Procedurat për rikonstruksionin e godinës nisën që në tetor 2014, kur Balluku iu drejtua 3 studiove të ndryshme që ta ndihmonin me projektin. Do të jetë “Atelier 4” ajo që do i dorëzojë projektin 9 ditë më vonë më 23 Tetor.

Më 10 Nëntor Balluku urdhëron kryerjen e prokurorimit me fond 73,876,360 lek (pa TVSH), sipas preventivit të hartuar nga studio e projektimit. Në të njejtën ditë ngrihet Komisioni i Vlerësimit të ofertave që kryesohet nga Evis Berberi, si drejtuesi i Prokurimeve, ndërsa Njësia e prokurimit miraton kriteret e garës.

Ajo që bie në sy nga dosja, është fakti se kompania “Eurocol”, e  i paraprin procedurave të Albcontrol-it. Ajo ishte në dijeni të preventivit, që përpara se t’i shkonte vetë institucionit, ndërsa, nga emaili i saj, i dërgohet Evis Berberit dokumenti “Kriteret përfundimtare”, katër ditë përpara se vetë Komisioni të mblidhej, për hartimin e tyre. Më pas, Eurocol, thjesht qëndron në pritje të zyrtarizimit të procedurave, siç dëshmojnë komunikimet me mesazhe mes Pandeli Carapulit dhe një vartësi të tij, Fejzi Kodra.

• Me datë 11.11.2014, ora 10:57, shtetasi Fejzi Kodra i dërgon sms shtetasit Pandeli Carapuli: "Per dijeni, akoma s'ka dale gje tek web i APP",

në orën 11:27, shtetasi Pandeli Carapuli: “Shiko, u shpall ky i fundit. I madh”",

në orën 11:39, shtetasi Fejzi Kodra: "Mban dt e djeshme shpallur "rikonstruksion I godinës teknologjike te albcontrol",

në orën 11:39, shtetasi Pandeli Carapuli:“Ok të fillojm përgatitjet".

Disa kompani, bëjnë ankesa për kriteret, por ato nuk u merren parasysh.

Për rikonstruksionin paraqiten 4 oferta:

-Ofertuesi i Parë: Operatori ekonomik Bashkimi i përkohshëm "Ndregjoni dhe "Cara" sh.p.k, me çmimin e ofertës 48,290,515 lekë pa Tvsh.

-Ofertuesi i Dytë: Operatori ekonomik "Ndërtim Montimi Patos"sh.a, me cmim 70,989,230 lekë pa Tvsh.

-Ofertuesi i Tretë: Operatori ekonomik Bashkimi i përkohshëm "Alko Impex General Construction" sh.p.k, dhe "Agri Construksion"sh.p.k, me çmimin e ofertës 71,278,796 lekë pa Tvsh.

-Ofertuesi i Katërt: Operatori ekonomik "Eurocol" sh.p.k, me çmimin e ofertës 72,390,316 lekë pa tvsh.

Tre prej tyre skualifikohen për mosplotësim të kritereve dhe fitues shpallet Eurocol, oferta e të cilës ishte gati 1.5 milion lekë më e ulët nga fondi limit, dhe më e larta nga të gjitha propozimet e tera.

Kompania do të kërkojë më pas një shtesë fondesh për zëra të rinj punimesh që nuk ishin parashikuar në preventiva, si dhe shtyrje të afatit të përfundimit të punimeve, të cilat po ashtu miratohen. Vlera përfundimtare e kontratës do të shkojë në 101,965, 575 milionë lekë me TVSH.

Sipas SPAK, Balluku dhe vartësit e saj “kanë paracaktuar dhe kanë krijuar avantazhe dhe privilegje për shoqërinë ‘Eurocol’ duke siguruar në mëyrë të tërthortë vlerën e përfitimit të parregullt të dhënë nga administratori i shoqërisë "Eurocol" sh.p.k, shtetasi Pandeli Carapuli, që konsiston në pasurinë, Vila F6, me vendndodhje, Kompleksi "White Rocks".

Në këmbim, Balluku mori ryshfet vilën në Dhërmi me vlerë 145 mijë euro, e cila është sekuestruar me vendim GJKKO më 4 qershor. 


Lajmi kryesor:

DOSJA/ ‘Vila e shefes’, provat që çuan SPAK te prona e fshehtë e Ballukut në Dhërmi! Vartësja: Bela ka vizatuar ku do bëhet pishina! U tradhtua nga antena e celularit dhe llogaria e 'Netflix'