Para disa muajsh Bashkimi Evropian u rrit sërish. Kroacia u bë shteti anëtar i 28të. Ky zgjerim i ri tregoi edhe njëherë se projekti i BE-së nuk ndalet dhe as nuk ngadalësohet. Ai nënvizoi gjithashtu besueshmërinë e politikës së zgjerimit, sipas së cilës pranohen vendet pasi plotësojnë kriteret e nevojshme. Agjenda e Presidencës Lituaneze gjatë këtij semestri është një provë e mirë e vendosmërisë për vazhdimin e kësaj politike.
Pavarësisht dinamikave të ndryshme në vendet e zgjerimit, kemi arritur të regjistrojmë zhvillime shumë pozitive. Marrëveshja historike mes Serbisë dhe Kosovës është me rëndësi thelbësore, ngase kontribuon në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit dhe garanton që si Serbia ashtu dhe Kosova mund të vazhdojnë në udhën e tyre evropiane. Ajo është ndoshta gjithashtu edhe shembulli më mbresëlënës i pushtetit transformues të procesit të anëtarësimit në BE dhe një sinjal i qartë se edhe vendimet më të vështira mund të merren nëse ka motivim të fortë dhe vullnet politik. Pas një marrëveshjeje novatore mbi normalizimin e marrëdhënieve, të dyja palët takohen tani rregullisht nën mbështetjen e BE-së për zgjidhjen e çështjeve praktike me rëndësi në dobi të qytetarëve të të dyja palëve. Në shtator BE-ja nisi procesin shqyrtues të dy kapitujve të parë shumë të rëndësishëm me Serbinë dhe po bëhet gati që më 28 tetor të nisë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asocimit me Kosovën. Megjithatë, një sulm i kohëve të fundit mbi stafin e EULEX-it në Kosovë, autorët e të cilit presim të dalin sa më parë para drejtësisë, tregon gjithashtu sa i nevojshëm është zgjerimi i BE-së.
Procesi i negocimit me Malin e Zi ka fituar një vrull të ri dhe gjatë muajve të ardhshëm mund të hapen dy kapituj negociues me rëndësi për procesin e anëtarësimit. Po bëjmë gjithashtu përpjekje për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Turqinë në vijim. Shqipëria ka treguar një qëndrim demokratik shumë më të përmirësuar gjatë zgjedhjeve të fundit dhe një tranzicion paqësor të pushtetit, duke i afruar shanset për marrjen e statusit të vendit kandidat. Për mbështetjen e vrullit të reformave, kemi vazhduar dialogjet e nivelit të lartë me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Bosnje-Hercegovinën.
Sigurisht që anëtarësimi në BE nuk ndodh në vakuum. Në klimën aktuale ekonomike, qytetarët e shteteve anëtare dhe të vendeve aspiruese janë gjithnjë e më të shqetësuar për ndikimin e zgjerimit të vazhdueshëm. Edhe vetë menaxhimi i procesit të zgjerimit i reflekton këto shqetësime. Procesi i negocimit bazohet në një kushtëzim të rreptë, ku çdo hap para varet nga një progres i prekshëm i arritur në terren. Nuk bëhet fjalë për të klikuar kutiza nëpër lista, por për krijimin e arritjeve solide në fusha të tilla si të drejtat dhe liritë themelore, shteti ligjor, qeverisja e mirë dhe demokracia. Forcimi i shtetit ligjor, përmirësimi i kapacitetit për trajtimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, progresi në zbatimin e të drejtave të njeriut, standardeve demokratike dhe lirive sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët e mbarë Evropës.
Zgjerimi është një histori suksesi e BE-së, që reflektohet gjithashtu edhe në Çmimin Nobel për Paqen të marrë kohët e fundit. Megjithatë, nëse duam të jemi seriozë dhe realistë, nuk duhet të tundohemi që të paraqesim një pamje të pavërtetë rozë. Shembujt e përmendur më lart demonstrojnë se progresi është i mundur aty ku ka vullnet politik për t’u fokusuar te reformat dhe aty ku agjenda e BE-së konsiderohet si përparësi kombëtare. Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm për faktin se jo d në rajon dhe jo në të gjitha fushat, reformat bëjnë përpara me shpejtësinë e dëshiruar. Duhet bërë shumë më tepër, por kjo nuk duhet ta shkurajojë procesin e zgjerimit të BE-së, që ka një ndikim të madh transformues. Kërcënimi këtu nuk qëndron te zgjerimi si i tillë, por te lodhja nga reforma.
Mundësitë për të ecur vendosmërisht përpara në udhën e integrimit evropian janë mjaft të dukshme dhe janë njësoj të hapura për të gjitha vendet aspiruese. U takon këtyre vendeve t’i bëjnë realitet këto mundësi në të mirë të qytetarëve të tyre, ashtu siç bëri Kroacia. Ne mbetemi plotësisht të angazhuar që t’i mbështesim ato në udhën e tyre, duke e ditur se kjo ka të bëjë po aq me suksesin e përbashkët sa dhe me besueshmërinë e zgjerimit si një nga politikat kyçe të BE-së.
(sg/shqiptarja.com)