Belinda Balluku duhet patjetër të përballet me drejtësinë. Ky ishte mesazhi që dhanë në emisionin Studio Live në Report TV avokatët Fran Dashi dhe Altin Kaziaj, teksa komentuan kërkesën e SPAK për arrestimin e saj dhe debatin politik që ka shpërthyer rreth kësaj çështjeje.
Në argumentat e tij, Dashi tha se Balluku duhet të vihet në dispozicion të drejtësisë, pasi sipas tij asnjë mandat politik nuk mund ta mbrojë.
“Belinda Balluku do bënte punën më të mirë që të vihet në dispozicion të SPAK. Nuk ka ligj apo mandat në botë që e mbron atë përballë drejtësisë. Këtë le ta dinë PD, PS dhe titullarët e tyre. Si çdo qytetar tjetër i këtij vendi, ai që ka prekur lekët e shqiptarëve do të vihet para drejtësisë herët a vonë. Belinda Balluku i rezistoi për 2 muaj e gjysmë vendimit të gjykatës, me forcën e kartonit ose forcën e karriges, e këshilloj edhe njëherë të japë dorëheqjen sepse nuk ka mandat në botë që e shpëton Belinda Ballukun dhe ndonjë Belindë tjetër pa dhënë llogarisë para drejtësisë dhe shqiptarëve. Le ta ketë të qartë çdo politikan, çdo oligark dhe çdo hajdut që ka vjedhë këtë vend ta ketë të qartë se do të përgjigjet përpara ligjit herët a vonë. SPAK nuk dështon’ tha Dashi.
Edhe avokati Altin Kaziaj u shpreh se përballja me drejtësinë nuk duhej të kishte arritur deri në këtë pikë, duke shtuar se qytetarët duhet të kërkojnë llogari për çdo pushtetar.
“Përballja me drejtësinë e Ballukut nuk duhej të kishte ardhur në këtë pikë. Fakti është që është haptazi nën mbrojtjen e PS. Ne si qytetarë, pavarësisht orientimit apo përkatësisë politike, do të duhet t’i kërkojmë llogari çdo pushtetari që i veshur me ofiqet e dhëna nëpërmjet votës shkon dhe sillet si zonja Balluku apo Ballukë të tjerë, që shpërdorojnë postin e tyre dhe vjedhin financat publike ” tha Kaziaj.
Me dekretimin e presidentit Begaj, Belinda Balluku zyrtarisht nuk është më zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Por në Kuvend mbetet ende për t’u votuar kërkesa e SPAK për arrestimin e saj ndërsa çështja u kthye të enjten në mollë sherri mes PS-së dhe PD-së.
Protesta e banorëve të Rrjollit vazhdon me të njëjtën intensitet kundër planeve të Bashkim Ulajt për ndërtimin e një resorti në këtë zonë.
Por ajo që i bën përshtypje avokatit Fran Dashi është fakti se Sali Berisha nuk ka dalë kurrë në mbrojtje të tyre, pavarësisht se kjo zonë ka votuar gjithmonë për të djathtën. Gjatë një interviste me emisionin Studio Live në Report TV ai tha se demokratëve të Shkodrës u duhet tu vijë turp që i kanë braktisur banorët e Rrjollit.
“Kam ngelur i shokuar sot. Deputetët e PD-së në Shkodër duhet ta kenë për turp që nuk mbështesin banorët e Rrjollit. Ata kanë votuar për PD-në e Sali Berishës ndërsa Sali Berisha asnjë ditë nuk është shprehur në mbrojtje të tyre. Diçka fshihet këtu. Por unë besoj që në ditët në vijim, këtu do të dalin të palarat për tokat e Rrjollit. Asnjë biznesmen, asnjë oligark, nuk ka shans të marrë tokën. Ata janë betuar se do ta çojnë protestën deri në fund. I bëj thirrje çdo shqiptari të ndershëm dhe cdo politikani të bashkohet me popullin e Rrjollit që është në të drejtën e tyre. Toka është e banorëve të Rrjollit dhe do e gëzojnë. Aty diçka fshihet. Aty fshihen polikanët e dy krahëve, deputetët e Shkodrës, as nga PS e as nga PD nuk shkojnë atje. Nuk shkojnë se kanë frikë, se kanë urdhër, apo interesa, kjo mbetet për tu parë ” tha Dashi.
Gjatë intervistës, Dashi ofroi mbështetje të plotë për banorët e Rrjollit dhe përpjekjeve për të mbrojtur tokën e tyre.
