që në krye të herës, edhe në mes të Beogradit, kështu që nuk ka ndryshuar. Në këtë pikë nuk ka asnjë dilemë.Për sa i përket Ballkanit të Hapur, kemi sigurisht dy qasje, qëndrime, opinione të ndryshme, por nga ana tjetër duhet edhe ju, edhe të gjithë të mësohen me faktin që mund të mos mendojmë njësoj për të gjitha gjërat, por kjo nuk na pengon që të vendosim të gjitha forcat për të bërë sëbashku gjërat e duhura në funksion të të ardhmes së dy vendeve tona.Kështu që mendoj që këto opinione të ndryshme, në raport me Ballkanin e Hapur, nuk përbëjnë asnjë pengesë për të fuqizuar marrëdhëniet mes nesh dhe nëse do më lejoni t’i referohem Shqiponjës me dy koka, është një trup i vetëm, ku njëra kokë sheh nga njëra anë dhe koka tjetër sheh nga ana tjetër, por trupi qëndron drejtë, që do të thotë se shqiponja është krejtësisht e informuar vizualisht në 360 gradë. Prandaj, mos kini asnjë dyshim se Shqiponja me dy koka rrezikohet që të kapet në befasi nga njëra anë apo nga ana tjetër, pasi i kontrollon me sy të dyja anët.Asnjë shqetësim për këtë dhe mendoj që është një vlerë e shtuar në këtë rast, në këtë periudhë të historisë sonë, që jemi shqiponjë me dy koka. Kur të vijë dita që të jemi shqiponjë me një kokë, rreziku është që të kafshojmë veten më shumë se sa sot që nuk e kemi këtë luks e nuk e kemi as këtë qëllim. Kështu që, unë personalisht jam optimist për zhvillimin e marrëdhënieve tona, jam optimist për këndvështrimin strategjik, por edhe për angazhimin që kemi vendosur bashkërisht, në funksion të këtij këndvështrimi për sa i përket marrëdhënieve tona. Për Ballkanin e hapur është një debat i hapur mes meje dhe Albinit dhe mos prisni kurrë që të gjitha debatet mes meje dhe Albinit të jenë të mbyllura. Se pastaj i bie që ne të ndryshojmë emrat e të mos jemi ata që jemi, është fiziologjia e një marrëdhënieje mes njerëzish që nuk rrinë dot pa menduar dhe e kanë problem po të mendojnë njësoj për të gjitha gjërat", tha Rama.


Lajmi kryesor:

Të ndarë për 'Open Balkan'? Rama: Jemi si shqiponja, shikimin në kënde të ndryshme, por jemi në 1 trup! Një ditë do të bashkohemi në një 'kokë'


I.K/K.T./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë