Balluku me banorët e Mirditës: Anulohet ndërtimi i dy HEC-ve në lumin Urakë

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të anulojë ndërtimin e dy HEC-eve të parashikuar për t’u ngritur në lumin Urakë, në zonën e Kurbneshit. Vendimin e ka bërë të ditur ministrja, Belinda Balluku, gjatë një dëgjese publike që zhvilloi me banorët e kësaj zone, të cilët shqetësimet e tyre, sa i takon ndërtimit të këtyre dy HEC-eve, e kishin adresuar në platformën e bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al.

Balluku tha se qeveria është e ndjeshme ndaj kërkesave të komunitetit dhe se tashmë kanë nisur procedurat për prishjen e kontratave për ndërtimin e dy HEC-eve. Ministrja theksoi se zona në fjalë është një zonë e mbrojtur dhe në të nuk do të lejohet asnjë ndërtim.

“Qeveria është shumë e ndjeshme ndaj kërkesave të komunitetit dhe duke qenë se kjo zonë është shpallur një zonë e mbrojtur, këtu nuk do të lejohet ndërtimi i këtyre dy HEC-eve. Kjo është një zonë e mbrojtur, kështu që dhe në të ardhmen ju nuk do keni problematika të tjera”, u shpreh Balluku.

Ministrja theksoi se Qeveria ka në fokusin e saj nxitjen e investimeve, por pa rënë ndesh me interesat e qytetarëve. “Ne e nxisim zhvillimin e ekonomisë, i mbështesim investitorët, por asnjëherë kur keto investime bien në kundërshtim me kërkesat, apo me të mirën e komunitetit”, theksoi Balluku.

Ministrja u bëri thirrje banorëve që për shqetësimet që ata kanë t’i drejtohet platformës së bashkëqeverisjes, duke sjellë në vëmendje faktin që shqetësimi që ata adresuan për HEC-et mori zgjidhjen e duhur.

“Platforma e bashkëqeverisjes është vendi i duhur ku ju duhet të ankoheni, vendi ku juve ju dëgjohet zëri dhe ne i japim zgjidhje çdo problematike, e cila e ka një zgjidhje, apo ankesa qëndron. Drejtohuni platformës së bashkëqeverisjes për t’ju dhënë zgjidhje, ashtu siç po e zgjidhim dhe sot”, është shprehur ministrja Balluku.
Duke ju përgjigjur shqetësimit të banorëve për projektet e tjera të HEC-eve që janë projektuar në lumin Urakë, ministrja Balluku theksoi: “Uraka është e Mirditës. Uraka nuk është e askujt tjetër. Zonat e mbrojtura do mbrohen nga qeveria shqiptare, por dhe nga banorët”.

E pranishme në këtë dëgjesë, deputetja Lindita Nikolla falënderoi banorët të cilët u angazhuan duke ju drejtuar platformës shqipëriaqëduam.al për shqetësimin e tyre. “Unë do dua të falënderoj ata qytetarë të kësaj zone që i janë drejtuar platformës së bashkëqeverisjes, të cilët kanë adresuar shqetësimin e tyre se mos ndoshta në lumin Urakë kemi zhvillime investuese në energji”, nënvizoi Nikolla.

Banorët nga ana e tyre e kanë falenderuar ministren Balluku për reagimin e shpejtë ndaj kërkesës së tyre për anullimin e dy HEC-eve si dhe kanë dhënë ide e mendime lidhur me projekte të tjera infrastrukturore që do t’i jepnin një zhvillim më të madh zonës.

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë