Gentian Gjyli, i cili është marrë i pendehur nga SPAK “për shkelje të barazisë në tendera” dhe aktualisht në “arrest shtëpie” me vendim të GJKKO-së, është larguar nga drejtimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH). Në vend të tij është emëruar Ami Kozeli. Ami Kozeli është liruar nga detyra si zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe është emëruar në krye të ARRSH-së,

Ndërkohë Viola Haxhiademi është emëruar në krye të KESH, institucion që drejtohej nga Erald Elezi, i cili gjithashtu ndodhet në “arrest shtëpie” me vendim të GJKKO-së i akuzuar për veprat penale “shkelje të barazisë në tendera”. Haxhiademi prej vitesh ka shërbyer në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si drejtoreshë e Kabinetit të Ministres dhe që prej vitit 2019 si Sekretare e Përgjithshme.

Pavarësisht lëvizjeve nga një institucion në tjetrin, Haxhiademi dhe Kozeli do të vijojnë të jenë në varësi të zv.kryeministres Belinda Balluku

Drejtori i KESH Erald Elezi akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë dhe masa i është caktuar për dy tenderët me vlerë 210 mln euro, Tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe. Ai ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH kur ka qenë tenderi i Llogarasë dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin e Unazës së Madhe.

Kreu i ARRSH, Gentian Gjyli akuzohet nga SPAK për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe masa e sigurisë i është caktuar vetëm për tunelin e Llogarasë.

Lajmi në përditësim...