“Ajo tokë është e banorëve të Rrjollit dhe nuk mund ta përvetësojë askush, asnjë oligark që ka para. Çdo shqiptar i ndershëm duhet të mbështesë fuqishëm popullin e Rrjollit që ata të gëzojnë tokën e vet dhe pasurinë e vet. Nuk mundet që një i huajë ti marrë tokën tjetrit. Banorët e Rrjollit janë prej 200 vitesh aty. Janë me dokumenta të viteve 1924, 1935 dhe me certifikatë pronësie të Komisionit të Ndarjes së Tokës së viti 1991. Ata janë fshatarë, jetojnë me atë tokë. Nuk mund të ngrihet dikush nga Tirana që të bëjë një resort sipas tekave të tij dhe tu marrë tokën padrejtësisht fshatarit” tha ai.
Me një ‘opozitë pa këllqe’, Edi Rama mund t’i fitojë zgjedhjet sa herë që t’i shpallë ato, kështu mendon avokati Fran Dashi, sipas të cilit, Partia Demokratike nuk arrin të motivojë veten e as të vetët në betejat politike. Në emisionin ‘Studio Live’ në Report TV, Dashi kritikoi përdorimin e dhunës në protestat anti-qeveritare të Sali Berishës, duke i kujtuar këtij të fundit që shqiptarët duan të qëndrojnë larg dhunës dhe mitingjeve si ato që organizon ai.
“Opozita ka prej disa javësh që po tenton të ngrejë elektoratin në protesta për të rrëzuar qeverinë. Opozita është shumë larg fitores. Nëse PD mund të ketë një djalë ose një vajzë të re siç është Jorida Tabaku për ta motivuar si kryeministren e ardhshme besoj se nëse zgjedhjet do të mbaheshin pas 6 muajsh do të kishte një rezultat pozitiv. Me atë opozitë që kemi sot, kurdo që Edi Rama të shpallë zgjedhjet do t’i ketë të fituara. Nëse sot ka 83 mandate, në zgjedhjet e ardhshme ai mund të marrë 90 mandate. Edhe në 2029 e ka të sigurtë fitore, të garantuar. Sepse opozita është shumë e dobët, nuk ka këllqe përballë mazhorancës për të fituar. Pse? Se janë të njëjtat emra në listën e PD. Flamur Noka ka 20 vjet deputet. Albana Vokshi ka 20 vjet deputetë, Sali Berisha po aq, Jozefina Topalli ka që në vitin 1997. Ka ikur koha e tyre. Parlamenti duhet të miratojë një ligj, që njerëzit që kanë konsumuar dy mandate duhet të largohet. Nuk mund të ketë deputetë të përjetshëm. Duke bërë listat e mbyllura të partisë dihet se kryetari do të vëjë në listë më të besuarit. Opozita le të ngrihet me çdo lloj forme, e jo të djegin vilën e Enverit, por ç'të duan, e ka shumë të vështirë, nuk e motivon dot veten. Nuk gjen forma dhe metoda për të bindur elektoratin. Le të shohim mitingjet e Tiranës.. edhe ata që vijnë janë nga rrethet dhe jo nga Tirana. Tirana ka elektorat por që nuk sheh asnjë interes në protestat e Berishës. Qytetarët nuk duan të krijojë probleme vetes apo familjes. Ata duan të qëndrojnë larg dhunës dhe larg mitingjeve. Iku ndjenja e mitingjeve madhështore si dikur. Sot njerëzit janë distancuar” tha Dashi.
Në protestën e fundit të Berishës, me 28 shkurt, militantët sulmuan residencën e artistëve të huaj në zemër të Tiranës, atë që njihet ndryshe si ish Vila e diktatorit Enver Hoxha. Fishekzjarre të fuqishëm dhe bomba molotov u hodhën drejt ndërtesës, duke vënë në rrezik jetën e 7 artistëve të huaj e 3 personave që shërbejnë si staf. Mbi 10 protestues u shoqëruan ndërsa aktet e dhunës u dënuan me forcë nga ambasada e Francës dhe delegacioni i Bashkimit Europian.
Komente











Fran Dashi ruhu nga emocionet, sepse ne Shqiperi jeton si mbret "Belinda" Berisha qe e ka mposhtur dhe vene ne sherbim te tij Pushtetin Gjyqesor.
Përgjigju